E Diel, 1 Nëntor 2026

"Ilaçet për fëmijët me HIV mbërrijnë pas 10 ditësh"

Medikamentet antiretrovirale për trajtimin e rreth 17 fëmijëve me HIV/AIDS do të mbërrijnë brenda 10 ditëve. Kjo ka qenë deklarata zyrtare e drejtorit të përgjithshëm të politikave për planifikim, Edmond Stojku. Sipas tij, mungesa e këtyre barnave ka ardhur si pasojë e vonesave teknike nga ana e Qendrës Spitalore "Nënë Tereza". "Sigurimi i medikamenteve të tilla mundësohet nga një marrëveshje bashkëpunimi me UNICEF-in. Detyrimi ynë është që të bëjmë gati të gjitha procedurat teknike, të cilat i dërgohen kësaj organizate për importimin e medikamenteve për fëmijët", tha Stojku. Sipas tij, kjo procedurë ka më se dy muaj që ka përfunduar, por UNICEF-i nuk ka rënë dakord me përfaqësuesit e QSUT-së për një pikë të udhëzimit. Kjo ka qenë edhe arsyeja e vonesës. Por për të gjithë familjarët e fëmijëve me HIV/AIDS është premtuar se ilaçet e tyre do të mbërrijnë brenda 10 ditëve. Fatura financiare për trajtimin njëvjeçar, vetëm për një të prekur me HIV/AIDS kap shifrën e 15 mijë eurove.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›