Pakult: Të ruhemi nga Hamdi Salihi
Trajneri i Rapidit të Vjenës, Peter Pakult, ka bërë të qartë se në ndeshjen e sotme ndaj Riedit, skuadra e tij duhet të ruhet nga dy lojtarë të veçantë, sulmuesi Hamdi Salihi dhe mesfushori Hervig Dreksler. Dy golat e shënuar në fundjavë e kanë bërë Salihin përsëri të frikshëm për mbrojtjet kundërshtare dhe Pakult këtë e di më mirë se të gjithë, pasi një vit më parë u mundua pa sukses të afronte sulmuesin shkodran në skuadrën e tij. "Duhet të mos i krijojmë mundësinë atyre të gjuajnë në portë, pasi janë shumë të rrezikshëm. Duhet të ruhemi edhe nga goditjet standarde, të cilat i aplikojnë shumë mirë", u shpreh Pakult rreth dyshes që ka marrë përsipër fazën ofensive të Ried gjatë këtij sezoni. Salihi ka zhvilluar një sezon më se pozitiv me Riedin, ndonëse kjo skuadër nuk ndodhet në majën e tabelës së klasifikimit. Sulmuesi shqiptar ka shënuar 10 gola në 23 ndeshje të luajtura, pa harruar se në fazën e parë është aktivizuar thuajse gjithmonë si zëvendësues për shkak të një dëmtimi. Por tani, ai është kthyer në një prej sulmuesve më në formë në kampionatin austriak dhe shihet si një prej pretendentëve për "Këpucën e Artë" të këtij edicioni. Kjo ka shtuar interesimin e klubeve të tjera ndaj 24-vjeçarit, i cili mendohet që në fundin e këtij sezoni të ndryshojë skuadër, duke kaluar në një kampionat më i fortë se ai austriak.