E Diel, 1 Nëntor 2026

Dervishaj: LSI e shqetësuar për ujësjellësit

LSI-ja ngre shqetësim për raportin mes pushtetit qendror dhe atij lokal në shpërndarjen e kompetencave. Sekretari për çështjet e brendshme, Sokol Dervishaj, vlerësoi se ky proces nuk po zhvillohet me qartësinë e nevojshme dhe në mjaft raste ai ballafaqohet me probleme të shumta, që e bëjnë të pamundur funksionimin e tij dhe e kthejnë këtë iniciativë në një demagogji të pastër. Sipas tij, i tillë është rasti i ujësjellësit, administrimi i të cilit nga pushteti vendor, në kushtet në të cilat është deleguar kjo kompetencë, është thuajse i pamundur, për shkak të formulës që përcakton zgjedhjen e bordeve dhe drejtuesve të këtyre ndërmarrjeve. "Nëse për zgjedhjen e Presidentit të Republikës nevojiten 60% e votave të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, për zgjedhjen e drejtorit të kësaj ndërmarrjeje duhen 5 nga 6 vota të anëtarëve të Bordit Drejtues, pra mbi 85%", theksoi Dervishaj. Çka, sipas tij, në kushtet e një ndërmarrje aksionere është e pamundur kur aksioneri kryesor me mbi 60 apo 70% të aksioneve, që në rastin konkret janë bashkitë, kushtëzohen nga aksionerët më të vegjël të komunave, çka nuk respekton parimet e tregut dhe e politizon në maksimum këtë proces. "Ky ngërç artificial dhe i paramenduar krijon vështirësi të paadministrueshme në lidhje me administrimin financiar të ndërmarrjes", vijoi Dervishaj. LSI-ja konsideron se ky nuk mund të jetë kurrë një proces decentralizimi, por degradimi i këtyre ndërmarrjeve me qëllimin diabolik të privatizimit të tyre me vlera qesharake, sikurse ka ndodhur edhe me mjaft ndërmarrje të tjera shtetërore që kanë kaluar nëpërmjet këtij procesi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›