"Sistemi zgjedhor, jashtë Kushtetutës"
Sistemi zgjedhor mund të jetë pjesë e një ligji të veçantë, jashtë Kushtetutës. Ky është propozimi i bërë dje nga rrjeti i Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë (NOSA) dhe Agjencia për Administrimin e Zgjedhjeve (ECA). Një dokument me propozime synon të orientojë ligjvënësit drejt praktikave zgjedhore. Celibashi theksoi se dokumenti rekomandon që sistemi zgjedhor të mos jetë pjesë e Kushtetutës, por Kushtetuta mund të përcaktojë rregullat mbi të cilat duhet të përzgjidhet një sistem zgjedhor. "Për të garantuar që përzgjedhja e sistemit zgjedhor të mos jetë vetëm atribut i një mazhorance të caktuar, Kushtetuta mund të përcaktojë që ligji për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë dhe organet e qeverisjes vendore të miratohet me jo më pak se 3/5 e votave të gjithë deputetëve", propozoi Celibashi. Ai nënvizoi se kjo zgjidhje do të mundësonte ndryshimin e sistemit, nëse çmohet më shpesh, pa qenë nevoja për t‘i hyrë procedurave të komplikuara të ndryshimit të Kushtetutës. Sipas rekomandimeve, sistemi zgjedhor duhet të jetë i thjeshtëzuar dhe të garantojë një zhvillim, administrim të procesit të votimit, si dhe shpallje të rezultatit, mundësisht në një ditë të vetme. Sugjerohet që votimet mundet të zhvillohen me një raund dhe formula e nxjerrjes së rezultatit përfundimtar të mos lidhet me zhvillimin e zgjedhjeve ose shpalljen e rezultatit në një njësi zgjedhore. "As proporcionali i pastër dhe as mazhoritari klasik nuk janë sisteme të përshtatshme për Shqipërinë, por janë zgjidhje ekstreme", theksoi Celibashi. Sa i takon pragut kushtetues, vlerësohet një panevojshmëri për të pasur një numër kaq të madh partish të përfaqësuara në Kuvend. "Rritja e pragut elektoral do të shërbente gradualisht si filtër për realizimin e këtij qëllimi, por ndërkohë do t‘u jepet mundësi atyre partive, të cilat edhe pse të vogla, janë afër asaj që mundet të përkufizohet si peshë reale në elektorat", parashikon drafti i propozuar nga ECA.