E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani: Do shqyrtojmë ankimimet e vizave të refuzuara

Qeveria tregohet optimiste për funksionimin normal të marrëveshjes për lehtësimin e vizave për një kategori të caktuar të shqiptarëve, e cila ka hyrë në fuqi në 1 janar të këtij viti. Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, është shprehur me nota pozitive për të ardhmen e kësaj marrëveshjeje, duke besuar se në ditët në vazhdim do të shikojmë konkretisht vijueshmërinë e procedurave të kësaj pike të rëndësishme mes Shqipërisë dhe Komisionit Evropian. "Zyra e komisionerit Fratini ka lëshuar për të gjitha zyrat konsullore dhe ambasadave të vendeve të BE-së, ku standardizon procedurën për të gjitha ambasadat", tha Nishani.

Sipas tij, qeveria i ka kushtuar vëmendje të rëndësishme dy aspekteve: "së pari, respektimit të dokumenteve që kërkohen për identifikimin e qytetarëve shqiptarë, këtu e kam fjalën për certifikatat e gjendjeve civile dhe së dyti ne u kemi kërkuar strukturave të krimit ekonomik që të hetojnë të gjithë procesin për të goditur me ashpërsinë më të madhe çdo tentativë që mund të përdoret për manipulimin për lëshimin e këtyre dokumenteve, e cila do të kërkonte probleme jo vetëm për qytetarët që përfitojnë, por për të gjithë procesin".

Ankimimi

Në rast të mosrespektimit të këtyre procedurave nga ana e ambasadave, ministri Nishani ka bërë me dije se qytetarët do të mund të ankohen te zyra konsullore pranë Ministrisë së Punës së Jashtme, por edhe pranë autoriteteve të tjera shtetërore, pra edhe pranë Ministrisë së Brendshme. "Megjithatë, unë nuk kam as dyshimin më të vogël që ky proces do të ecë normalisht. Por e rëndësishme është që ky proces të ecë tek institucionet shqiptare. Ne jemi ata që duhet të tregojmë përgjegjshmëri dhe korrektësi më të madhe", tha Nishani. Ministria e Brendshme para disa ditësh organizoi një takim të gjerë me përfaqësuesit e gjendjes civile në të gjithë vendin dhe me përfaqësuesit e krimit ekonomik për të përgatitur një set të tërë të të gjithë dokumentacionit për identitetin e shtetasve shqiptarë, për t‘ua përcjellë edhe konsullatave përkatëse, në mënyrë që procesi të jetë i mbështetur nga të dyja palët, si nga institucionet shqiptare ashtu edhe nga konsullatat e huaja. Lehtësimi i vizave do të konsistojë më shumë tek ata prindër të cilët kanë prej vitesh fëmijët në emigracion. Tashmë nuk do t‘u kërkohet ai numër i madh dokumentesh për të vërtetuar, për të noterizuar, apo përkthyer, por dokumentacioni është më i paktë, është një dokumentacion që mbështetet në verifikimin e të qenit një emigrant me dokumente të rregullta dhe me vendbanim të përhershëm dhe lidhja familjare me personin në emigrim. Por, edhe për studentët nuk do të kërkohet gjithë ai dokumentacion i madh që kërkohej për të studiuar në një universitet, por thjesht duhet të paraqesin dokumentin e vazhdimit të studimeve dhe formularin e aplikimit në një universitet të posaçëm. Ndërsa gazetarët do të paraqesin vetëm dokumentin e tyre si pjesëtar të një mediaje dhe biznesmenët dokumentin e regjistrimit në një dhomë tregtie të caktuar. Akademikët duhet të paraqesin dokumentin që vërteton se ata janë profesorë në një vend të caktuar. Ish të përndjekurit politikë thjesht dokumentin e ish të përndjekurit politik. Dhe natyrisht koha e marrjes së vizës është reduktuar në 10 ditë. Pra, brenda 10 ditëve personat do të marrin përgjigjen për pajisjen me vizë. Dhe pjesa tjetër është edhe kohëzgjatja e vizës, pra nuk do të aplikohen viza afatshkurtra, por viza afatgjata dhe në rast se një shtetas ka fituar më parë një vizë të caktuar për një afat 6-mujor, në mënyrë automatike viza tjetër që përfiton do të jetë 1-vjeçare dhe në rritje progresive.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›