Zbulohet trafiku i mjeteve nga Franca në Shqipëri
Një linjë trafiku makinash është zbuluar nga agjentët e antitrafikut në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku një person është prangosur dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim. Linja e trafikut të makinave niste nga Franca dhe nëpërmjet Malit të Zi, trafikoheshin në Shqipëri, ku edhe shiteshin. Pak kohë më parë, Interpol-Tirana kishte referuar vjedhjen e një makine në Francë, e cila dyshohej se ishte trafikuar në Shqipëri. Nga informacionet e mbledhura rezultoi se kjo makinë posedohej nga një person në Tiranë dhe që ishte trafikuar me ndihmën e një malazezi. Sipas të dhënave zyrtare, nga policia e kryeqytetit, në lidhje me këtë hetim, nga specialistët e seksionit të luftës kundër trafiqeve u krye ndalimi i shtetasit Bujar Hysen Sefa, 43 vjeç, lindur në Peshkopi dhe banues në Tiranë. "Ndalimi i tij u krye, sepse dje në rrugën "Hoxha Tasim", është kapur duke drejtuar automjetin tip "Nissan", me targa të huaja, i cili rezulton të jetë trafikuar nga Franca", deklaroi dje policia e Tiranës. Ndërkohë, policia shtoi se nga verifikimet e kryera deri tani rezulton se ky mjet është trafikuar nga malazezi Smajl Pepic. Policia tha se pas identifikimit të këtij personi, materialet i janë dërguar edhe policisë homologe, ku në bashkëpunim po punohet për kapjen e tij. Smajl Pepic akuzohet për veprën penale të "trafikimit të mjeteve motorike më shumë se një herë". Policia tha se materialet i kaluan prokurorisë edhe për një person tjetër, të quajtur Maksim Hoxha, por ende nuk është përcaktuar roli i tij në këtë trafik makinash. Ndërkohë, po dje në Sarandë është realizuar edhe arrestimi i një personi tjetër, i cili ishte shpallur në kërkim për trafik të mjeteve motorike. Sipas të dhenve nga policia lokale, në orët e vona të mbrëmjes është bërë e mundur kapja e shtetasit Pelivan Riza Mahmuti. Sipas policisë, Mahmuti, banor i fshatit Janjar, është kapur në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, ndërkohë që tentonte të kalonte në shtetin grek, në përpjekje për t‘i shpëtuar ndjekjes së policisë. Ai akuzohet nga prokuroria se pikërisht më 18 janar ka trafikuar në Shqipëri dy mjete "Jeep" . Këtë trafik dyshohet se ai e ka kryer në bashkëpunim me Flamur Muratin, i cili është i arrestuar. Mahmuti është dënuar më parë për vjedhje me armë.