E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtuesit në shkolla, një çorganizim i organizuar

Rregullsia në punë, përvoja në mësimdhënie, marrëdhëniet me stafin pedagogjik, filozofia e punës aftësitë drejtuese dhe komunikuese kanë qenë disa prej kritereve të emërimit si drejtues në arsimin parauniversitar. Para viteve 1990, drejtuesit e shkollave "9-vjeçare" apo gjimnazeve ishin të qëndrueshëm dhe zgjidheshin nëse përmbushnin këto kritere. Sot në arsimin parauniversitar drejtuesit zgjidhen sipas një pjesëze të ligjit të parashikuar në Kodin e Punës. Sipas kësaj hapësire ligjore, drejtuesi në shkolla duhet të zgjidhet nga stafi i burimeve njerëzore në Drejtorinë e Arsimore, duhet të ketë aprovimin e sindikatës, bordit të prindërve, si dhe stafit pedagogjik.

Pavarësisht kësaj mënyre përzgjedhëse, mungesa e një programi i cili të përshkruajë në mënyrë të detajuar kushtet që duhet të përmbushë një drejtues për të qenë në krye të shkollës ka ndezur diskutim mes mësuesve në shkolla. Madje, bisedimet më të mëdha këto dy vitet e fundit kanë qenë pikërisht mungesa e statusit të mësuesit, drejtuesit, mungesa e kritereve për të qenë drejtor shkolle, si dhe lëvizjet e herëpashershme e një grupi mësuesish që emërohen dhe shkarkohen nga një shkollë në tjetrën.

Lëvizjet

Nga një vëzhgim i kryer në disa nga shkollat 9-vjeçare dhe të mesme të kryeqytetit, ka rezultuar se mesatarisht shumica e këtyre institucioneve arsimore kanë ndërruar 3 drejtues brenda një periudhe të shkurtër kohore. Brenda kryeqytetit ka edhe nga ato shkolla të cilat prej 2 vjetësh nuk kanë ndërruar drejtor, por shumica e tyre qëndrojnë nën administrimin e një drejtuesi për shumë pak kohë. Ka pasur disa raste kur të shkarkuarit apo drejtuesit që janë ulur në pozicion të jenë ankuar se janë larguar nga puna për "motivacione politike".

Por Drejtori Arsimore e përgënjeshtron këtë fakt, duke thënë se në asnjë nga ndryshimet e drejtuesve nuk ka pasur mbrapa motive politike. "Nuk ka pasur ndryshime për arsye politike, nuk ka asnjë arsye. Ka pasur drejtues që kanë larguar për oferta më të mira pune, si dhe një pjesë e lëvizjeve kanë qenë lëvizje të detyruara, ka pasur edhe lëvizje për shkelje", sqaroi drejtoresha e Drejtorisë Arsimore të Tiranës, Arjana Bekteshi. Sipas saj, aktualisht nuk ka kritere për të përzgjedhur drejtuesit në shkolla, por po punohet për të bërë një reformë, e cila do të çojë drejt autonomisë. Kjo do të thotë se drejtuesi i shkollës do të zgjidhet nga vetë shkolla. Sipas Bekteshit, kjo reformë është në proces pune.

Kriteret

Aktualisht, nuk ka kurse të mirëfillta për t‘u bërë drejtues shkolle, deri tani ka mjaftuar një diplomë mësuesi. Është bërë një përzgjedhje mes stafit për të dhënë alternativën më të mirë, por kriteret ende nuk janë vendosur. Për sa i takon statusit që kërkuan mësuesit në grevën e tyre zhvilluar dy vjet më parë askush nuk ua plotësoi kërkesat. Pas rritjes që pësoi rroga e tyre me disa për qind më shumë, statusi që ata kërkuan ende nuk është marrë në shqyrtim. Sindikata e mësuesve kërkon që drejtuesit më shumë dhe arsimtarët më pak të kenë një status civil, i cili t‘i mbrojë në raste shkarkimi nga puna. Po ashtu ata kërkojnë që të vendosen kritere për t‘u zgjedhur drejtues në mënyrë që platformat e prezantuara nga një shkollë në tjetrën të arrihen të zbatohen. Dhe zbatimi i tyre të vijë duke pasur jetëgjatësi në punë dhe qëndrueshmëri në pozicion. Sipas mësuesve, qëndrueshmëria është një element tepër i rëndësishëm për të qenë më serioz në punë dhe për të zbatuar ato projekte që stafi i shkollës diskuton. Lëvizjet e drejtuesve nga një shkollë në tjetër, ndryshojnë filozofinë e punës dhe procesin mësimor.

Shkollat që në një periudhë

2-vjeçare ndërruan 3 drejtues

"Liceu artistik"

"Sinan Tafaj"

"Vasil Shanto"

"Konferenca e Pezës"

"Myslym Keta"

"Dëshmorët e lirisë"

"Arben Broci"

"Andon Zako Çajupi"

"Eqerm Çabej"

"Qemal Stafa"

"Sami Frashëri"

Shkollat me drejtues

të qëndrueshëm

"Ismail Qemali"

"Petro Nini Luarasi"

"Partizani"

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›