Do jetë i Çabejit ky vit
Botuesja dhe përkthyesja e njohur Brikena Çabej, nuk kërkoi thjesht homazhe për të atin; ajo kërkoi ridimensionim dhe rivlerësim të veprës së tij. Dhe, sipas saj, kjo duhet ta karakterizonte "Vitin e Çabejit", siç u shpall dje nga Ministri i Kulturës, Ylli Pango, në prezencë të saj dhe të drejtorit të Muzeut Kombëtar, Aurel Plasari. Pango shprehu konsiderata të larta për një figurë si Çabej; për kontributin e tij gjenial në kulturën shqiptare. Dhe ky vit, sipas tij, do të shoqërohet me një sërë aktivitetesh artistike për nder të këtij kolosi të shkencës albanologjike. Gjithashtu, u shpreh ai, do të koordinohet puna me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, katedrat universitare, shtëpinë botuese "Çabej" për botimin e veprave të panjohura të profesorit të nderuar Eqrem Çabej. "Komisioni i ngritur me këtë rast, shumë shpejt do t‘iu bëjë të ditur kalendarin e veprimtarive kushtuar Eqrem Çabejit", njoftoi kreu i dikasterit të Kulturës.
"Viti Çabej" u shpall nga ministri Pango me rastin e 100-vjetorit të lindjes së këtij personaliteti, që përkon dhe me 100-vjetorin e Kongresit të Manastirit. Pas "Vitit Kadare", "Vitit Kuteli", ky është i treti vit që MTKRS-ja ndërmerr një nismë të këtij lloji. Ishin disa kandidatura që kishin përvjetorin, njëkohësisht emra shumë të rëndësishëm të kulturës kombëtare, por ndër to u përzgjodh figura e prof. Eqrem Çabejit. Ai lindi në vitin 1908 në qytetin e Gjirokastrës dhe vdiq në vitin 1980 në Romë. Ishte një nga figurat më të shquara të shkencës, arsimit dhe kulturës shqiptare. Studimet e larta i përfundoi për Filologji në Vjenë dhe u specializua në gjuhësinë krahasuese indoevropiane. Veprimtarinë shkencore e shtjelloi në gjuhësi, por edhe jashtë saj, në folklor, etnografi dhe histori të letërsisë. Në korpusin e veprës së tij, vend parësor zënë studimet etimologjike dhe leksikologjike historike, dialektologjia e onomastikës, si edhe kodifikimi i gjuhës letrare. Eqrem Çabej dha një ndihmë të çmuar me një varg sqarimesh etimologjike gjatë hartimit të Fjalorit të Gjuhës Shqipe të botuar në Tiranë më 1980-ën. Ai u dekorua nga Presidenti i Republikës më 10 maj 2003, me Urdhrin "Nderi i Kombit". Veprat kryesore të Eqrem Çabejit janë: "Studime etimologjike në fushën e shqipes", "Hyrja në historinë e gjuhës shqipe", "Fonetika historike e shqipes", "Shqiptarët midis Lindjes dhe Perëndimit". Po ashtu, ekziston dhe një studim për Eqrem Çabejin, i titulluar: "Eqrem Çabej, jeta dhe vepra monografi", përgatitur nga prof. dr. Shaban Demiraj