E Diel, 1 Nëntor 2026

Disa mendime për reformën në drejtësi

Jo vetëm nga perceptimet e opinionit publik apo rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare, por edhe prej vetë aktorëve që veprojnë brenda pushtetit gjyqësor, përfshirë edhe gjyqtarët, reforma e sistemit të drejtësisë është parë e shihet si domosdoshmëri. Ajo duhet të synojë në rritjen e efektivitetit të punës së organeve të drejtësisë në tërësi dhe gjykatave në veçanti, në përmirësimin e transparencës dhe cilësisë në dhënien e drejtësisë, duke luftuar njëanshmërinë apo korrupsionin.

Objektivi afatmesëm duhet të synojë realizimin në praktikë të standardeve të vendosura në ligj dhe forcimin e besueshmërisë së publikut tek organet e drejtësisë. Objektivi afatgjatë duhet të jetë përsosmëria e sistemit, për të cilin edhe vendet me demokraci shumë të zhvilluar, nuk rreshtin së punuari. Një ndër ligjet më kryesore që duhet të japë ndikimin e tij pozitiv në arritjen e këtyre objektivave është padyshim edhe ligji "Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë".

Pas shqyrtimit në Komisionin e Ligjeve, ditët në vijim, Parlamenti Shqiptar do të përqendrohet në diskutimin e miratimin e këtij ligji. Nga debatet që shoqëruan shqyrtimin në komision, si dhe nga përmbajtja e projektligjit, rezulton se janë bërë përpjekje për ndryshime thelbësore, krahasuar me ligjin aktual.

Projektligji "Për organizimin e pushtetit gjyqësor" ka bërë përmirësime të ndjeshme në drejtim të përcaktimit të mënyrës së organizimit e funksionimit të gjykatave, duke parashikuar për herë të parë krijimin e gjykatave administrative dhe suprimuar ato ushtarake; ka saktësuar kushtet dhe kriteret për emërimin, transferimin dhe karrierën e gjyqtarëve; ka përcaktuar për herë të parë mënyrën e emërimit të kryetarëve të gjykatave, si dhe ka forcuar rolin dhe përgjegjësinë e tyre në mirëfunksionimin e punës në gjykatë.

Megjithatë, mendoj se në këtë projektligj, ka vend për përmirësime me qëllim që pas hyrjes në fuqi ligji të ndikojë realisht në vendosjen e standardeve më të përparuara për pushtetin gjyqësor, si dhe për hedhjen e pikave për përmirësimin e një sërë ligjesh të tjera që lidhen më sistemin e drejtësisë. Prandaj, kam mendimin se projektligji i sipërcituar nuk ezauron tërë problematikën e kërkuar për reformimin e pushtetit gjyqësor. Përkundrazi, puna e filluar duhet të vazhdojë edhe gjatë periudhës që në Parlament do të debatohet projektligji "Për organizimin ë pushtetit gjyqësor", me qëllim përsosjen e mëtejshme të tij, madje do të ishte me shumë vlerë që fryma e debatit konstruktiv dhe konsensusi i arritur të vazhdojnë më tej, me synimin që të përmirësohet i tërë sistemi ligjor, mbi të cilin mbështetet dhe vepron pushteti gjyqësor.

Por le të ndalemi fillimisht te projektligji, sipas variantit të botuar në shtyp, më 6 shkurt 2008.

Projektligji ka titullin "Për pushtetin gjyqësor në Republikën e Shqipërisë", por as në objektin e tij dhe as në dispozitat në vijim nuk përcaktohet qëllimi i ligjit, në përputhje me parimin e njohur të pavarësisë dhe balancimit të pushteteve. Gjithashtu, në këtë projektligj, ndryshe nga sa pritej, nuk parashikohet mënyra e qeverisjes së pushtetit gjyqësor, trajtimi i duhur financiar i gjyqtarëve, mënyra e caktimit dhe e administrimit të buxhetit gjyqësor. Paqartësi ka edhe në kriteret për ngritjen në detyrë dhe dhënien e masave disiplinore.

