Arrestohet sekretari i komunës me diplomë false
Një zyrtar komune në rrethin e Peqinit është arrestuar nga policia, pasi akuzohet se ka falsifikuar diplomën e shkollës së lartë. Fatos Tabaku, 38 vjeç, me detyrë sekretar i Këshillit të Komunës Shezë të Peqinit, është arrestuar pasi ka përdorur një diplomë të falsifikuar të Universitetit "Aleksandër Xhuvani" të degës Cikël i Ulët, e cila është bllokuar nga ana e policisë në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu, ky shtetas ka mundur të falsifikojë edhe dokumentet e stafit të komunës, ku për vete ka shënuar se kishte mbaruar arsimin e lartë. Agjentët e policisë kanë verifikuar regjistrat themeltarë të Universitet "Aleksandër Xhuvani", ku emri i tij nuk ka figuruar as si i diplomuar dhe as si student. Nënprefekti i Peqinit, Sokol Elezi, ka pohuar se kërkesa për verifikimin e diplomës ka ardhur nga institucioni i prefekturës dhe se do të vazhdohet në të gjitha njësitë vendore të rrethit të Peqinit. Aktualisht, 38-vjeçari ndodhet në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë së Peqinit, në pritje të hetimit për konsumimin e veprës penale të "falsifikim të dokumenteve shtetërore". Materialet e kësaj çështjeje i kanë kaluar për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Elbasanit, që do të verifikojë "burimin" e kësaj diplome false. Ndërkohë, rektori i ri i Universitetit "Aleksandër Xhuvani", Liman Varoshi, tha se është ngritur një komision i posaçëm për verifikimin e diplomave që janë lëshuar nga universiteti në vite.