E Diel, 1 Nëntor 2026

Shembje tjetër në galeri, plagoset një minator i Bulqizës

Një minator është plagosur rëndë dje në minierën e kromit në Bulqizë. Ngjarja ka ndodhur në nivelin XIV të pusit nr. 2, ku minatori i shembjeve, për sigurimin e galerive, Esat Dedja, 42 vjeç, ka pësuar dëmtime të rënda nga shembja e një masivi gurësh nga tavani i galerisë. Dedja është banor i fshatit Dushaj të Komunës Fushë-Bulqizë, babai i tetë fëmijëve. Pikërisht në këtë nivel humbi jetën para disa ditësh minatori Njazi Alliu, duke lënë dy fëmijë jetimë. Në nivelin XIV të këtij pusi, kanë ndodhur pesë aksidente nga shtatë gjithsej të ndodhur në këtë minierë gjatë një viti, duke e kthyer atë në "nivel të vdekjes".

Ngjarja

Minatori i shembjeve, 42-vjeçari Esat Dedja, rreth mesditës së djeshme, ndërkohë që po kontrollonte me levë një nga galeritë e nivelit XIV, të pusit nr.2, është goditur nga shembja e gurëve prej tavanit të saj, duke pësuar fraktura të rënda, në klavikulën e krahut të djathtë. Menjëherë ai është shembur në tokë pa ndjenja. Në ndihmë i kanë shkuar shokët, minatorë të turnit të parë, të cilët punonin në këtë nivel. Ata me shpejtësi e kanë nxjerrë të aksidentuarin nga pusi, duke e dërguar për ndihmë mjekësore në spitalin e qytetit të Bulqizës. Që nga fundi i muajit gusht të vitit të kaluar, kur dhe u ndërpre puna në minierë, për shkak të aksidenteve të shumta me humbje jetësh të minatorëve, për gati dy muaj rresht u punua nga firma e huaj ruso-austriake që administron minierën, për plotësimin e kushteve të sigurisë në punë për minatorët. Por edhe ky aksident i ndodhur dje e zbeh shumë punën e bërë për plotësimin e kushteve të sigurisë në punë.

Spitali

Personeli mjekësor i spitalit është treguar tejet i gatshëm për t‘i dhënë ndihmën e duhur mjekësore minatorit të plagosur. Pas grafisë së bërë, mjekët e spitalit kanë përcaktuar si diagnozë "frakturë të klavikulës dhe kockës pubike të djathtë". Sipas tyre, minatori është jashtë rrezikut për jetën. Drejtori i spitalit, mjeku Fatos Hoxha, tha për "Shqip" se i aksidentuari ndodhet jashtë rrezikut për jetën, pasi fatmirësisht konstatohet se thyerja nuk është shoqëruar me hemorragji të brendshme. Por mungesa e mjekut kirurg në këtë spital nuk ka mundësuar ndihmën e kualifikuar mjekësore për 42-vjeçarin. Kjo mungesë ka çuar në përplasje të forta mes të afërmve dhe Sindikatës së Minatorëve nga njëra anë dhe administratës së spitalit nga ana tjetër, në lidhje me mënyrën e dërgimit të të aksidentuarit në Tiranë për ndërhyrje kirurgjikale. Të afërmit dhe minatorët kanë kërkuar me këmbëngulje ardhjen e helikopterit nga Tirana, por baza e Emergjencave Civile, në Tiranë, pas provës së bërë, njoftonte se e ka të pamundur dërgimin e helikopterit, për shkak të motit me mjegull në malin e Dajtit. Minatorët me këtë rast i kanë ngritur tonet kundër qeverisë. "Po të ishte aksidentuar ndonjë qeveritar, helikopteri do të vinte, ndërsa për minatorët nuk pyet kush", tha Agim Mera, një nga minatorët e minierës. Pas gjithë këtyre debateve, minatori i aksidentuar është nisur me ambulancë drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë, për ndërhyrje kirurgjikale të domosdoshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›