Gjykata e Krimeve të Rënda kërkon më shumë kompetenca
Zgjerimi i kompetencave të Gjykatës së Krimeve të Rënda do t‘i shërbente rritjes së autoritetit të saj, por edhe konsolidimit të profilit në përputhje me natyrën e krimeve të rënda. Ky është konkluzioni në të cilin arrin kryetari i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Sandër Simoni. Ai ka shfrytëzuar analizën vjetore të punës së këtij institucioni, e cila u zhvillua në fillim të kësaj jave, për të bërë propozimin konkret: Veprat penale si vrasje të cilësuara, vjedhje me armë, vjedhje me pasojë vdekjen, si dhe një pjesë të trafikut klandestin dhe emigracionit të paligjshëm në formën e grupit të strukturuar kriminal, mund të kalojnë për gjykim nga Krimet e Rënda. Në një prononcim ekskluziv për "Shqip", Simoni shtjellon më tej idenë e tij, e cila duket se bazohet në një projekt që ka ekzistuar që përpara krijimit të kësaj gjykate, por që më pas u ndryshua në mënyrë jo shumë të qartë.
Gjatë analizës së punës për vitin 2007, në raportin tuaj si drejtues i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda ju keni nënvizuar nevojën e ndryshimit në drejtim të zgjerimit, të kompetencave të saj. Ku konsiston ky ndryshim që ju mendoni se duhet bërë?
Kërkesa për shtimin e kompetencave ka të bëjë me rritjen e profilit të Gjykatës së Krimeve të Rënda si një institucion që kthen apo merr në shqyrtim një grup veprash penale që vërtet përputhen me nocionin e krimit të rëndë apo krimit serioz, sipas normës ndërkombëtare. Në këtë rast i referohem "Protokollit të Palermos", që ka përcaktuar një kategori veprash penale, të cilave shtetet duhet t‘i kushtojnë një kujdes të veçantë parandalimit, gjykimit dhe hetimit të tyre në mënyrë që të mbrohet siguria publike e vendit. Në këtë kuadër, kur u krijua Gjykata e Krimeve të Rënda u mendua që ajo të kishte në kompetencë për të shqyrtuar një grup veprash të caktuara, por në shtator të vitit 2004 diçka ndryshoi, duke i kufizuar këto kompetenca vetëm në veprat penale që kemi sot dhe që janë kryesisht ato të krimit të organizuar.
Cilat vepra penale mendoni se duhet të kalojnë për gjykim në Gjykatën e Krimeve të Rënda?
Mendimi ynë është se disa vepra që janë krime të rënda, qoftë për opinionin e juristëve, qoftë për opinionin publik, të cilat kërkojnë një trajtim të veçantë dhe që përputhen me natyrën e veprave penale që ne kemi në kompetencë, duhet që të futen rishtazi në kompetencën e Gjykatës së Krimeve të Rënda. Shumë krime të rënda, kam parasysh këtu veprat penale, si vrasje të cilësuara, vjedhje me armë, vjedhje me pasojë vdekjen si dhe një pjesë të trafikut klandestin dhe emigracionit të paligjshëm në formën e grupit të strukturuar kriminal, mund të kalojnë për gjykim nga kjo gjykatë. Këtu kam parasysh edhe ato vepra të reja penale që janë miratuar në janar të vitit 2008, siç janë ato për terrorizmin që detyrimisht duhet ndërhyrë në Kodin e Procedurës Penale në nenin që përcakton kompetencën.
Përse pikërisht tani kjo kërkesë dhe ku konsiston ajo?
Kërkesa jonë ka të bëjë me rritjen e autoritetit të kësaj gjykate por edhe me konsolidimin e profilit të saj në përputhje me natyrën e krimeve të rënda dhe krimit të organizuar. Por në të njëjtën kohë, edhe me nevojën e trajtimit të këtyre krimeve në një gjykatë në mënyrë profesioniste dhe kompetente.
A mendoni se kjo kërkesë mund të ngjallë xhelozi apo pakënaqësi te gjykatat e tjera, të cilat aktualisht shqyrtojnë këto çështje?
Jo nuk besojë se mund të krijojë probleme të tilla. Ky është një mendim thjesht profesional, që ne na takon ta themi. Nuk besoj se mund të ketë xhelozi, për më tepër tashmë që gjykata jonë e ka kaluar provën me trajtimin e këtyre veprave penale dhe ka qenë e suksesshme.
Cili institucion duhet të ndërhyjë për të diskutuar dhe më pas zbatuar këtë ide?
Si faktor veprues në reformën në drejtësi kjo ide e jona ka të bëjë me ndryshimet legjislative brenda pushtetit gjyqësor. Nisma për ndryshimet legjislative i takon Ministrisë së Drejtësisë, e cila duhet të propozojë në Kuvend, ndryshime në Kodin e Procedurës Penale dhe pikërisht në nenin që përcakton kompetencat e Gjykatës së Krimeve të Rënda.