Poliçan, humbin në lojë, thyejnë kompjuterët
Humbja e një shume të konsiderueshme parash ka bërë që dy kumarxhinj të shkatërrojnë në shenjë proteste sallën e lojërave të fatit ku luanin. Një filial i kompanisë austriake "APEX" në qytetin e Poliçanit është shkatërruar gjatë mbrëmjes së të enjtes. Rreth orës 21.00, Fatos Gurri, pronar i sallës së lojërave. ka kërkuar ndihmën e policisë, pasi prona e tij është shkatërruar nga dy klientë. Ekspertët e policisë kanë gjetur pesë kompjuterë dhe tre televizorë të thyer. Pronari i kësaj salle ka akuzuar si autorë të shkatërrimit shtetasit Arben Masha, nga qyteti i Beratit dhe Valter Kanai, nga qyteti i Poliçanit. Këta persona kishin humbur 100 mijë lekë në lojë dhe kishin fajësuar pronarin.