E Diel, 1 Nëntor 2026

Besart Berisha përfundon maratonën 21 km

Mesfushori i kombëtares shqiptare, Besart Berisha, është drejt rikuperimit të plotë pas operacionit në gju. 22-vjeçari, i cili luan me Bërnlin në Çempionshipin anglez (Kategoria e Dytë) është dëmtuar në miqësoren e luajtur në gusht 2007 me Maltën dhe për gjashtë muaj i është nënshtruar rehabilitimit. Pas shkëputjes së gjatë, më në fund Berisha ka treguar shenja pozitive dhe tashmë rikthimi në fushë duket shumë pranë. Ish-lojtari i Hamburgut ka marrë pjesë në maratonën e zhvilluar në Bllekpul të hënën, duke arritur deri në finish pa probleme. Kosovari e ka përfunduar garën afro 21 kilometra të gjatë për 1 orë, 41 minuta dhe 34 sekonda, duke u renditur i 392-ti mes 1 mijë e 186 pjesëmarrësve. Përgjatë maratonës, Berisha është shoqëruar nga dyshja e fizioterapistëve të skuadrës, Andi Mitçëll dhe Kleir Xhud. Dëmtimi gjatë verës së kaluar bëri që Berisha të mos luante asnjë ndeshje për Bërnlin dhe tashmë drejtuesit e klubit dhe tifozët po presin ta shohin në aksion: aktivizimi i tij mund të bëhet përpara mbylljes së sezonit. "Pjesëmarrja në maratonë i ka shërbyer Besartit për të kuptuar se në këtë fazë të rikuperimit mund të vrapojë gjithë ditën pa pasur komplikacione", tha trajneri Kojl. "Nëse lojtari fiton siguri në vrapime, ai është në rrugën e duhur për t‘u rikthyer në fushë. Nëse Besarti do të arrijë të luajë për skuadrën përpara se të mbyllet sezoni, kjo do të jetë merita e punës së tij". Mesfushori ka udhëtuar së bashku me skuadrën për miqësoren që Bërnli luajti të premten e kaluar në Dublin dhe sipas trajnerit Kojl kjo ka shërbyer në rehabilitimin e tij. "Pavarësisht se është i dëmtuar, Berisha është pjesë e grupit dhe ne gjithmonë e kemi trajtuar si të tillë", tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›