Proevropianët, reforma dhe Tadiç
Një ditë pas fitores së Tadiçit në zgjedhjet presidenciale, nga Brukseli në qeverinë e Serbisë ka mbërritur teksti i marrëveshjes politike për bashkëpunim me BE-në. Zyrtarët evropianë, të ngazëllyer nga fitorja e kandidatit për të cilin kishin vënë bast dhe pa hamendje thonë se është proevropian, i nisin tashmë me lehtësi edhe vendimin e anëtarëve të Bashkimit Evropian për të dërguar misionin evropian në Kosovë.
Pra, edhe pse zyrtarizohet evropianizimi i Kosovës, sa mund të vlejë sikur Tadiç të jetë proevropian kur MSA-në nuk është i gatshëm ta firmosë Kryeministri Koshtunica, ndërsa vendimi për misionin evropian tashmë ka hallakatur gjithë klasën politike të Serbisë, që tashmë është deklaruar se nuk është proevropiane.
Kosova proevropiane
Për shkak të rrethanave historike, klasa politike e Kosovës kurrë nuk kishte ndonjë oreks të veçantë për Evropën dhe besimin evropian. Ndërsa po shpërbëhej Jugosllavia, ndikimi evropian në zgjidhjen e krizave ishte mjaft i zbehtë dhe pa rezultate. Refreni i përsëritur nga Presidenti Rugova, "për miqësinë e përhershme me SHBA-në dhe NATO-n" dhe afrimin sa më të madh me Vatikanin, ishin fakte që mbështeteshin edhe nga kundërshtarët politikë të LDK-së. Në këtë botë nuk kishte mbetur më askush që do të mbështeste shqiptarët e Kosovës, ndërsa mënyra e shkëputjes së Sllovenisë e më pas, edhe Kroacisë, dhe gjithçka çfarë po ndodhte në Bosnjë e Hercegovinë po vuloste gjithnjë e më shumë të gjitha ato që SHBA-ja, NATO dhe Vatikani mund të bënin për pavarësinë e Kosovës.
Edhe paraqitja e UÇK-së nuk kishte të bënte me asgjë evropiane, madje te shumë ushtarë të lirisë mund të vëreheshin shenja të ndryshme amerikane, ku nuk dallonte aspak nga veçoritë e një marinsi amerikan. Situata e pasluftës në Bosnjë dëshmoi se nuk mjafton që në flamurin shtetëror të vësh ngjyrën dhe ca flamuj që të kujtojnë Evropën dhe të ardhmen në këtë pjesë të botës, edhe pse mendohej e më vonë dhe u instalua misioni evropian. Në Kosovë, situata ishte edhe më e rëndë, sepse nga Evropa kjo ishte tradhtuar rëndshëm dy herë. Për t‘u kthyer qytetarëve shqiptarë të Kosovës besimin evropian, duhej edhe shumë punë për t‘u bërë, sepse nuk mjaftonin vetëm uniformat e shteteve evropiane që kujdeseshin për paqen dhe sigurinë në tokën kosovare, e që ishin në kuadër të misionit paqësor të NATO-s.
Pra, një ushtar i një shteti evropian, shihej vetëm si ushtar i NATO-s, i asaj që kishte çliruar Kosovën së bashku me UÇK-në, ndërsa BE-ja, që përpëlitej me Malin e Zi dhe Serbinë, ishte histori më vete. Me rritjen e ndikimit të shteteve të forta evropiane në BE, edhe ky organizëm u bind se çështja e Kosovës duhet të përmbyllet sa më shpejt dhe atë çfarë çdo ditë e trumbetonte Uashingtoni, filloi ta bëjë edhe Brukseli. Përveç BE-së ishin edhe liderët politikë kosovarë, që fjalorit të tyre politik i shtuan edhe integrimin evropian të Kosovës, i cili nuk ngjiste aspak tek elektorati. Në takimin e fundit të Këshillit të Ministrave të BE-së, kosovarët e kuptuan se zhvendosja e çështjes së Kosovës nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së në Bruksel tashmë u bë edhe realitet. Angazhimi më i madh evropian i çështjes së Kosovës u konfirmua edhe nga vendimi i fundit i BE-së për të dërguar një mision në Kosovë, me qëllim të zëvendësimit të atij të OKB-së dhe zbatimit të planit të Ahtisarit, por nuk duhet harruar edhe kthimin e besimit evropian në Kosovë.
Proevropianët, Tadiç dhe Serbia
Në Serbi kemi një situatë krejtësisht të ndryshme. Kemi Evropën që kurrë nuk e ka tradhtuar Serbinë, Tadiçin, që nga Evropa konsiderohet si proevropian dhe rreth 50% të qytetarëve serbë që publikisht janë shprehur kundër Evropës.
Për dallim nga Kosova, ku Evropa mund ta përfitojë dashurinë vetëm duke e pranuar pavarësinë, te qytetarët serbë, çmimi është paksa më i lartë. Evropa duhet ta kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, duhet të luftojë për të drejtat e serbëve në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe t‘i tërheqë veshin Përfaqësuesit të BE-së që vepron atje, të mos trazojë jetën e serbo-boshnjakëve, pa harruar edhe të drejtat e serbëve në Kroaci. Pas gjithë këtyre angazhimeve evropiane, qytetarëve të Serbisë u duhet injektuar edhe një ide antiruse, në mënyrë që serbët dhe Kryeministri i tyre, Vojisllav Koshtunica, të fillojnë të mendojnë për fillimin e bashkëpunimit me Brukselin zyrtar. Në fund, kemi edhe skenarin më të tmerrshëm, që është shumë lehtë i realizueshëm nga proevropianët, Tadiç dhe Serbia.
Edhe pse nuk dihet sa do të vazhdojë mospranimi i shtetit më të ri të Evropës Juglindore nga ana e Serbisë, tashmë nuk dihet sa do të vazhdojë edhe zvarritja e ditës së shpalljes së pavarësisë. Shumë zgjedhje në Serbi zvarritën negociatat, edhe kur ato kryesoheshin nga kryenegociatori ndërkombëtar për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari dhe Trojka Evropiane, dhe nuk është ndonjë çudi e madhe, sikur edhe sot, me kërkesën e proevropianit Tadiç dhe për hir të paqes e stabilitetit në rajon, Brukseli të plotësojë kërkesat e Presidentit të sapozgjedhur të Serbisë dhe të shtyjë edhe ca shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Këtë e konfirmon edhe deklarata e fundit e shefit të diplomacisë evropiane, Havier Solana, i cili një ditë pas fitores së Tadiçit, theksoi se "vendimi për pavarësinë e Kosovës nuk duhet të merret pas një periudhe të gjatë kohore, por për stabilitetin në Ballkan duhet pritur ende".
Urojmë që SHBA-ja të mos e dëgjojë Brukselin, Beogradin dhe Tiranën, që në planet e tyre mendojnë vetëm për parulla integruese dhe jo për integrimin. Bashkimi Evropian duhet të bëhet më evropian dhe jo "kopil evropian"…