Prandaj, mendoj se së pari, në këtë projektligj duhet të sanksionohet dhe të gjejë efektivisht vendin e tij parimi kushtetues i pavarësisë së pushtetit gjyqësor dhe i balancimit e ndarjes së pushteteve.

Së dyti, nuk reflektohet si e sa duhet në këtë projektligj vendi dhe roli i KLD-së në pushtetin gjyqësor, si organ i qeverisjes së gjyqësorit dhe si institucion kushtetues. Jo vetëm që kjo duhet realizuar, por mendoj se duhet të parashikohen dispozita që do të sillnin realisht edhe mundësinë e këtij organi në kryerjen e funksionit kushtetues. Është momenti që KLD-ja, të ketë të përcaktuar në ligj të drejtën dhe të marrë përsipër përgjegjësinë e administrimit të buxhetit gjyqësor, në përputhje me parashikimin e nenit 144 të Kushtetutës, që përcakton se "gjykatat kanë buxhet të veçantë, të cilin e administrojnë vetë. Ato e propozojnë buxhetin e tyre sipas ligjit".

Megjithëse kjo dispozitë kushtetuese pasqyrohet në nenin 39, projekti i shqyrtuar në Komisionin e Ligjeve nuk specifikon se si do të administrohet, por as edhe e drejta e pushtetit gjyqësor për të propozuar buxhetin e tij. Dihet se ligjet dalin në zbatim të Kushtetutës dhe nuk mund të cungojnë dispozitat e saj, por duhet të zbërthejnë detajojnë parimin që ajo përcakton.

Së treti, në projektligj jo vetëm nuk shmangen kontradiktat institucionale lidhur me ekzistencën e funksionimit të dy inspektorateve të kontrollit, por është lënë tërësisht në hije inspektorati pranë KLD-së dhe garancitë për gjyqtarët që dëshirojnë të punojnë këtu. Ndërkohë, një gjë e tillë është parashikuar në nenin 29 për gjyqtarët që shërbejnë në Ministrinë e Drejtësisë. Të jetë harresë apo nënvlerësim?! Mendoj se ligji duhet të parashikojë ekzistencën dhe funksionimin e të dy inspektorateve të kontrollit, por kompetencat dhe detyrat e tyre duhet të jenë tërësisht të ndara. Lidhur me kontrollin mbi gjyqësorin, përparësi duhet të ketë inspektorati pranë KLD-së, ndërsa inspektorati pranë Ministrisë së Drejtësisë mund të ketë sferë shumë të ngushtë kontrolli, kryesisht në administratën gjyqësore, mbi punën e kancelarit dhe kryetarit të gjykatës (në këtë funksion) dhe ndoshta edhe për administrimin formal të çështjeve gjyqësore. Ndërsa lidhur me kontrollin mbi institucionet e tjera të zbatimit të ligjit, si mbi organin e prokurorisë dhe përmbarimin gjyqësor apo mbi profesionet e lira, detyrat e inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë duhet të jenë shumë më të gjera dhe të kryhen më efektivisht sesa deri më sot.

Me qëllim që kontrolli i inspektorateve dhe posaçërisht i atij pranë KLD-së të jetë cilësor dhe efektiv, në projektligjin "Për pushtetin gjyqësor" duhet të përcaktohen kritere rigoroze për emërimin e inspektorëve, për vlerësimin e punës së tyre, duke referuar tek ato të parashikuara për gjyqtarët, si dhe të parashikohen garanci bindëse për karrierën pas mbarimit të mandatit. Ligji aktual dhe praktika e derisotme për punën dhe karrierën e inspektorëve nuk kanë qenë edhe aq atraktivë për gjyqtarët e karrierës, që të konkurronin për këtë detyrë. Nëse do të pranohej ky propozim, atëherë nuk ka kuptim parashikimi i të drejtës për të iniciuar procedimin disiplinor vetëm për ministrin e Drejtësisë, duke ia kaluar atë Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Së katërti, mendoj se me gjithë përpjekjet e bëra, dispozitat e parashikuara në "Kartën Evropiane mbi statusin e gjyqtarit", nuk janë reflektuar sa duhet. Në mënyrë të veçantë, në këtë ligj nuk garantohen në atë shkallë që parashikon Karta paga dhe shpërblimet mbi pagë, si dhe mbrojtja sociale e gjyqtarëve. Sipas Kartës, në ligjin për pushtetin gjyqësor, duhet të përcaktohet e drejta "për një pagë, niveli i së cilës të jetë i tillë, sa t‘i mbrojë gjyqtarët nga presionet dhe ndërhyrjet që synojnë të influencojnë vendimet e tyre, duke dëmtuar paanësinë dhe pavarësinë".

