E Diel, 1 Nëntor 2026

Ne pritje te anetaresimit ne NATO

Anëtarësimi në NATO e në BE, përpara se të jetë një objektiv strategjik i vendeve të Ballkanit Perëndimor, është në të vërtetë një objektiv strategjik i vetë NATO-s e vetë BE-së. Zgjerimi i këtyre organizmave, strukturave e realiteteve ndërkombëtare, mund të vihet në diskutim kur vjen puna të flitet për vende që janë përtej kufijve të jashtëm të BE-së e të NATO-s (në këtë rastin e fundit, kufijtë janë ndërkontinentalë), por nuk mund të vihet hiç në diskutim kur është fjala për Kroacinë, Serbinë, Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë e Shqipërinë, të cilat ose janë pjesë organike e Evropës së Bashkuar në planin historik e gjeografik, ose janë një "hinterland" i zbuluar brenda hapësirës së mbrojtur prej strukturave të sigurisë të Paktit të Atlantikut Verior. Është e qartë pra, se është në interesat vitale të BE-së e të NATO-s, që të injorojë prapambetjen e Ballkanit Perëndimor nga njëra anë në planin politik e kulturor, e nga ana tjetër në planin e begatisë e të mbrothësisë ekonomike.

Në një farë kuptimi, edhe sikur ne të mos duam të bëhemi pjesë e BE-së dhe e NATO-s, do të jenë këto të fundit që do të na thëthijnë me hir, me pahir brenda vetes. Është mjaft të shohim atë që po ndodh në Serbi dhe reagimet që vinë nga Brukseli për t‘u bindur se janë në radhë të parë zyrtarët e lartë të kryeqytetit euroatlantik ata që kërkojnë me domosdo ta mbajnë Beogradin të lidhur pas trenit të tyre. Me siguri, shumica e serbëve janë të idhnuar me Evropën e me Amerikën, e në këtë kuptim, sikur të varej prej tyre, nuk do të mendoheshin dy herë për ta hedhur poshtë idenë e anëtarësimit në këto dy struktura "anti-serbe" par excellence. Por BE-ja e NATO bëjnë sikur nuk i vënë re këto qasje. E njëjta gjë do të ndodhte edhe në rastin, kur qasje të tilla anti-NATO e anti-BE do të viheshin re në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë.

"Kush përpiqet të përfytyrojë një Evropë pa vendet e Ballkanit Perëndimor", shprehet Romano Prodi në një libër të sapopublikuar me titull ‘La mia visione dei fatti‘, "dëshmon se ka një vizion miop të projektit evropian". Dhe këtë nuk e mendon e nuk thotë vetëm Prodi. Deri para disa vitesh, teksa në Ballkanin Perëndimor nuk kish marrë fund ende kahsapana e përgjakshme, qarqet vendimmarrëse të Brukselit e shtynin shumë në kohë idenë e evropianizimit të kësaj pjese të Ballkanit. Por tashti, ky është një objektiv që nuk mund të shtyhet gjatë. Nëse këto vende do të liheshin për një kohë të gjatë jashtë BE-së e NATO-s, Ballkani Perëndimor do të vijonte të mbetej një gjenerator krizash e destabiliteti, gjë që Evropa nuk do ta dëshironte në radhë të parë në emër të interesave të veta. Në botën e sotme globale mund të shihet si i frikshëm (me plot të drejtë) çdo vatër destabiliteti, sado larg të jetë kjo vatër. Eshtë e kollajtë në këto rrethana të kuptosh merakun e evropianëve mbi destabilitetin e Ballkanit Perëndimor, i cili mund të kondicionojë në një mijë mënyra jetën e banorëve të kontinentit të vjetër.

