Rikthehet kriza e ilaçeve, rrudhet lista me rimbursim
Viti i ri do të jetë një nga periudhat më problematike për sa i përket barnave. Kriza do të nisë pas miratimit të listës së re të barnave me rimbursim. Këtë herë, jo për "faj" të borxheve të trashëguara nga e kaluara, por për arsye të fondeve të pamjaftueshme. Këtë vit, lista e barnave jo vetëm që nuk do të zgjerohet me ilaçe më cilësore, apo me ilaçe të shtrenjta për të lehtësuar kategoritë më në nevojë, por do të pësojë shkurtime dhe kufizime. Fondi që i është akorduar Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor është i pamjaftueshëm për të përmbushur të gjitha kërkesat dhe për të kënaqur popullatën për problemet shëndetësore. Ndërsa Komisioni i Listës së Barnave ende nuk është mbledhur për të vendosur mbi fatin e listës së re, specialistët e institutit kanë parashikuar ngushtim të mëtejshëm të listës aktuale. Për sa i përket deklaratave të qeverisë për rritje të fondeve aktuale, specialistët e kanë sqaruar se ajo pak rritje që është bërë, ka qenë rritja e zakonshme që bëhet për efekt të zgjerimit të skemës së sigurimeve dhe rritjes së sëmundshmërisë.
Kriza e ilaçeve
Kriza e ilaçeve rrezikon të përfshijë këtë vit jo vetëm spitalin më të madh të vendit, por edhe barnat që jepen me rimbursim nga shteti. Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor ka marrë për vitin 2008 një buxhet 5 për qind më të ulët sesa kërkesat dhe nevojat që ka ky institucion për të mbuluar nevojat e popullatës. Sipas të dhënave në periudhën e hartimit të projektbuxhetit ishte planifikuar që ISKSH-ja të merrte një shifër pre 6 miliardë e 189 milionë lekë, ndërsa fondi që u miratua u ul deri në 5 miliardë e 860 milionë lekë të reja. Specialistët e Institutit të Sigurimeve Shëndetësore pohojnë se këtë vit, jo vetëm që nuk do të ketë ilaçe të reja në listën e barnave, por madje rrezikohet edhe shkurtim i listës së barnave, duke nxjerrë jashtë një pjesë të medikamenteve që aktualisht janë të rimbursuara nga shteti.
Vështirësi në menaxhimin e situatës me fondet e akorduara ka pasur edhe gjatë vitit të kaluar. Në 2007-ën u përfitua 12 për qind më shumë se buxheti i 2006-ës dhe ISKSH-ja arriti të shtojë në listën e rimbursimit disa ilaçe të reja dhe të shtrenjta.
Duke u nisur nga shifrat, buxheti i këtij viti duket se ka një rritje nga 5.6 miliardë në 5.8 miliardë. Por argumentimi i specialistëve tregon se kjo rritje minimale është rritja që ndodh çdo vit për efekt të zgjerimit të skemës së sigurimeve apo rritje së sëmundshmërisë në vend.
Lista e barnave
Në listën e barnave të rimbursuara ka 368 ilaçe që mbulojnë 94 për qind të sëmundjeve kronike. Nga kjo listë përftojnë të paktën 500 mijë pensionistë në të gjithë vendin. Kjo kategori ndjen edhe mungesën apo ndryshimet që bëhen me listën e barnave. Ndërsa një vit më parë, ata kërkuan të merrnin më shumë ilaçe me rimbursim dhe cilësi më të lartë, tani duhet të mjaftohen me kufizimet që do të vendosë komisioni i cili ende nuk është mbledhur për të vendosur pikat mbi "i". Por jo vetëm të sëmurët kronikë, pensionistët apo kategoritë e tjera sociale në nevojë për barna me rimbursim. Tanimë edhe spitali më i madh i vendit gjendet në udhëkryq për mënyrën se si do t‘i zgjidhë problemet me mungesat e barnave. Këtë vit, Qendra Spitalore Universitare ka marrë një buxhet me të paktën 60 për qind më të ulët se nevojat e pacientëve që shtrohen aty për trajtim.
Tabelë
Ilaçet që iu shtuan
vjet listës së barnave
Deferasirox 500 mg
Lipaze+amylaze+protease
Pravastatine sodium 20 mg
Pravastatine sodium 40 mg
Magnezio valproate 500 mg
Danazol 200 mg
Pyridostigmine bromide 60 mg
Phenoxymethylpenicillin um 250 mg
Potasium chloride combinations
Phenil Keton Urea 500 g
Cyclophosphamide 50 mg
Mercaptopurinum 50 mg
Chlorambucil 2 mg
Melphalan 5 mg