Sherri banal degjeneron në kërcënim me pushkë
Dy banorë të së njëjtës lagje në Rrethin e Fierit janë grindur pasditen e së premtes. Ngjarja ka rrezikuar të marrë përmasa të rënda, pasi njëri prej tyre ka nxjerrë pushkën, duke kërcënuar seriozisht jetën e tjetrit. Burimet policore pohuan për "Shqip" se ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00 të mbrëmjes së të premtes në lagjen "Liri" të qytetit të Fierit. Jovan Prifti, 50 vjeç, është grindur për motive të dobëta me shtetasin Lutfi Idrizi. Pasi kanë debatuar e sharë njëri-tjetrin, Prifti ka shkuar në shtëpi, ku ka nxjerrë prej andej një pushkë model 56 dhe ka shkuar për të kanosur Idrizin, madje duke qëlluar në ajër. Idrizi pasi ka parë rivalin e tij me armë zjarri ka njoftuar policinë, e cila ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka kryer ndalimin e Priftit. Uniformat blu, pasi verifikuan deklarimet e bëra nga të dy personat, kanë ushtruar kontroll në banesën e Priftit. Gjatë kontrollit është gjetur e sekuestruar në cilësinë e provës materiale pushka model 56 që ai e mbante pa leje. Prifti është shoqëruar për në polici. Ndaj tij është nxjerrë edhe urdhër-arresti. Materialet më pas i janë dorëzuar prokurorisë së rrethit, e cila do të hetojnë Priftin për akuzat e "armëmbajtje pa leje" dhe "kanosjes me armë".