E Diel, 1 Nëntor 2026

Shteti, 400 mijë euro për truprojat e zyrtarëve

Janë rreth 400 mijë euro, që shteti shqiptar paguan vit për vit për të garantuar sigurinë e drejtuesve më të lartë të tij. Njëqind truprojat, që kanë marrë përsipër këtë detyrë i përkasin Gardës së Republikës dhe rezulton se mesatarisht ata paguhen rreth 35 mijë lekë për person në muaj. Lista e punonjësve të Gardës së Republikës ka qenë edhe më e gjatë, më shumë se 200 veta, por me ndryshimin e pushteteve, me vendim qeverie, ky numër u përgjysmua.

Megjithatë, ligji për Gardën e Republikës përcakton ruajtjen dhe mbrojtjen e zyrtarëve të lartë, prej Presidentit të Republikës, deri te ish-kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror. Por, jo vetëm kaq. Në të njëjtën kohë, Garda e Republikës merr në mbrojtje edhe rezidencat presidenciale, të Kuvendit dhe të Këshillit të Ministrave dhe sërish nuk mbaron këtu. Me vendim të Këshillit të Ministrave, Garda e Republikës ruan edhe banesat e VIP-ave shqiptarë, duke rritur në mënyrë të ndjeshme numrin e efektivëve, të cilët vihen në përdorim për sigurinë e tyre.

Nga të dhënat zyrtare të Ministrisë së Brendshme, pagat e punonjësve të Gardës së Republikës në sektorin e ruajtjes dhe sigurisë së personaliteteve shtetërore, variojnë nga 30 mijë lekë deri në 50 mijë lekë. Kështu, një punonjës bazë i Gardës së Republikës përfiton rrogë minimale dhe oficerët, apo drejtuesit e grupeve të sigurisë përfitojnë rrogë maksimale. Në këtë kontekst, shtetit shqiptar i kushton më shumë se 30 mijë euro çdo muaj për të paguar njëqind truprojat e eskortës së personaliteteve të larta shtetërore, pa përfshirë këtu punonjësit e Gardës së Republikës, me detyrë ruajtjen e banesave të këtyre personave VIP. Ndërkohë, nga llogaritja vjetore rezulton se truprojat e Gardës së Republikës i kushtojnë shtetit shqiptar rreth 400 mijë euro. Sipas ligjeve në fuqi, veç Presidentit, Kryeministrit dhe Kryetarit të Kuvendit, Garda e Republikës ruan dhe mbron me eskortë Prokurorin e Përgjithshëm dhe ministrin e Brendshëm, zëvendëskryeministrin, kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, kryetarin e Gjykatës së Lartë, kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit dhe kryetarin e mazhorancës parlamentare, Garda e shoqëron me oficer e nënoficer shoqërues. Nënoficer shoqërues ka edhe për zv/kryetarët e Kuvendit. Gjithashtu, të gjithë ministrat e kabinetit qeveritar kanë në dispozicion nga një shofer shoqërues. Ndërsa kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe kreu i partisë më të madhe të opozitës dhe ai i mazhorancës kanë në dispozicion nga një oficer shoqërues. Ndërkohë, truprojat e Gardës së Republikës kryejnë detyra edhe për ish-zyrtarët për një afat të caktuar kohor, sipas vendimeve të veçanta të Këshillit të Ministrave.

Garda

Siguria e banesave të zyrtarëve

Garda e Republikës së Shqipërisë ruan dhe mbron banesat e personaliteteve të larta shtetërore të vendit, selitë, rezidencat dhe objektet e tjera shtetërore. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, nën mbrojtjen e Gardës së Republikës janë edhe banesat e personaliteteve të larta shtetërore, në funksion, të Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, zëvendëskryeministrit, Prokurorit të Përgjithshëm dhe ministrit të Brendshëm.

