"Dialogu me Shqipërinë", Rama vijon turin në Elbasan
Nën moton e "Dialogut me Shqipërinë", kreu i socialistëve, Edi Rama, ka realizuar një takim dje në rrethin e Elbasanit. Vizita ishte e dyta rresht pas asaj në Komunën e Shushicës, dy javë më parë. Ndalesa e radhës është zhvilluar në kufirin ndarës mes dy komunave Shirgjan dhe Gjergjan, çka presupozon bashkëbisedimin me fermerë të ndryshëm të dy komunave. "Jemi këtu siç kemi qenë dhe do të vemi në çdo fshat të Shqipërisë, për t‘u thënë gjithë fermerëve se politika e re e Partisë Socialiste do të ketë prioritet të prioriteteve të saj fshatin dhe zhvillimin e të gjithë sektorëve të jetës së tij", premtoi Rama. Sipas tij, fshatrave të tilla, si këto të luginës së Elbasanit, Zoti u ka falur diellin dhe klimën joshëse, sikurse edhe fushat e kodrinat pa mbarim, por të gjitha qeveritë u kishin "falur" në mosharresën, indiferencën e plotë të politikës së tyre. "Ne u drejtohemi të gjithë fermerëve pa dallim moshe e bindje partiake se ‘parajsa‘ që kërkojnë djemtë tuaj me gjak nëpër shtete ku emigrojnë, është këtu dhe ne do të punojmë që ata të kthehen këtu", u angazhua lideri i socialistëve. Ai sqaroi se janë monopolet e segmenteve të ndryshme të qeverive dhe të kësaj aktuale, që kanë tkurrur iniciativën e punës te fshatari ynë punëtor. "Përderisa atë çka e prodhoni, ju nuk keni ku e shisni, është turp për ata që drejtojnë që të detyrojnë edhe fermerin elbasanas që të blejë në treg lakrën maqedonase", nënvizoi Rama. Përderisa, shtoi ai, toka juaj e begatë prodhon jo vetëm për njerëzit, por dhe për gjënë e gjallë, por dikujt i intereson që të përfitojë nga monopolet e lulelakrës. Sipas Ramës, qeverisja e ardhshme socialiste do të zbatojë projektet e saj për zhvillimin intensiv të fshatit, që jo vetëm të mos vuajmë çmimin e grurit, por nga fshati, këtij vendi gati mesdhetar, t‘i vinë të gjitha të mirat materiale. "Vetë fermeri të fuqizohet ekonomikisht duke i siguruar tregun e shitjes shteti, e ky i fundit të mbrojë prodhimin vendas, para se të fusë në xhepat e tij foragjerët e vendeve fqinje", vlerësoi Rama.