Çmimet e larta, qytetarët në protestë para Kryeministrisë
Rritja e pajustifikuar e çmimeve, shtrenjtimi abuziv i jetesës, si dhe neglizhenca shtetërore për të ndërhyrë kundër këtij varfërimi janë shndërruar në motivet kryesore të protestës së djeshme të mijëra qytetarëve në Tiranë.
Kjo protestë qytetare para Kryeministrisë kundër rritjes së çmimeve, duke denoncuar indiferencën dhe paaftësinë e qeverisë shqiptare për t‘u përballur me këtë shtrenjtim abuziv të jetesës, është ndër të paktat e këtij lloji. Protesta u organizua nga lëvizja "Mjaft!", në bashkëpunim me Konfederatën e Sindikatave të Shqipërisë, Shoqatën e Invalidëve të Punës, ish-ushtarakët etj. Përpara se të grumbulloheshin për të protestuar te selia e Këshillit të Ministrave, me qindra vetë marshuan nga sheshi "Skënderbej" përgjatë bulevardit "Dëshmorët e Kombit". Gjatë marshimit, e më tej gjatë protestës para Kryeministrisë, qytetarët e shumtë që merrnin pjesë, si pensionistë, invalidë të punës, ish-ushtarakë, minatorë etj., i bënë thirrje qeverisë të ndërhyjë për uljen e çmimeve e të luftojë realisht monopolet në treg. "Rritja në stratosferë e çmimeve, dyfishimi i tyre brenda dy muajve nuk është diçka normale, sidomos po të kemi parasysh që rreth 30 për qind e shqiptarëve jetojnë sot nën minimumin jetik. Këtu flitet tashmë për bukën e gojës", u shprehën përfaqësuesit e lëvizjes "Mjaft!". Ata i kërkuan Kryeministrit Berisha që të ndërhyjë me politika konkrete për këtë çështje që ka të bëjë tashmë me mbijetesën e shqiptarëve. "Këto politika konkrete kërkojmë nga Berisha. Tani që shqiptarët nuk kanë mundësi të blejnë as bukën e gojës, nuk na duhen fare daljet e tij pompoze në media për çështje globale", vijuan më tej organizatorët e protestës. Por mes protestuesve nuk kanë munguar as njerëzit e politikës. Dje, përkrah qytetarëve hallexhinj e të revoltuar janë rreshtuar edhe ish-ministrat e qeverisë së mëparshme që tashmë janë pjesë e parlamentarëve të opozitës. Ndërkohë që kjo nuk i ka dhënë ngjyrime politike kundërshtimit qytetar për mefshtësinë e qeverisjes aktuale. Përfaqësuesit e "Mjaft!", lidhur me këtë pjesëmarrje, janë shprehur se shpresojnë që "këta deputetë, të cilët kanë qenë në pushtet për 8 vjet rresht, të kenë ardhur këtu sot për t‘u kërkuar falje qytetarëve, pasi nuk besojmë se këto probleme ekonomike lindën ekskluzivisht brenda vitit të fundit".
Nga ana tjetër, kryetari i Konfederatës së Sindikatave, Kolë Nikolla, e konsideroi situatën aktuale ekonomike të shqiptarëve pasojë të keqqeverisjes së Sali Berishës. Gjatë protestës denoncuan paaftësinë e Kryeministrit Berisha edhe përfaqësues të tjerë të Shoqatës së Invalidëve të Punës, të Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë dhe Lirim etj.
Dhjetëra protestues demonstruan disa herë pamundësinë e tyre për të përballuar jetesën e shtrenjtë, duke treguar për gazetarët e shumtë të pranishëm xhepat e portofolat e tyre bosh. Në protestë merrnin pjesë edhe një grup i madh i minatorëve të Bulqizës, "minierës së vdekjeve", ku kanë humbur jetën vetëm vitin e fundit 8 minatorë, të cilët kanë lënë në varfëri të plotë fëmijët e bashkëshortet e tyre. Disa nga aktivistët e lëvizjes "Mjaft!" mbanin në duar tambure dhe një banderolë të madhe ku shkruhej: "Ulni çmimet menjëherë"! Protesta e sotme ishte lajmëruar disa ditë më parë nga kjo lëvizje, si dhe grupet e tjera të shoqërisë civile. Thirrja e tyre për të mbështetur protestën gjeti dje përgjigjen e mijëra qytetarëve të pakënaqur jo më nga mungesa e politikave konkrete për të krijuar mirëqenie për të gjithë, por tashmë nga mungesa totale edhe e politikave për të siguruar mbijetesën dhe bukën e përditshme. Dy ditë më parë aktivistë të lëvizjes "Mjaft!" gjetën një formë shpotitëse për të denoncuar paaftësinë dhe indiferencën e qeverisë, për t‘u përballur me nevojat e qytetarëve. Ata shitën në trotuarin e Kryeministrisë bukë me çmimin 50 lekë.