E Diel, 1 Nëntor 2026

Deputeti Sulaj, grushte Karçevit

Deputeti i Parlamentit, Dashnor Sula, dhunon futbollistin e Elbasanit, Nikola Karçev. "Faji" i maqedonasit është se ka mësuar gjuhën shqipe dhe pasi ka dëgjuar ofendimet e sponsorit peqinas është kundërpërgjigjur me të njëjtën monedhë. Pas kësaj, Sula i është vërsulur duke e gjuajtur me grushte dhe shkelma mbrojtësin, e për ata që kanë qenë brenda ambienteve të stadiumit ka qenë shumë e vështirë për ta larguar nga kjo situatë aspak e këndshme. Ngjarja ka ndodhur në dhomat e zhveshjes, në përfundim të ndeshjes Elbasani-Shkumbini, të fituar 1-0 nga verdheblutë e drejtuar nga Krenar Alimehmeti. Pas fërshëllimës finale të gjyqtarit Sazan Velçani, tifozët vendas që gjendeshin në tribunën kryesore të stadiumit "Ruzhdi Bizhuta" kanë filluar të brohorasin "Dashi ik!", duke iu drejtuar drejtuesit të skuadrës peqinase. Ky i fundit, i nervozuar nga ajo që ka ndodhur, ka hyrë në dhomat e zhveshjes dha ka filluar të ofendojë me sharje nga më banalet futbollistët kundërshtarë. Në korridorin që të nxjerr në fushë ka qenë edhe Karçev (që nuk ka luajtur në këtë takim për shkak se ishte i pezulluar), i cili ishte duke folur me gazetarët e pranishëm aty. Maqedonasi ka kuptuar sharjet dhe nuk ka ngurruar të kundërpërgjigjet, pa pasur frikë nga statusi i "kundërshtarit". Ky reagim (i vetmi nga lojtarët elbasanas) ka sjellë edhe shpërthimin e Sulajt, që nuk ka ngurruar ta godasë me grushte dhe shkelma, pavarësisht faktit se ka qenë ai që ka shkaktuar tensionin.

Gjithçka është mësuar në harkun e pak minutave edhe nga tifozët vendas, të cilët kanë rrethuar sheshin përballë stadiumit, duke pritur daljen e deputetit. Dashnor Sula doli nga "Ruzhdi Bizhuta" disa minuta më vonë dhe është larguar me shpejtësi me automjetin e tij. "Deputeti Sula ka hipur në makinë dhe është larguar me shumë shpejtësi, ndërkohë që një grup tifozësh të Elbasanit, të cilët kishin mësuar se çfarë ndodhi me Karçev e kanë ndjekur makinën nga mbrapa, por pa arritur të bënin asgjë", kanë pohuar dëshmitarët okularë.

Duke u kthyer te ndeshja, Elbasani ka fituar me shifrat minimale 1-0, duke u ngjitur në vendin e pestë në kuotën e 36 pikëve. Lojtarët që hodhën "K.O." Shkumbinin ishin vëllezërit Ardian dhe Arben Nuhiu: i pari ka pasur, ndërsa tjetri e ka dërguar topin në rrjetë, gol që vlen më shumë se tre pikë për verdheblutë. Gjithsesi, edhe peqinasit nuk janë dorëzuar lehtë dhe deri në minutat e fundit kanë provuar të barazojnë rezultatin, për të marrë të paktën 1 pikë. Përveç mbajtjes së hapit të kryesueseve, shqetësimi kryesor i Alimehmetit vazhdojnë të jenë dëmtimet, pasi edhe në këtë takim Tetova e Nenaj janë larguar nga fusha për shkak të problemeve muskulore. Ndryshe nga dhjetë ditë më parë, në takimin e Kupës së Shqipërisë ku lojtarët e të dyja skuadrave i kanë shndërruar dhomat në arenë grushtesh, këtë herë në fushën e lojës gjithçka ka qenë korrekte. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për 7 mijë tifozët e pranishëm, të cilët janë mbajtur nën kontroll nga policitë e Elbasanit, Shkumbinit, Librazhdit dhe nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë që kishin udhëtuar nga Tirana.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›