E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Kushtetuesja, Topi tenton kontrollin

Socialistët akuzojnë kreun e shtetit, Bamir Topi, se po tenton të ndikojë në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese. Numri dy i grupit parlamentar, Erion Braçe, denoncoi mos organizimin e ceremonisë së fillimit të mandatit për anëtaren e re të kësaj gjykate, Vitore Tusha. Ai hodhi akuza për ushtrim antikushtetues të detyrës nga anëtari Kristofor Peçi, të cilit i ka mbaruar mandati prej 15 muajsh. Prej 11 ditësh, anëtarja e re, Tusha, është zyrtarisht e zgjedhur, por nuk ushtron asnjë ditë pune në Gjykatën Kushtetuese.

Deklarata

Drejtuesi i selisë rozë sqaron se më datën 11 shkurt 2008 Presidenti nxori dekretin për të emëruar zonjën Vitore Tusha si anëtare të Gjykatës Kushtetuese. Sipas Braçes, më datën 18 shkurt të vitit 2008, Kuvendi dha pëlqimin për dekretin e Presidentit. "Por pavarësisht dy akteve që njeh Kushtetuta për vendosjen në detyrë të një anëtareje të Gjykatës Kushtetuese, Peçi ende vazhdon të ushtrojë detyrën në mënyrë antikushtetuese", sqaroi Braçe. Opozitarët sqarojnë se Tusha ende nuk ka realizuar marrjen e detyrës. "Nuk ka arsye që një gjykatëse e dekretuar nga Presidenti me pëlqimin e Kuvendit nuk ka marrë detyrën prej 11 ditësh", theksoi Braçe. Duke këmbëngulur se gjithashtu nuk ka asnjë arsye që Presidenti të mos bëjë betimin e gjyqtares. Ai i kërkoi kreut të shtetit që të organizojë procedurën e betimit dhe dërgimin e Tushës në detyrë. Braçe shprehu shqetësim për këtë fakt, jo vetëm se po shkelet ligji, por sepse Presidenti përmes këtyre procedurave të vonuara, po vazhdon që të përpiqet të ndikojë në proceset vendimmarrëse në Gjykatën Kushtetuese. Sipas opozitës, Kristofor Peçi njihet si një nga mbështetësit e së djathtës në këtë institucion kushtetues. Braçe kujtoi deklarimet e sotme dhe deklarimet e Presidentit të Republikës në rolin e kryetarit të mazhorancës parlamentare pak muaj më parë, në raport me një akt të tillë vonese, të justifikuar nga ana e Presidentit Moisiu. "Do të doja që të shikonit në ato kronika se çka thënë z. Topi apo përfaqësues të tjerë, të mazhorancës së atëhershme, për Presidentin e Republikës. Fyerje, sharje, shpifje, akuza deri në grusht shteti, përkundrejt Presidentit", nënvizoi Braçe. Ndërsa kërkoi që Peçi më së fundmi, pas 15 muajsh, të lërë mandatin e tij në Gjykatën Kushtetuese, afati i të cilit ka skaduar me kohë.

Paralajmërimi

Nënkryetari i grupit parlamentar socialist i bëri thirrje Presidentit që të heqë dorë nga procedurat e ndjekura deri tani të njëanshme të shkarkimit të Prokurorit të Përgjithshëm. Ai argumentoi se i njëjti qëndrim po tenton të mbahet edhe në gjykimin e procedurave që shkarkuan kreun e akuzës, duke ndikuar kështu në ekuilibrat e votave në Gjykatën Kushtetuese. Në një moment kur kjo e fundit ka administruar dhe është në proces shqyrtimi të ankesës së ish-kryeprokurorit Theodhori Sollaku. Për këtë padi ai pretendon se është shkarkuar nga detyra në mënyrë antikushtetuese nga kreu i shtetit. Një çështje tjetër që sipas socialistëve është e kërcënuar në këtë moment ka të bëjë me ligjin për parapagimin e gjobave. Ajo është objekt i shqyrtimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me përputhjen me Kushtetutën e vendit. Anëtari i Kushtetueses, Kristofor Peçi, ka punuar në organet e prokurorisë në rrethet Shkodër, Dibër, Lezhë dhe në vitin 1991, në Prokurorinë e Përgjithshme. Në maj të vitit 1992 është zgjedhur anëtar i Gjykatës së Kasacionit, ndërsa në 1996-ën u emërua ministër i Drejtësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›