E Diel, 1 Nëntor 2026

Sistemi, garë edhe brenda logos partiake

Sistemi proporcional rajonal rrezikon të shpallë "luftë" brenda llojit në listat e kandidatëve për deputetë. Në rast se reforma zgjedhore do të vendosë përfundimisht modelin spanjoll, të duhurin për zgjedhjet shqiptare, do të humbasë nocioni i 100 zonave zgjedhore. Në një zone rajonale, kandidatët brenda apo jashtë partisë respektive do kërkojnë vota në "parcelat" e njëri-tjetrit, çka mund të shkaktojë konflikt mes tyre. Mjafton të mendosh se një X kandidat i një partie do duhet të vendosë posterat elektoralë në zonën ku aktualisht mund të jetë deputet kolegu i tij brenda forcës politike.

Skema

Burimet partiake sqarojnë se në një sistem proporcional rajonal, Shqipëria mund të ndahet në rreth 10 zona në total. Nëse marrim një shembull konkret, në kryeqytet mund të ketë rreth 20 vende për deputet. Renditja në listën e kandidatëve do të bëhet bazuar në numrin e atij që fiton më së shumti vota. Çka do të thotë se një kandidat do kërkojë vota në gjithë rajonin dhe jo vetëm në një hapësirë që deri dje mund të ishte zona e tij zgjedhore. Fakt ky që detyron kandidatët brenda partisë të mbledhin vota në zonat ku dominon një koleg i tyre brenda të njëjtës forcë. Kandidati X do ketë presionin e kundërshtarëve politik, por edhe të kandidaturave të tjera rajonale që garojnë nën siglën e partisë së tij. Një element tjetër ka të bëjë me angazhimin e kandidatëve në fushatën zgjedhore. Në varësi të listave dhe sistemit që do të miratohet, ekziston frika se në një listë konkrete kandidaturash gjysma e dytë e emrave nuk do motivohet për fushatë, duke parë thuajse të pamundur fitoren.

Pragu

Partitë parlamentare duket se po shkojnë drejt një konsensusi për sistemin zgjedhor spanjoll. Burimet nga komisioni i posaçëm për reformën zgjedhore sqarojnë se pas takimeve të fundit me përfaqësuesit e ODIHR-it është forcuar ideja e proporcionalit rajonal. Sakaq, mendohet se zgjidhja më e mirë për çështjen e pragut kushtetues të hyrjes në Parlament do jetë ngritja me 0.5% nga norma aktuale prej 2.5%. Kryetarët e partive të vogla janë shfaqur në publik së fundmi më të tërhequr në pozicionet e tyre krahasuar me deklaratat fillestare.

Debati

Pak ditë më parë, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë kërkuar ndihmën e ODIHR-it për të sqaruar kryetarët e partive të vogla. Të gjendur në një pozicion të vështirë në komunikimin me "të vegjlit", dyshja e komisionit për reformën, Rusmali-Islami, i janë drejtuar ndërkombëtarëve. Këta të fundit kanë marrë përsipër të bindin aleatët e socialistëve dhe demokratëve për detajet e reformës. Kryesisht përfaqësuesit e të vegjëlve janë tërhequr nga pozicioni për të mos lëshuar në kërkesën për lista të hapura të kandidatëve. Sakaq, mësohet se në këmbim të kësaj tërheqjeje "të mëdhenjtë" nuk do të kërkojnë rritje të madhe të pragut kushtetues. Duke u mjaftuar kështu me rritjen në masën 0.5% nga norma aktuale. Ndryshe nga sa u kërkua më parë për caktimin e një pragu elektoral të hyrjes në Kuvend, te masa 4%.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›