Malaj: Kryeministri i ardhshëm, nga Partia Socialiste
Të drejtën e propozimit të Kryeministrit të ardhshëm duhet ta ketë Partia Socialiste. Kështu deklaron në një intervistë për "Shqip", ish-ministri i Financave, Arben Malaj. Si një prej personaliteteve me kontribute të konsiderueshme në jetën politike të selisë rozë, ai nënvizon se emri konkret do të jetë produkt i përmasave të fitores dhe aleancave potenciale të detyrueshme. Sa i takon reformës zgjedhore, Malaj konstaton se varianti i listave të mbyllura mund të krijojë shumë efekte negative. Duke u ndalur te pragu kushtetues për hyrjen e partive në Kuvend, ai argumenton se nisur nga niveli ku ka arritur demokracia shqiptare në krahasim me vitet e mëparshme duhet kaluar në një rritje konkrete.
Zoti Malaj, si e vlerësoni klimën e re politike në vend dhe bashkëpunimin mes pozitës e opozitës sa u takon reformave madhore?
Ndodh për herë të parë në tranzicionin shqiptar, për sfida kombëtare konkrete. Ndryshe nga herët e mëparshme që kemi bërë marrëveshje të imponuar nga kapërcimi i krizave, kjo është marrëveshje e inspiruar nga sfidat integruese. Disa zhvillime në gjyqësor dhe Prokurorinë e Përgjithshme duket se e bëjnë real shqetësimin e opozitës, që mazhoranca mund ta keqpërdorë konsensusin e dhënë për sfidat kombëtare. Keqpërdorimi i përshpejtuar partiak dëmton cilësinë dhe efikasitetin e marrëveshjes. Kjo mund të rrisë vështirësitë dhe mosbesimin për bashkëpunime të mëtejshme.
Për pak muaj mblidhet Samiti i NATO-s në Bukuresht. Nëse Shqipëria nuk do të arrijë të marrë ftesën, cili mendoni se duhet të jetë qëndrimi i mëtejshëm i opozitës ndaj qeverisë së zotit Berisha?
Duke e dëshiruar këtë moment historik, duke qenë mbështetës jo vetëm publik, e kam të vështirë të fokusohem në analiza me sens pesimist. Ka akoma kohë për ta arritur në mënyrë të merituar dhe të plotë ftesën për anëtarësim në NATO. Por, ndërsa koha e mbetur zvogëlohet pas çdo dite që kalon, vullneti i sinqertë dhe i qartë duket se nuk po e kompenson plotësisht shpejtësinë e plotësimit të angazhimeve.
Aktualisht po zhvillohet një debat për reformën zgjedhore. A e mbështesni ju idenë e rritjes së pragut të shoqëruar me uljen e numrit të partive në Kuvend dhe a është zgjidhja e duhur përdorimi i listave të mbyllura?
Është një debat i domosdoshëm. Sistemi elektoral nuk duhet të vijë thjeshtë si një detyrim për të zëvendësuar këtë që është, por për të përmirësuar cilësinë e konkurrimit politik dhe sidomos cilësinë e qeverisjes së vendit. Të gjitha sistemet në vetvete janë demokratike, keqimplementimi i tyre dhe logjistika e varfër zgjedhore janë rrënjët e deformimeve të rënda zgjedhore. Niveli i pragut në çdo rast respekton një nivel të caktuar të demokracisë në vend dhe është një instrument që e nxit apo penalizon praninë politike të partive të reja apo të vogla. Pragu 2.5% i vendosur në Kushtetutën e vitit 1998, respektoi ambientin politik të asaj periudhe. Një prag i ri mund t‘u përgjigjet më mirë standardeve demokratike pas 10 vjetësh. Debati për listat e mbyllura apo të hapura do të kërkojë vëmendje të veçantë. Ekzistenca dhe thellimi i deficitit demokratik që krijohet nga një largim i detyruar i lidhjes midis votuesve dhe përfaqësuesve të tij në Parlament nuk duhet anashkaluar. Avantazhet absolute që u dedikohen listave absolutisht të mbyllura, janë kryesisht teorike, larg realiteteve politike shqiptare. Listat e mbyllura jo vetëm që krijojnë deformime në standardet demokratike, por mund të sjellin shumë më pak efekte pozitive se sa u atribuohen, ose mund të kenë edhe efekt zinxhir jo qartësisht pozitiv. Këto ndryshime thelbësore nuk duhet të vijnë thjeshtë nga kompromise të çastit apo përfitime elektorale të momentit. Deformimet në zbatimin e sistemit aktual, nuk mund të eliminohen duke krijuar kufizime më të mëdha të mundësive për një demokraci sa më pjesëmarrëse. Politologët ritheksojnë: "Politikanët e këqij i zgjedhin njerëzit e mirë, ata që nuk votojnë". Kështu po të shikojmë strukturën institucionale të BE-së, Parlamenti Evropian konsiderohet institucioni i përfaqësimit të qytetarëve të Evropës së Bashkuar. Ndoshta kalimi në sisteme votimi ku shkëputet vota e qytetarëve me përfaqësuesit konkretë të saj në Parlament mund të na e lehtësojë klasifikimin e Parlamentit të ardhshëm si institucion i përfaqësimit të partive politike jo edhe i qytetarëve shqiptarë. Nuk mund të anashkalohet këtu edhe shqetësimi i deformimeve që mund të marrë funksionimi i vetë partive politike, drejt një pushteti absolut të liderëve të tyre. Një pushtet absolut edhe partiak ka po të njëjtat pasoja negative dhe risqe që ka edhe një pushtet absolut ekzekutiv.
