E Diel, 1 Nëntor 2026

Apeli i Kaka: Përpiqen të më dëmtojnë

Rikardo Kaka nuk është në formë të mirë dhe do të qëndrojë pushim në dy ndeshjet e radhës për Milanin. Shkak nuk është bërë paraqitja e tij në fushën e lojës, por ndërhyrjet e ashpra të mbrojtësve kundërshtarë, të cilët nuk kursehen ndaj fantazistit brazilian. Nga këto ndërhyrje, Kaka ka pësuar një dëmtim në gjurin e majtë dhe duke parë se ndeshja me Arsenalin është ndër më të rëndësishmet e këtij sezoni, drejtuesit e Milanit kanë vendosur ta lënë pushim lojtarin për dy takimet e kampionatit të kësaj jave. Megjithatë, Milani ka reaguar ndaj trajtimit që po i bëhet Kaka, duke i ftuar gjyqtarët të tregohen më të vëmendshëm dhe më të ashpër ndaj mbrojtësve që rrezikojnë karrierën e futbollistit.

Ka qenë vetë Kaka që ka lëshuar alarmin për mënyrën se si trajtohet nga mbrojtësit kundërshtarë sa herë që përpiqet t‘i kalojë. "Po marr shumë shkelma dhe nuk jam i vetmi. Gjyqtarët duhet të bëjnë diçka ndaj kësaj situate", u shpreh futbollisti, i cili do të mungojë në ndeshjet kundër Katanias dhe Lacios. Apeli i lojtarit është shoqëruar me një reagim mjaft të ashpër të Milanit, që ka ftuar kundërshtarët të bëhen më të përgjegjshëm si dhe gjyqtarët që t‘i ndëshkojnë këta të fundit kur ndërhyrjet bëhen të patolerueshme. Në një artikull të publikuar në faqen zyrtare të internetit të klubit kuqezi, akuzohen kundërshtarët për "faulle sistematike ndaj Kaka", duke vijuar më pas me teori të mirëfillta shkencore. "Nuk është kurrë i njëjti kundërshtar që bën dy ndërhyrje radhazi ndaj Kaka, ka gjithmonë alternim mes futbollistëve që e bëjnë një gjë të tillë brenda skuadrës, si të ishte një strategji. Duken si ndërhyrje të parapërgatitura", shkruhet në artikullin e publikuar në faqen e internetit. Në të i drejtohen akuza të drejtpërdrejta mbrojtësit Karrocieri të Atalantës për "kërcënime të mirëfillta", si dhe Bovo të Xhenoas, i cili "ndërhyn me taka lart ndaj Kaka, ndërsa ky i fundit shkëputet në krah. Sipas të gjitha përsëritjeve është karton i kuq i menjëhershëm, por ai vetëm dënohet me karton të verdhë". Normalisht, akuzave nuk i shpëtojnë as gjyqtarët, të cilët kanë mbyllur shpesh sytë para ndërhyrjeve të tilla. "Gjyqtarët e kampionatit tonë mbyllin një sy".

Por qëndrimi i klubit kuqezi duket se nuk e shqetëson shumë Ançelotin, i cili në konferencën e zakonshme për shtyp ka deklaruar se futbollistët kundërshtarë nuk bëjnë ndërhyrje të qëllimshme ndaj futbollistëve të tij. "Nuk mendoj se ekziston dëshira e futbollistëve kundërshtarë për të bërë ndërhyrje të rrezikshme, por ekziston vëmendja që duhet të jetë ndaj një kampioni të madh", tha ai. Me pak fjalë, Ançeloti ka dhënë një sinjal të qartë për Kaka, i cili pas marrjes së "Topit të Artë", është kthyer në armikun numër 1 të çdo mbrojtje. Qëkur ka marrë këtë trofe, braziliani nuk është më në formën e tij të zakonshme, jo vetëm për ndërhyrjet e ashpra që pëson, por edhe sepse mbrojtësit kundërshtarë i dedikohen plotësisht atij, duke mos i lënë asnjë hapësirë. Në këtë kontekst, Ançeloti ka bërë të qartë për futbollistin se trajtimi i "veçantë" do të vazhdojë, derisa skuadra të mësojë të luajë edhe pa brazilianin dhe të detyrojë mbrojtjen kundërshtare të jetë e vëmendshme ndaj të gjithëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›