Ditë më të këqija paskëtaj do të vijnë
Në foton më lart tregohet teksti i historisë së Himarës, i botuar në faqen zyrtare të Bashkisë Himarë. Ky tekst është punuar në shqip nga një farë Jorjis Zahos. Këtu, Gjergj Kastrioti quhet Jorgji Kastrioti, ndërsa i biri i tij, Gjoni, quhet Jani. Ky nuk është një zbulim i gazetës "Shqip", pasi është trajtuar edhe më herët në media. Por nuk është e tepërt ta risjellim edhe njëherë në vëmendje këtë fakt, që flet shumë për çka po ndodh sot e katër vjet në Himarën e qeverisur nga "Omonia".
Shumëkush mund të thotë se deformimi i emrit të heroit tonë kombëtar, në një faqe interneti jo fort të klikuar, nuk ua bën jetën më të vështirë himarjotëve.
Por, nga ata njerëz, të cilët nuk e kanë për gjë të luajnë me simbolet më të shtrenjta të shqiptarëve, nuk mund të presim se do të tregohen më të matur kur të prekin edhe të drejtat e tyre më konkrete se krenaria kombëtare.
Në vjeshtën e vitit 2006, kur Vasil Bollano ishte në fund të mandatit të parë si kryetar bashkie, gazeta "Shqip" denoncoi bllokimin e pasaportizimeve për jabanxhinjtë joortodoksë, që në zhargonin e greqishtfolësve të Himarës quhen "turq". Kryebashkiaku vendoste vetë për çdo kërkesë për pasaportizim në Himarë, edhe pse kjo është një e drejtë ekskluzive e Zyrës së Gjendjes Civile. Strukturat e qeverisë shqiptare reaguan në atë kohë me ca deklarata zyrtarësh të vegjël. Nisën në Himarë një grup ekspertësh për të verifikuar situatën, por asgjë nuk ndryshoi. Pak gjasa ka që të ndryshojë diçka edhe tani, kur gazeta po denoncon një tjetër bëmë të qeverisjes së "Omonia"-s në Himarë: heqjen e tabelave rrugore në gjuhën shqipe.
Brenda Himarës, opozita politike nuk ekziston. Kreu i PD-së në këtë qytet, na sqaronte dje se partia po ndjek një "strategji" të re opozitarizmi me PBDNJ-në. "Po u lëmë hapësira që të gabojnë, në mënyrë që pastaj të mund t‘i ballafaqojmë me gabimet e tyre", tha Savo Prifti, partia e të cilit, në shkurt të vitit të shkuar, ndihmoi në fitoren e Bollanos.
Strategjitë kundër greqizmit të Himarës nuk ekzistojnë as në qarqet politike të Tiranës, ku supozohet se ka më tepër pjekuri e më shumë vizion. Përkundrazi, duket se ka një tendencë për të mos e ndryshuar situatën në atë vijë të mrekullueshme bregdeti, ku grekët qeverisin edhe pse nuk kanë shumicën. Sistemi me një raund i zgjedhjeve vendore nuk ka kurrfarë "dobie" tjetër përveç ruajtjes së pushtetit të "Omonia"-s në Himarë. Vetëm një sistem i tillë, që lejon ushtrimin e pushtetit, pa marrë shumicën e votave, mund të bëjë kryetar Vasil Bollanon, i cili në rastin më të mirë, me mbështetjen e PD-së, arriti të merrte 49,16 për qind të votave.
Për sa kohë qëndrimi i politikës shqiptare do të jetë ky që është, Bollano nuk do të ketë nevojë as për numërim popullsie me vetëdeklarim, as për shpallje të Himarës "zonë minoritare". Ai do të shkulë sa herë të dojë tabela e njerëz nga Himara.
Për sa kohë do të lejohet që Skënderbeut t‘i thonë Jorgji, skandale edhe më të mëdha kemi për të raportuar nga Himara.