E Diel, 1 Nëntor 2026

Digjet fondi 3 milionë USD për ish të përndjekurit

Digjet për të dytën herë fondi për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë. Megjithëse Partia Demokratike pati premtuar për t‘i dhënë zgjidhje këtij problemi gjatë 2007-ës, mazhoranca është treguar e pafuqishme për të zbatuar shpërndarjen e këtij fondi tek ish të burgosurit politikë. Përfaqësues të ish të përndjekurve dhe të burgosurve politikë shprehin shqetësim për djegien e fondit prej 3 milionë dollarësh në buxhetin e shtetit për vitin 2007, të vënë në dispozicion për dëmshpërblimin e tyre. Ky fond, për të dytin vit me radhë parashikohet në buxhetin e shtetit, por nuk përdoret. "Asnjë lek nuk është shpërndarë për të burgosurit politikë, por mbetemi në kuadrin e dokumentacioneve dhe zvarritjeve politike. Duhet të ishte shpërndarë që prej muajit nëntor-dhjetor kësti i parë, gjë e cila nuk ndodhi dhe mbetemi përsëri të zhgënjyer nga politika shqiptare", shprehen përfaqësuesit e ish të përndjekurve politikë. Nga ana tjetër, zyrtarë të Ministrisë së Financave kanë bërë me dije se arsyeja e mosshpërndarjes së këtij fondi është moshartimi në kohë i borderove të personave që duhet të përfitonin. Kjo detyrë i takonte Ministrisë së Financave dhe përfaqësuesve të ish të përndjekurve politikë. Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Financave, fondi është përdorur për qëllime të tjera në buxhetin e shtetit.

Ndonëse gjatë vitit që kaloi Komisioni i Ligjeve ka miratuar në parim projektligjin për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve, fondi i përcaktuar nga Këshilli i Ministrave nuk është mundur dot të shpërndahet tek ish të burgosurit politikë. Sipas këtij projektligji, ish të dënuarit politikë do të dëmshpërbleheshin për vitet e tyre të burgut me 10 milionë lekë secili. Sipas ligjit, dëmshpërblimi do të jetë i njëjtë për të gjithë. 20 mijë lekë është caktuar dëmshpërblimi për çdo ditë vuajtje dënimi të kryer në burg, spital psikiatrik, spital burgu, izolim apo në hetuesi.

Dëmshpërblimi për të dënuarit me internim, në kampet me tela me gjemba, deri në vitin 1954 do të jetë 10 mijë lekë të vjetra në ditë për secilin. Për familjarët e viktimave të ekzekutuara, sipas projektligjit, për çdo viktimë dëmshpërblimi do të jetë i barabartë me 8 vite burg. Sipas të dhënave të marra nga shoqatat e ish të dënuarve politikë, në projektligj thuhet se të pushkatuar në Shqipëri gjatë kohës së regjimit komunist janë 6027 persona. Shoqata e Ish të Dënuarve Politikë i kanë bërë të ditur qeverisë se gjatë periudhës se diktaturës komuniste kanë vuajtur dënimin si të sëmurë psikik 286 persona. Të dënuar me burgim, sipas të dhënave të shoqatave të ish të dënuarve politikë, të cilat tashmë ia kanë paraqitur edhe qeverisë, janë 16585 persona. Të vdekur në burgjet shqiptare, gjatë kohës së regjimit komunist, janë rreth 1065 persona. Këto shifra janë bërë publike nga shoqatat e ish të dënuarve politikë. Sipas një verifikimi të bërë nga Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Brendshme, për këto shifra të dhëna nga Shoqata e të Dënuarve Politikë, rezultojnë të sakta dënimet vetëm për 11 mijë persona.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›