E Diel, 1 Nëntor 2026

"Kashari", konfiskohen dokumentet e qarkut

Task-Force konfiskon dokumentet e gjithë pronave të Kasharit me qëllim verifikimin e abuzimeve që mund të jenë kryer nga ish-kryekomunarët e kësaj zone. Pas arrestimit të tre ish-kryekomunarëve të Kasharit, një grup pune ka vijuar më tej hetimet e prokurorisë për të dokumentuar veprimtarinë kriminale të të akuzuarve për shpërdorim detyre dhe korrupsion. Kështu, gjatë hetimeve ka lindur nevoja e verifikimit të pronave, për të cilat është denoncuar se ka pasur abuzime nga ana e krerëve të Komunës së Kasharit. Për verifikimin e dokumenteve të këtyre pronave, grupi hetimor ka kërkuar dokumentet origjinale nga autoritetet e Qarkut të Tiranës. Duke parë numrin e madh të denoncimeve për abuzimet me pronat, ka lindur nevoja që të verifikohen të gjitha, krahasuar me dokumentet origjinale. Për këtë problem, grupi i punës ka kërkuar dhe marrë dokumentacionin për të gjithë pronat e Kasharit. Kështu, ato do të mbahen nga prokuroria deri në përfundim të të gjitha verifikimeve të nevojshme. Sipas burimeve nga Prokuroria e Tiranës, qëllimi i këtij kontrolli është zbulimi i rasteve të tjera të abuzimit të ish tre kryekomunarëve, të cilët tashmë ndodhen të arrestuar nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Abuzimet me trojet e drejtuesve dhe ish-drejtuesve të Komunës së Kasharit janë shënuar në një hartë, e cila u sekuestrua në momentin e operacionit të Task-Force. Sipas grupit hetimor, aty janë paraqitur të gjitha shkeljet, që janë realizuar duke mbivendosur troje në emra të pronarëve të ndryshëm. Më tej, burimet e prokurorisë thanë se bashkë me përgjimet telefonike dhe denoncimet e banorëve të zonës, harta e sekuestruar po i nënshtrohet një ekspertize ku do të përcaktohen të gjitha trojet e mbivendosura nga krerët dhe ish-krerët e Komunës së Kasharit. Sipas informacioneve, zonat e abuzimeve shtrihen edhe në fshatin Yzberisht, ku janë ndërtuar dhe po ndërtohen objekte shumëkatëshe. Vlera e tokës, me të cilën dyshohet se është abuzuar, përllogaritet në rreth 160 milionë euro. Sipas burimeve nga akuza kryeqytetase, banorët e Komunës së Kasharit vazhdojnë të thirren në prokurori për shpjegime të hollësishme të pronave të tyre. Sipas të dhënave, rreth shtatë persona janë të implikuar në mbivendosjen e pronave, ku krahas tre krerëve të komunës, Alfred Sulaj, Faik Fejza dhe Naim Karaj, përgjegjës janë edhe Islam Shera, ish-kryeplak i Kasharit dhe Shefqet Alikaj, me detyrë përgjegjës i zyrës së kadastrës. Ndërsa në rolin e sekserit dyshohen Ismail Sulaj e Xhevair Hyka, njëri prej tyre kushëriri i kryekomunarit Sulaj. Sipas banorëve, këta persona në kundërshtim me ligjin u kanë marrë pronat dhe ua kanë dhënë personave nga Tirana apo biznesmenëve për një vlerë të konsiderueshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›