E Diel, 1 Nëntor 2026

Familjarët e 20-vjeçarit të vrarë në Athinë: E kanë qëlluar gabimisht

Një ditë pas ekzekutimit në Athinë të një 20-vjeçari nga Fieri, të afërmit e tij kanë kërkuar gjetjen dhe dënimin e autorëve. Ndërsa trupi i pajetë i 20-vjeçarit Andi Zoto pritet që të vijë në ditët e ardhshme pranë familjes, gjyshja dhe gjyshi, Leta dhe Pandi mes ngashërimeve kanë hedhur dhe pistat e para të dyshimit mbi shkakun e ekzekutimit të nipit të tyre të vetëm, me vdekjen e të cilit u shua edhe shpresa e trashëgimit të mbiemrit. Në familjen e 20-vjeçarit, e cila është vendosur në lagjen "Kongresi i Përmetit" të qytetit, përgjatë bulevardit kryesor, është hapur zia qysh në orët e para të mëngjesit, atëherë kur një prej të afërmve kishte dëgjuar nga televizioni lajmin tragjik. Andi Zoto u vra të shtunën në mbrëmje në rrugën "Aharnon" në Athinë. Sipas policisë greke, ai kishte qenë duke udhëtuar me një motoçikletë së bashku me një shok, kur nga pas e ka ndjekur një motoçikletë tjetër me dy persona, të cilët sapo i janë afruar kanë derdhur mbi të dy plumba duke e lënë të vdekur në vend. Andi Zoto ishte nxënës i vitit të fundit të një shkolle të mesme në Athinë. Ai është djali i vetëm i Pali Zotos, i cili prej dhjetë vjetësh banon në Greqi si emigrant i rregullt së bashku me familjen. Sipas familjarëve në Fier, autorët e krimit nuk janë identifikuar ende. Po ashtu nga biseda me familjarët mësohet gjithashtu se dy pista hetimi janë hedhur për vrasjen e 20-vjeçarit Andi Zoto. "Mund ta kenë ngatërruar djalin me ndonjë person tjetër ose mund të ketë qenë inat adoleshentësh grekë. Edhe pse shkoi në Greqi qysh në moshë të vogël, edhe pse u arsimua dhe u mësua me jetën greke, asnjëherë nuk i vlerësoi miqtë grekë. Kishte një antipati për ta", thanë gjyshërit e Andit. Ata shpjegojnë se ndryshe nga bashkëmoshatarët e tjerë, Andi asnjëherë nuk ka sjellë probleme dhe vetëm fundjavave frekuentonte bare për të rinj. Familjarët, të mbledhur në banesën e tij kanë pohuar faktin se ata presin trupin e pajetë të 20-vjeçarit të hënën ose të martën, për të kryer varrimin në Fier.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›