E Diel, 1 Nëntor 2026

Athinë, ekzekutohet shqiptari 20-vjeçar

Një shqiptar u ekzekutua mbrëmjen e së shtunës në qendër të Athinës. Viktima quhet Andi Zoto, 20 vjeç, nga Fieri. Policia, që mbërriti në vendngjarje, tha se viktima u qëllua me pistoletë në kokë. Sipas policisë, në rrugën "Aharnon 202", vetëm pak metra larg shtëpisë së tij. Nga burimet mësohet se viktima, bashkë me një mikun e tij po udhëtonin me motoçikletë, pikërisht mbi këtë aks rrugor, që është një ndër më të qarkulluarit në kryeqytetin helen. Në vendin e ekzekutimit u gjetën katër gëzhoja pistolete, ndërsa trupi i pajetë i emigrantit u gjet në mesin e rrugës, i mbuluar me një pellg gjaku. Dëshmitarë okularë thanë se viktima u qëllua nga dy persona që ndodheshin në një motoçikletë tjetër. Pas krismave, në vendngjarje mbërritën edhe familjarët e viktimës, të cilët bashkë me shokun e 20-vjeçarit, u morën nga policia për t‘u pyetur lidhur me pistat e mundshme të shkaqeve të vrasjes. Sipas policisë së Athinës, për këtë vrasje po hetohet në disa pista. Mësohet se Zoto nuk kishte dosje apo precedentë të mëparshëm penalë në Greqi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›