Kriteri i parashikuar në këtë projektligj, nuk sjell asgjë të re dhe është shumë larg nivelit të sipërcituar, madje ka diferencë shumë të thellë mes pagave të gjyqtarit të shkallës së parë dhe atyre të Apelit, nuk parashikohet shpërblim mbi pagë për vështirësi pune etj.

Veç sa më sipër, në këtë ligj duhet të parashikohet e drejta për shpërblim apo për përballimin nga buxheti gjyqësor i shpenzimeve të nevojshme për gjyqtarët që emërohen ose transferohen larg vendbanimit të tyre, si shpenzimet për udhëtim ose ato për qiranë e banesës, e drejta për pagesë të përkohshme për bashkëshortin/en që mbetet pa punë, si rrjedhojë e këtij transferimi apo emërimi etj. Hollësitë mund të rekomandohen në ligj, që të rregullohen me ligj të veçantë, por është e domosdoshme që të parashikohet si e drejtë.

Së pesti, mendoj se masa disiplinore e propozuar në nenin 33/c "Gjobë deri në 200 000 lekë, jo vetëm që cenon parimin kushtetues për mosprekjen e pagës së gjyqtarit, por edhe vlera e propozuar është e papërballueshme. Nëse kjo masë disiplinore nuk do të hiqet gjatë debatit në Parlament, mendoj se masa e gjobës duhet t‘i referohet pagës mujore deri në një të dytën e saj, si dhe kohëzgjatja e shlyerjes. Po kështu, i paqartë dhe jo i saktë është edhe neni 12, sipas të cilit, për t‘u emëruar në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda kriteri është puna 5 vjet në gjykatat e shkallës së parë.

Në këtë mënyrë nuk bëhet vlerësimi për punën e gjyqtarëve në Gjykatën e Shkallës se Parë për Krime të Rënda, krahasuar me atë në gjykatat e rretheve gjyqësore. Një parashikim i tillë do të sjellë atë situatë që ka ndodhur këtë periudhë, që një pjesë e gjyqtarëve të shkallës së parë të rretheve gjyqësore as nuk konkurrojnë për t‘u emëruar në Gjykatën e Shkallës së Parë, por vetëm në atë të Apelit për Krime të Rënda.

Nga ana tjetër, mendoj se garancitë që parashikon ligji "Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave për Krime të Rënda", përfshirë edhe mandatin 9-vjeçar të qëndrimit në këtë detyrë, nuk mund të interpretohen si deri tani, si kufizim për karrierën e gjyqtarëve të kësaj gjykate. Jo vetëm kaq, por mendoj se për t‘u emëruar gjyqtar në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, vjetërsia në punë në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda duhet të jetë e ndryshme nga ajo e gjyqtarëve të gjykatave të rretheve gjyqësore, madje emërimi i tyre duhet të ketë përparësi.

Konstatimet e mësipërme mendoj se do të nxisin edhe kolegët dhe subjekte e tjera që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në sistemin e drejtësisë, për të shfaqur mendime që do të ndihmonin në përmirësimin e projektligjit "Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë". E vlerësoj pozitivisht punën e nisur për reformimin e sistemit të drejtësisë dhe mendoj se në ditët në vijim projektligji do të përmirësohet më tej dhe se reforma nuk do të ndalet këtu, por do të vazhdojë me ndërhyrje të thella edhe në ligje të tjera, që rregullojnë tërë veprimtarinë e sistemit të drejtësisë, me synimin e arritjes së standardeve të kërkuara për pushtetin gjyqësor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›