E Diel, 1 Nëntor 2026

Superklasikja i buzëqesh përsëri Realit

Reali i Madridit ka mundur Barcelonën në tempullin e futbollit, "Kamp Nou", duke u shkëputur më tej në kreun e klasifikimit të kampionatit spanjoll. Skuadra e drejtuar nga Shuster ka shfaqur një futboll shumë konkret, duke u lënë iniciativën katalanasve, për të goditur me një kundërsulm vdekjeprurës, falë të cilit Baptista ka shënuar golin e fitores 1-0 ndaj Barcelonës. Në fakt, ka qenë skuadra e drejtuar nga Frenk Rajkard ajo që ka kërkuar me ngulm golin që në minutat e para, e udhëhequr nga treshja Eto‘o-Ronaldinjo-Deko. Dy të fundit u përfshinë në formacionin titullar, ndonëse trajneri i katalanasve i kishte parashikuar ata si zëvendësues, por në fund ai i besoi dëshirës së publikut. Megjithëse dy fantazistët dhuruan spektakël me disa aksione të shpejta, ata nuk arritën të çanin mbrojtjen e ngjeshur të Realit, që kishte bazuar të gjithë taktikën te kundërsulmi. Kjo lëvizje ka rezultuar e suksesshme, pasi në minutën e 36-të, Baptista ka kombinuar bukur me Van Nistelroin për t‘u shfaqur para Valdez dhe për të mposhtur portierin e katalanasve. Barcelona hidhet e tëra në sulm, por disa pritje të shkëlqyera të Kasijas shpëtojnë portën e Realit. Edhe në pjesën e dytë, janë katalanasit që kontrollojnë lojën, por madrilenët krijojnë rastet më të rrezikshme me anë të Robinjos që vë disa herë në vështirësi mbrojtjen e vendasve me driblimet e tij të shpejta. Pavarësisht ndryshimeve të bëra nga Rajkard, duke hedhur në fushë Zambrotën, Xhovanin dhe Bojan, asgjë nuk ndryshon dhe Reali fiton superklasiken, duke u shkëputur 7 pikë në kreun e renditjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›