E Diel, 1 Nëntor 2026

Rimbursimi për librat shkollorë, një lugë e zbrazur

Pas një periudhe relativisht të gjatë mbledhje e zbritje, ka nisur më në fund rimbursimi i çmimit të librave të shkollës në të gjitha ciklet. Për një nxënës, lirat kanë kushtuar mesatarisht nga 2000 deri në 3000. Ndërsa nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës u deklarua që në fillim të vitit shkollor se rimbursimi do të përfshijë çdo libër të blerë nga nxënësi, masa e rimbursimit do ta varionte nga 50% deri në 90%, madje për një kategori të caktuar edhe 100%, siç janë jetimët. Familjet e skemës së ndihmës ekonomike do të duhej të përfitonin 70%, ndërsa të gjithë të tjerët 50%. Mirëpo me kalimin e kohës, pra të rreth tre muajve, ministria del nga fjala, duke dërguar në bazë një udhëzim, sipas së cilit rimbursimi zbret në 20%. Sipas Qemal Sinamatit, shef i zyrës së financës në DAR të Kukësit, shuma rimbursuese kap shifrën e 9 milionë lekëve të vjetra, kur vetëm në qytetin e Kukësit janë rreth 8 mijë nxënës që kanë blerë libra. Mirëpo me gjithë angazhimin e një administrate të tërë me orë të zgjatura për sistemimin e subvencionit, duket se është arritur në një gjë kaq qesharake, sa edhe groteske. Një prind erdhi dje me pasaportën në dorë, ku kishte futur një 2000 lekëshe të vjetër. "Ja, kjo është shuma e rimbursuar nga Ministria e Arsimit. Unë jam pensionist, me 100 mijë lekë të vjetra dhe as që duhej të më trazonin që nga Lagjja 3 e te posta", tha pensionisti, i cili nuk donte të identifikohej, sepse i biri i tij në vitin e tretë të shkollës mund të konfliktohej me mësimdhënësit. "Ma marrin djalin inat në shkollë", tha. Por kjo gjë nuk ishte punë e mësimdhënësve. Madje ata edhe ditët e fundit u kanë kërkuar nxënësve faturat për librat e blerë. Plot prindër u kanë shprehur mësuesve zhgënjimin për kuotën e ulët të rimbursimit. Ka pasur edhe zëra që janë shprehur për parregullsi në sistemin e rimbursimit, kryesisht nga prindërit të cilët nuk ishin informuar për faktin që ministria kishte luajtur nga "llafi" i parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›