Përveç kësaj, edhe kur bëjnë llogaritë e kostove që duhen paguar në emër të integrimit evropian të vendeve ballkanike, evropianët nuk kanë arsye të alarmohen. Në terma financiarë, ndërhyrja e kontributi i Evropës së Bashkuar me synimin për të evropianizuar Ballkanin janë më pak se modeste, dhe kjo bëhet e qartë kur mendon se e gjithë zona e Evropës Juglindore përbën vetëm 1% të GDP-së së BE-së. Siç shihet, ngado që t‘i vish rrotull këtij argumenti, merr vesh dy gjëra. Së pari, BE është e interesuar në vetë të parë për evropianizimin e Ballkanit, e së dyti, kostoja që duhet të paguajë BE-ja në këtë proces është e papërfillshme. Pengesë mbeten vetëm sentimentet e mentalitetet ksenofobike të një numri qytetarësh të BE-së. Por sipas të gjitha gjasave, kjo pengesë do të jetë gjithmonë e më pak problematike. Si ilustrim në këtë rast do të shërbente fakti, që qëndrimi evropian ndaj emigrantëve ballkanas nuk është më ai i qëmotshmi. Gjërat kanë ndryshuar. E do të vijojnë të ndryshojnë në të mirë të një imazhi më pozitiv të ballkanasve.

Por le të kthehemi tek anëtarësimi në NATO, i cili përbën një ngjarje të pritshme për ne shqiptarët. Edhe në rast se summit-i i Prillit do t‘i thotë jo Shqipërisë, nuk do të kishim arsye ta përjetonim si një dramë të madhe. Ky është tanimë një proces që do të mbyllet shumë shpejt. Është - duhet ritheksuar kjo gjë - vetë NATO e interesuar për këtë anëtarësim. Për këtë arsye duhet besuar se summit-i i Prillit nuk do t‘i thotë "jo" Shqipërisë. E nëse do të jetë kështu, kemi të bëjmë me një ngjarje të gëzueshme për të gjithë shqiptarët.

Vlerën e rëndësinë e kësaj ngjarjeje dikush mund ta shohë te fakti, që Shqipëria bëhet më në fund pjesë e strukturës më kolosale të sigurisë në historinë e njerëzimit. Dhe afërmendsh, nuk është gabim ta shohësh edhe në këtë mënyrë. Por rëndësia më e madhe qëndron gjetkë. Anëtarësimi në NATO të jep një status të ri e të bën vetvetiu më ndjellës, më të pranueshëm e më imponues. Dua të them se ky anëtarësim i bën të tjerët të na shohin me më shumë seriozitet. Dhe te "të tjerët", duhen futur në radhë të parë investitorët e huaj. Këta të fundit, ndërsa janë duke gjurmuar e kërkuar tregje, përpara se të ndillen nga garancitë e dhëna prej faktorëve lokalë e nga strategjitë gjithashtu lokale të thithjes së investitorëve, ndillen praktikisht prej garancive të ofruara prej ca faktorëve më të epërm. Dhe NATO është pa diskutim një faktor i tillë. Të kuptohemi, ky anëtarësim në vetvete nuk mund të bëjë magjira, por kemi të bëjmë sigurisht me një patentë të mirë besueshmërie.

Ka edhe një avantazh tjetër në këtë mes. Duhet shpresuar që anëtarësimi në NATO ta bëjë më të përgjegjshme klasën politike shqiptare; duhet shpresuar pra që politikanët shqiptarë ta ndiejnë këtë anëtarësim të mundshëm e të pritshëm si një presion më shumë në të mirë të korrektimit të sjelljes së saj. Klasa politike shqiptare pas kësaj nuk mund t‘i lejojë vetes luksin e sherreve idiote të derisotshme, të cilat nuk kanë mundësuar ngritjen e një sistemi efektiv qeverisjeje, ngritjen e një shteti funksional të së drejtës, ndërtimin e një demokracie gjenuine. Në fund të fundit, politikanëve shqiptarë në rrethanat e reja nuk do t‘u falet sjellja banditeske në fushatat elektorale, e cila është shoqëruar e finalizuar me grabitje votash e me kontestime zgjedhjesh, rrjedhimisht me qeveri e me mazhoranca jo plotësisht legjitime e autoritare. Duhet uruar të jetë kështu.

Por fillimisht duhet uruar që të anëtarësohemi në NATO.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›