E Diel, 1 Nëntor 2026

Ingridi, e para banore që del nga shtëpia

Ingridi është ajo që doli mbrëmë nga shtëpia e "Big Brother-it", pas votimit njëjavor nga publiku me anë të sms-ve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e disa vende evropiane, ku punojnë e jetojnë shqiptarë. Tashmë në shtëpi nuk janë 14, por 13 banorë. Por ndarja e Ingridit nuk ka qenë e lehtë. Pati nga ata banorë që u shkrehën në lot kur Ingridi po e linte shtëpinë.

Por çfarë ka ndodhur 24 orët e fundit në shtëpi?

Dje Çimi kishte një festë shumë speciale: përvjetorin e martesës. Ndaj ka pastruar dhe ka gatuar për të gjithë peshkun. Ai kishte një ide që ta bënte peshkun me një salcë speciale. Erdhi vërdallë nëpër shtëpi dhe i lajmëroi të gjithë me radhë se dreka që ka përgatitur ishte një surprizë e vërtetë.

U mblodhën në kuzhinë: Visi, Poli, Juli, Ingridi, Besa dhe nën drejtimin e Visit të gjithë nisën të këndojnë një këngë për nënën, duke u përfshirë kështu në përjetimin e 8 Marsit.

Një diskutim për festën në fjalë lind nga një gjest i Arbrit për t‘u përgatitur vajzave mëngjesin, por Çimi dhe Olsi u munduan të bëjnë shaka me këtë. Ata nuk e kishin të qartë se për çfarë ishte kjo festë: për gratë apo nënat!? Pastaj shakaja vazhdoi me fjalët e Visit, që thoshte se "këto për 8 Mars duan vetëm të hanë dhe të pinë". Najada i kthehet edhe njëherë Çimit, duke i thënë se edhe ai duhet ta vlerësojë veprimin e Arbrit. Olsi i kërkon një lugë reçel Najadës, por ajo i përgjigjet me një "jo" të ftohtë. Najada me Çimin vazhdojnë bisedat me tendencë. Najada thotë se e shtuna nuk qenka dita e Çimit, ndërsa me pak më agresivitet reagon Romina.

"Nuk i vjen natyrale", thotë Giti për Romin, ndërsa komenton natyrën e saj. Megjithëse Juna ka qenë deri para pak kohësh me Romin dhe Olsin, tani ajo po flet me Gitin kundër saj. Njëkohësisht edhe Romi është shprehur me Nardin dhe Nadën për Junën pa shumë kënaqësi. Megjithatë, në këtë moment, është Ingridi që bën komentet më të forta, duke shpresuar që të jetë Romina ajo që do të dalë.

Pas një ulërime të Rominës, sepse Çimi erdhi në dhomë me një peshk në dorë, Najada, e cila po flinte, acarohet aq shumë sa stresohet. Visi është aty dhe i bën një masazh që ajo të qetësohet. Olsi, nga ana tjetër, bën batuta mbi "stërvitjen e gishtave" dhe Visi ia pret se "sapo ka filluar".

Juna shtrihet me Titin në krevat për ta ngacmuar dhe Olsi me Nardin qeshin me reagimet e tij. Juna vazhdon dhe e ngacmon, derisa e qeshura zbehet. Nardi ikën dhe ata të tre mbeten vetëm. Olsi nis e tregon për fëmijërinë e tij, kur ishte një "çamarrok", ndërsa Juna dhe Astriti e dëgjojnë. Ai zgjat dorën dhe nis e përkëdhel flokët e Junës, e cila rri në heshtje dhe më pas flet me Titin. Ajo i thotë Titit se është mësuar me shokët që i prekin flokët, ndërsa Olsi i thotë se ai nuk e bën me të gjithë. "Vetëm se është floku yt", i thotë Olsi. Ai i këshillon ndër të tjera që ajo duhet të presë majat e flokëve, sepse i ka të thara dhe nuk do të mund t‘i zgjaten.

Olsi përfiton nga momenti që gjendet me Inën, ndërsa bëjnë pastrimin e mëngjesit. Ai e puth duke e uruar për festën. Ajo i thotë: "Sa mirë do të ishte po të kishim festë përditë".

Ajo është zgjuar dhe po gatuan, ndërsa Poli, Çimi dhe Nardi e shoqërojnë. Ata i thonë se një nga këngët e saj më të pëlqyera "buçiti" sot në mëngjes, por ajo ishte në gjumë. Ajo entuziazmohet aq shumë sa nis e të kërcejë duke kënduar këngën që i përmenden çunat. Pak më parë, kur ishte vetëm me Polin, ajo i rrëfeu se sot do të dëshironte të kishte mundësi të fliste me mamanë e saj.

Najada është shtrirë në krevat dhe mendohet. Hyn Olsi, duke kërkuar ende çfarë të veshë dhe i merr këshilla Najadës. Ajo i përgjigjet me përtesë se asnjë nga bokserat e Olsit nuk i pëlqejnë, se duket si "plakush".

Nardi me Arbrin janë në oborr. Kanë mbaruar mëngjesin dhe po flasin për javën që ka kaluar dhe çfarë do të ndodhë nga nesër. Janë akoma përgjumësh, por përfitojnë nga dielli për t‘u relaksuar pak. Arbri bëhet kurioz nëse do fusin njeri direkt apo do presin. Ai shpreson të hyjnë dy femra dhe një mashkull, që të ketë një ekuilibër. Nardi mendonte se mbrëmë do të dilte Ingridi. Nardi dhe Arbri thonë se për "ata të rinjtë" do të jetë me kollaj. Ata kujtohen për Çimin, i cili ka përmendur i pari "krijimin e grupeve" brenda B.B., por asnjërit prej çunave kjo bisedë nuk i pëlqen.

Nardi flet pas krahëve për Junën, duke thënë se Juna flet pas krahëve. Ai shprehet se Juna shtrembëron buzët sa herë që ai flet me Najadën. Najada thotë se "ajo aq bagazh ka". Romina flet për Junën. Sipas saj, Juna ka pasur momente të dobëta në sjelljen që ka pasur me atë dhe në shumë raste ajo nuk e mban fjalën që thotë. Romina merr rastin e Ingridit, duke thënë se ajo e ka falur, meqë Ingridi kishte ardhur më pas dhe i kishte kërkuar falje për fjalët me nerva.

Ervisi, Juna, Poli, Juli dhe Ingridi flasin për personat me të cilët do të ruajnë miqësinë jashtë. Të gjithë përjashtojnë Çimin, duke e argumentuar këtë me moshën e tij. Juli shprehet se nuk do të ruajë miqësi as me Romin dhe Nadën, sepse edhe brenda, sipas saj, ka munguar afrimiteti me to. Biseda shpreh qartë grupimet brenda shtëpisë së madhe të "Big Brother".

Kush është Ingridi, e larguara nga shtëpia e "Big Brother"-it

E ndarë nga i shoqi, nënë e dy fëmijëve dhe që jeton me një mik të quajtur Erjys, të cilin e ka pasur dikur shok shkolle. E datëlindjes 1978, ajo ka pak kohë që jeton në Tiranë e ardhur nga Fieri, ndërkohë që origjina e saj është nga veriu.

Ka një hob të tmerrshëm, hipizmin. Ndaj kalëron shpesh. Pëlqen edhe jetën e motorëve. Në përgjithësi, njeri i thjeshtë, e brishtë dhe emotive. Kur hyri në "Big Brother" ishte pothuajse në prag të gjetjes së një pune, të cilën e la pasi hyri në shtëpi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›