Si e mendoni të ardhmen e spektrit të majtë politik. Ka qarkulluar ideja e bashkimit në një federatë mes PS-PSD dhe LSI-PDS?
Zhvillimet e fundit vërtetojnë se jo vetëm në Shqipëri, me politikën po bëhet më shumë biznes dhe biznesi po bën më shumë politikë reale. Në ekonomi, bashkimet nuk ndodhin nga dashuria. Ato u përshtaten zhvillimeve konkurruese dhe synojnë mbijetesën e përforcuar të kompanive të veçanta. "Yahoo" nuk e pranoi ofertën 44 miliardëshe të "Microsoft", jo se ndihet e fortë, por se ndoshta pret të rrisë çmimin.
Para pak ditësh kishte një debat në distancë mes Edi Ramës dhe Ilir Metës sa i takon Kryeministrit të ardhshëm të së majtës. Cili është vlerësimi juaj?
Edhe komunikimi me intervista konsiderohet pjesëmarrje në distancë, gjë për të cilën spektri i majtë nuk ka shumë nevojë, sidomos pas pësimit të zgjedhjeve të vitit 2005. Të drejtën kushtetuese për të propozuar Kryeministrin e vendit, sipas Kushtetutës, e ka partia më e madhe fituese. Nuk besoj se ky debat bëhet se kush do të jetë partia më e madhe pas zgjedhjeve të vitit 2009. Të drejtën për ta propozuar Kryeministrin e ardhshëm të vendit do ta fitojë Partia Socialiste. Emri konkret do të jetë produkt i përmasave të fitores dhe aleancave potenciale të detyrueshme. Përllogaritjet e parakohshme dhe debatet konkrete jo vetëm bëhen të gjata, por edhe e rrisin distancën që duhet shkurtuar për të fituar zgjedhjet e vitit 2009.
A duhet që në zgjedhjet e ardhshme secila parti e së majtës të provojë forcën, duke kandiduar me listat reciproke e jo në marrëveshje?
Këtu një ndikim të veçantë do të ketë edhe sistemi elektoral. Sistemi aktual, ku dominon votimi mazhoritar dhe kur janë ngushtuar distancat midis partive të mëdha, duket se i përkëdhel më shumë se sistemi proporcional partitë e vogla dhe individët jo plotësisht të pavarur. Një sistem i ri me thelb proporcional nuk i nxit marrëveshjet paraprake. Në princip, në raport me sfidat që ka vendi dhe me objektivin e përbashkët politik për të ndalur keqqeverisjen e vendit, partitë politike të spektrit të majtë dhe të qendrës duhet të përfshihen nga një frymë bashkëpunimi për fitore, e cila jo detyrimisht kërkon marrëveshje paraprake elektorale.
Zoti Malaj, vendi është përfshirë në një situatë të vështirë ekonomike. A mund të na thoni shkurtimisht ku qëndrojnë gabimet kryesore dhe si mund të dilet nga kjo situatë?
Gabimi kryesor i qeverisë është tendenca e sforcuar për ta fshehur realitetin e varfërimit të mëtejshëm të shqiptarëve. Jo të gjithë faktorët janë thjesht shqiptare, por mënyra revolucionare e reagimit të qeverisë "Berisha" është shumë tradicionale shqiptare. Moho realitetin e vështirë, tento të zbukurosh situatën, shpall sa më shpejt armiq të vendit, ironizo opozitën, zëvendëso në mënyrë të shumëfishuar përgjegjësinë me demagogjinë, këto janë elemente thelbësore të strategjisë së qeverisë. Është ironike që, ndërsa gjithë ekspertët ndërkombëtarë dhe të gjithë vendet janë të shqetësuara nga rritja e çmimeve të mallrave më jetikë për konsumatorët dhe ekonominë e vendit të tyre, qeveria shqiptare jo vetëm që nuk ka arritur të ketë një paketë konkrete, sidomos për shtresat më të varfra të shoqërisë, por pret që Instituti i Statistikave të vërtetojë që ka apo nuk ka rritje. Gabimi kryesor i qeverisë është pikërisht arroganca dhe demagogjia, të dyja së bashku janë një rritje akoma më e madhe e çmimeve që paguan vendi. Debati për të dalë nga kjo situatë nuk mund të jetë kaq spontan dhe me disa rreshta të një interviste.
Ekonomia
"Qeveria fsheh varfërimin e shqiptarëve"
Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, vlerëson se gabimi kryesor i qeverisë është tendenca e sforcuar për ta fshehur realitetin e varfërimit të mëtejshëm të shqiptarëve. Sipas tij, jo të gjithë faktorët janë thjesht shqiptare, por mënyra revolucionare e reagimit të qeverisë "Berisha" është shumë tradicionale shqiptare. "Moho realitetin e vështirë, tento të zbukurosh situatën, shpall sa më shpejt armiq të vendit, ironizo opozitën, zëvendëso në mënyrë të shumëfishuar përgjegjësinë me demagogjinë, këto janë elemente thelbësore të strategjisë së qeverisë", nënvizoi Malaj. Ai e cilësoi ironike që, ndërsa gjithë ekspertët ndërkombëtarë dhe gjithë vendet janë të shqetësuara nga rritja e çmimeve të mallrave më jetikë për konsumatorët dhe ekonominë e vendit të tyre, qeveria shqiptare jo vetëm që nuk ka arritur të ketë një paketë konkrete, sidomos për shtresat më të varfra të shoqërisë, por pret që Instituti i Statistikave të vërtetojë që ka apo nuk ka rritje.