Kërcënon LSI: Nuk votojmë paktin PS-PD për drejtësinë, të rishikohet
Drafti i paraqitur nga Partia Demokratike dhe Partia Socialiste nuk e garanton aspak pavarësinë institucionale të gjyqësorit nga politika. Me këtë konstatim, deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Spartak Braho, konfirmoi se kjo parti nuk voton për projektdraftin pa u rishikuar. Ai e konsideroi reformën në drejtësi si të paqartë dhe tepër konfuze me atë ç‘ka duhet të arrihet. Duke i quajtur si antikushtetuese propozimet e bëra, Braho shprehu vullnetin e LSI-së për të mbështetur vërejtjet e Uralius, si dhe propozimet e bëra nga Shoqata e Gjyqtarëve. Deputeti më i ri i LSI-së e koncepton zhvillimin e kësaj reforme në bazë të një platforme, ku synimet dhe qëllimet strategjike të saj duhet të jenë produkt vetëm i një komisioni të posaçëm kombëtar (ad hoc). "Nukli kryesor i të cilit duhet të jenë jo vetëm deputetët, por specialistët e mirëfilltë të organeve të drejtësisë, të tjerë jashtë tyre, vendas dhe të huaj, të cilët do të piketojnë databasët e drejtimeve kryesore, ku do të ecë reforma, për t‘ua dhënë atë të gatshme politikës dhe strukturave parlamentare", u shpreh Braho. Reforma, shtoi ai, duhet të sigurojë përmirësim të ndjeshëm të statusit të punonjësit të organeve të drejtësisë, gjyqtarëve, prokurorëve etj., dhe të përmirësojë normat ligjore që lidhen me karrierën, emërimet, ngritjen në detyrë masat ndëshkuese, me trajtimin, pagat, shpërblimet dhe përfitimet financiare. Të gjitha këto, nënvizoi Braho, padyshim përveçse një rikonceptimi kërkojnë dhe rinovimin e kuadrit ligjor përkatës. "Reforma duhet të përmirësojë rritjen e rolit, funksioneve, kompetencave dhe organizimit të Konferencës Gjyqësore Kombëtare si ‘parlamenti i pushtetit gjyqësor‘ në ndryshim nga sa dhe si funksionon sot", sqaroi Braho. Synimi, shtoi ai, duhet të jetë zgjerimi i kompetencave dhe funksioneve të këtij organizmi të rëndësishëm. Duke shpjeguar platformën e LSI-së, ish-kryetari i Komisioneve të Ligjeve tha se "në mënyrë të veçantë, duhen përmirësuar kriteret për përzgjedhjen e anëtarëve të KLD-së, me qëllim reformimin e këtij organi në përmbajtje dhe strukturë, i cili me arnimet e fundit që ju bënë në ligjin përkatës ende s‘ka gjetur ‘derman‘". LSI-ja mendon se ky organ duhet të shfaqë dhe realizojë raporte të qarta të pavarësisë, por dhe të bashkëpunimit me pushtetet e tjera, gjë që kërkon "kirurgji" në legjislacionin aktual dhe përmirësimin e tyre. Ky qëndrim i LSI-së më shumë se një kërcënim, ka të bëjë me rolin që kjo forcë politike kërkon të luajë në skenën e madhe. LSI-ja ishte partia e parë që hodhi në tryezën e debatit një draft për reformën në sistemin e drejtësisë. Por, pas këtij veprimi, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike filluan diskutimet, duke miratuar pikat kyçe të rezolutës së socialistëve. Dialogu i nisur dhe në dukje i bitisur mes ekspertëve të Partisë Socialiste dhe atyre të Partisë Demokratike ka lënë në hije nismëtarët e paktit të parë publik.