Viti 2006, Këshilli i Ministrave përgjysmoi shoqëruesit e sigurisë

Me vendimin e qeverisë, i cili shfuqizoi dy vendime të tjera të vitit 2004 dhe 2005, u përgjysmuan punonjësit e sigurisë së personave VIP

Pak kohë pas ndryshimit të pushteteve në vitin 2005, qeveria paralajmëroi se do të përgjysmonte punonjësit e Gardës së Republikës, të cilët merreshin me ruajtjen dhe sigurinë personale të zyrtarëve apo ish-zyrtarëve të lartë të shtetit shqiptar. Kjo deklaratë u bë nga Kryeministri aktual, i cili, sipas tij, sapo kishte mësuar se për sigurinë e tij ishin punësuar 24 punonjës të Gardës së Republikës. Ndërkohë, "premtimi" i tij u realizua një vit më parë. Me një vendim të Këshillit të Ministrave, i cili shfuqizoi dy vendime të tjera, të vitit 2004 dhe 2005, pothuajse u përgjysmuan punonjësit e sigurisë së personave VIP. Veç këtyre, vendimi uli edhe afatin kohor të ish-zyrtarëve të lartë, të cilët ruhen nga Garda e Republikës edhe pas përfundimit të mandatit të tyre. Madje, që nga ky vendim, ish-presidenti nuk ka eskortë për katër vite, por vetëm për tre. Qeveria aktuale i ka ulur një vit sigurinë ish-kreut të shtetit, duke ndryshuar një vendim të saj. Gjithashtu, me vendimin e fundit të qeverisë për sigurinë e personaliteteve të larta shtetërore, Garda e Republikës do të ruajë dhe mbrojë Prokurorin e Përgjithshëm dhe ministrin e Brendshëm, me eskortë, zëvendëskryeministrin, kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, kryetarin e Gjykatës së Lartë, kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit dhe kryetarin e mazhorancës parlamentare, me shoqërim, me oficer e nënoficer shoqërues. Nënoficer shoqërues ka edhe për zv/kryetarët e Kuvendit. Të gjithë ministrat e kabinetit qeveritar do të kenë në dispozicion nga një shofer shoqërues. Kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe kreu i partisë më të madhe të opozitës dhe ai i mazhorancës do të kenë në dispozicion nga një oficer shoqërues. Gjithashtu, selitë e institucioneve shtetërore mbrohen nga Garda e Republikës. Po kështu, të njëjtën mbrojtje përfitojnë edhe banesat e disa prej ish-zyrtarëve, ku mes të cilëve përfshihen ish-presidentët, ish-kryetarët e Kuvendit dhe ish-kryeministrat.

LIGJI

Çfarë ruan e siguron

Garda e Republikës

Garda e Republikës siguron ruajtjen e mbrojtjen në objekte edhe gjatë veprimtarive, ku marrin pjesë Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, grup personalitetesh dhe pjesëtarë të delegacioneve të huaja. Garda organizon ruajtjen e mbrojtjen e personaliteteve në lëvizje në këmbë, në makinë dhe çdo mjet tjetër transporti tokësor, detar e ajror. Me praninë e tij dhe forcërisht, deri edhe në përdorimin e armëve, Garda kundërshton dhe pengon që veprimet kriminale e terroriste të mos arrijnë te personaliteti. Ajo siguron mjediset në të cilat ndodhet personaliteti, në rastin më të mirë, dhomën e sigurisë dhe organizon evakuimin e tij në rast rreziku. Garda kryen ceremonialet me truproja nderi, sipas përcaktimit që bëhet në Protokollin e Shtetit.

Siguria

Rezidencat shtetërore që janë në mbrojtje

Shumë prej selive të institucioneve shtetërore mbrohen nga Garda e Republikës. Burimet nga kjo e fundit bëjnë me dije se një veprim i tillë kryhet prej vitesh, por me ndryshimet e bëra, të njëjtën mbrojtje përfitojnë edhe banesat e disa prej ish-zyrtarëve, ku mes të cilëve përfshihen ish-presidentët, ish-kryetarët e Kuvendit dhe ish-kryeministrat. Sipas të dhënave zyrtare, mbrojtje nga Garda ka për rezidencat ku zhvillojnë veprimtari personalitetet e larta shtetërore. Konkretisht, disa prej tyre janë Vila 4, Vila 30, Vila 31 dhe Pallati i Brigadave në Tiranë. Të njëjtën mbrojtje përfitojnë edhe dy vila në Dajt, gjashtë vila rezidenciale në Durrës, pesë në Pogradec dhe katër vila në Vlorë, të cilat konsiderohen si pronë e shtetit. Të gjitha këto rezidenca ruhen nga shërbimet e Gardës së Republikës 24 orë pa ndërprerje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›