Tifozët lavdërojnë Taren: Të gjithë të sillen si ai
Igli Tare duket se është kthyer në një shembull pozitiv për tifozerinë Lacios, e cila vlerëson impenjimin e tij në fushën e lojës sa herë që sulmuesi shqiptar aktivizohet. Ndonëse Tare nuk ka pasur shumë hapësira në ndeshjet e bardhekaltërve gjatë dy sezoneve të fundit, tifozeria dëshiron që atij t‘i jepet një shans i tillë dhe lojtarët e tjerë duhet të ndjekin shembullin e korrektësisë së tij dhe impenjimit që ai shfaq.
Gjatë ditës së djeshme, një grup prej 20 tifozësh ultras të Lacios ka pritur skuadrën në qendrën stërvitore duke kontestuar skuadrën para paraqitjeve të dobëta që ajo ka dhuruar në dy javët e fundit. Tifozët kanë gjuajtur me vezë dhe kanë hedhur fishekzjarrë në fushë, duke mos kursyer disa prej lojtarëve kryesorë të formacionit të Delio Rosit, si Mauri, Ledesma apo edhe sulmuesi Roki. Edhe vetë trajneri nuk u ka shpëtuar kritikave, ndërsa tifozët gjatë të gjithë kohës kanë kërkuar largimin e tij. "Na duhen njerëz si Tare", ka qenë thirrja më e shpeshtë e tifozëve gjatë të gjithë periudhës së stërvitjes së skuadrës, duke bërë të qartë se e shohin sulmuesin shqiptar si shembullin e një futbollisti model, i cili është gjithmonë gati të zbresë në fushë dhe të impenjohet për skuadrën. Sikur të mos mjaftonte kjo, në të gjitha radiot sportive që transmetojnë programe për Lacion, thirrja e mësipërme është përsëritur në dhjetëra telefonata dhe mesazhe që kanë mbërritur në redaksi, duke lënë të kuptohet se tashmë të gjithë e shohin futbollistin shqiptar me një sy tjetër. Në një situatë të tillë, trajneri Delio Rosi nuk do të ketë zgjidhje tjetër përveç plotësimit të dëshirës së tifozëve dhe mund t‘i japë më shumë hapësira sulmuesit shqiptar në ndeshjen e sotme kundër Rexhinës. Tare ka shënuar dy gola të rëndësishëm për Lacion gjatë këtij edicioni, një në Kupën e Italisë dhe një në kampionat, por kjo nuk i ka siguruar atij një vend në formacion, pasi bardhekaltërit blenë edhe një sulmues tjetër, Rolando Biankin. Megjithatë, mbështetja e tifozerisë mund ta ndihmojë sulmuesin shqiptar jo vetëm për t‘u kthyer në fushën e lojës, por edhe për të siguruar një zgjatje të kontratës që përfundon në qershorin e këtij viti.