Xherard: Henri refuzoi Liverpulin
Kapiteni i Liverpulit, Stiven Xherard, ka treguar se sulmuesi francez Tierri Henri kishte refuzuar ftesën për t‘iu bashkuar Liverpulit gjatë verës, para se të firmoste për ekipin e Barcelonës. Mesfushori ka treguar për kontaktet e vazhdueshme mes të dyve dhe faktin që i kishte propozuar sulmuesit që të vishte fanellën e kuqe para kalimit në Spanjë. "I kam dërguar atij disa SMS, duke e pyetur nëse i pëlqente kjo ide. Do të më kishte pëlqyer shumë ta shihja atë me fanellën e Liverpulit, ashtu siç do të ëndërronin edhe tifozët tanë. Por ai dëshironte të luante në Spanjë për Barcelonën, ndaj m‘u desh të respektoja vendimin e tij. Megjithatë, ai ka shumë respekt për Liverpulin dhe flet shumë mirë për ne. Me Henrin jam njohur kur kam qenë kundërshtar i tij. Një ditë shkëmbyem numrat e celularëve dhe që atëherë komunikojmë vazhdimisht", ka treguar Xherard.