E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapakët e pusetave, "gjahu" i preferuar i grabitësve

Rrugët e Shkodrës, pothuajse të gjithave, u mungojnë kapakët metalikë të pusetave, të cilët merren për t‘u shitur si skrap. Prej disa ditësh në Shkodër ka filluar të shfaqet një fenomen tepër shqetësues, kapakët e pusetave në rrugët kryesore çdo natë vidhen nga persona të papërgjegjshëm. Vetëm për dy ditët e fundit janë hequr nga rrugët 11 kapakë metalikë të pusetave të cilët ishin vendosur për të tretën herë nga bashkia pasi ishin vjedhur. Këta kapakë mbulojnë gropat e ujërave të bardha të qytetit ndërsa disa prej tyre mbulojnë kabullat e elektrikut, apo të telekomit. Kjo situatë është bërë shumë shqetësuese jo vetëm te drejtuesit e automjeteve, të cilët duke rënë në gropa dëmtojnë rendë mjetin e tyre, por dhe për këmbësorët, të cilët jo pak herë kanë përfunduar brenda gropave pa kapak. Nga ana tjetër kapakët që vidhen mendohet se merren për t‘u shitur si hekur, pasi ato peshojnë shumë. Megjithëse janë vjedhur disa herë, Bashkia Shkodër i ka zëvendësuar me të reja, por sërish ato vidhen. Në këto kushte Bashkia Shkodër, jo vetëm që ka kërkuar ndihmën e policisë, por me një thirrje zyrtare nëpërmjet mediave u është drejtuar personave që kryejnë këto veprime të tregohen të ndërgjegjshëm dhe të distancohen nga veprime të tilla që vetëm prishin imazhin e qytetit. Por nga ana tjetër duket se rritja e çmimeve ka detyruar një shtesë të caktuar që të mbijetojë, duke mbledhur hekur për t‘i shitur për skrap dhe këtë e bëjnë mjaft mirë kapakët e pusetave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›