E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova kundër Amerikës...në një miqësore futbolli

Kosova për herë të parë kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nuk bëhet fjalë për pozicione politike, apo për ndonjë mosmarrëveshje, por për një kundërshtar të mundshëm në futboll. Drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) janë duke bërë përpjekjet maksimale që të sjellin në Prishtinë Kombëtaren e SHBA-së për një ndeshje miqësore. "Ne do të bëjmë gjithçka që është në mundësitë tona, por ende nuk e dimë nëse do t‘ia arrijmë qëllimit", tha kreu i federatës, Fadil Vokrri, për "Express". Gjatë marsit, SHBA do të "zbarkojë" në Evropë për një miqësore me Poloninë, mundësi që FFK shpreson ta shfrytëzojë. "SHBA do të zhvillojë një ndeshje në Krakov me Poloninë, më 26 mars. Ne do të mundohemi të arrijmë marrëveshjen para ose pas kësaj date. Ky është synimi ynë, pasi ata do të jenë në Evropë dhe një ndeshje kundër tyre mund të jetë e realizueshme, pohoi ai. Jemi në kontakt me disa persona që janë të autorizuar për sigurimin e ndeshjeve të SHBA në Evropë". Vokrri theksoi se Kombëtarja amerikane e meriton të jetë kundërshtari i parë i Kosovës në arenën ndërkombëtare, por se ndeshja duhet të luhet vetëm në Kosovë, sepse diku tjetër nuk do të kishte efekt të njëjtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›