Gjashtë vatra zjarri në pyje, shkrumbohen katër hektarë
Ndonëse ende dimër, në pyjet e Qarkut të Dibrës kanë nisur të shfaqen vatra zjarresh. Burime nga Prefektura e Dibrës bëjnë me dije për "Shqip" se gjatë muajit shkurt, që sapo kemi lënë pas, janë regjistruar rënie zjarresh në pyje në mbi gjashtë raste. Në mbrëmjen e së premtes, ka rënë zjarr në këmbë të Malit të Bardhë, mbi fshatin Homesh të Komunës Shupenzë, i cili ka përshkuar një sipërfaqe prej 3 hektarësh me pyje dushku dhe duke djegur plotësisht 1 hektar. Zjarri është fikur vetvetiu, pasi nata dhe terreni i vështirë pa rrugë automobilistike, nuk mundësojnë përdorimin e mjeteve për fikjen e tij. Për rënien e zjarrit, thotë shefi i MKZ-së të Rrethit Bulqizë, major Fatmir Peti, jemi njoftuar nga banorët e fshatit Homesh, ku menjëherë kemi shkuar në vendngjarje, por zjarrfikësja që disponojmë ne, nuk është e përshtatshme për ndërhyrje në pyje, por vetëm në zona urbane. Në të tilla raste duhet të ndërhyjnë vetë ndërmarrjet pyjore, të rretheve përkatëse, që disponojnë mjete zjarrfikëse të përshtatshme për të ndërhyrë në terrene të vështira malore. Gjeografia e rënies së zjarreve në pyje, gjatë muajit shkurt, është shtrirë në tri rrethe, Dibër, Bulqizë dhe Mat, të këtij qarku. Kështu zjarri i rënë në pyjet mbi fshatin Luzni të Rrethit Dibër, ka përshkuar 7 hektarë me drurë dushku, duke djegur plotësisht mbi 2 hektarë. Ndërsa para pak ditëve, një pakujdesi e vogël e punëtorëve të firmës ndërtuese të Rrugës së Arbërit, "Albavia", ka bërë që të digjen 500 metër katrorë me pyje pishe në fshatin Dragu të Bulqizës. Po kështu edhe në Rrethin e Matit, janë evidentuar rënie zjarresh në dy raste, njëri në një zonë me pisha në afërsi të Qafës së Buallit dhe tjetra në Luçanë. Mendohet se në të gjitha këto raste zjarret të kenë ardhur nga pakujdesia e banorëve. Por gjithsesi rënia e tyre, ende pa mbaruar stina e dimrit, është një tregues i frikshëm, se edhe kjo verë, ashtu si ajo e kaluara, nuk do jetë e lehtë për pyjorët në përballje me vatrat e zjarreve.