Djali i gjyqtares së Elbasanit lirohet nga Gjykata e Korçës
Në shtator të vitit të kaluar, dy djem, pasi dehen në një lokal në Maliq të Korçës, tentojnë të rrëmbejnë kamerieren e lokalit. Në fakt, njëri prej të akuzuarve, Lorenc Molla,i cili më pas është ndaluar me masën e arrestit në burg pa afat, njihej më përpara me kamerieren me inicialet L.P. Pasi hipën në makinën e dy djemve, vajza u nis nga Maliqi drejt Pogradecit. Ndalojnë në një hotel. Drejtuesi i automjetit largohet drejt Elbasanit, ndërsa i riu tjetër tenton të ushtrojë dhunë. Vajza arrin t‘i shpëtojë, pasi e godet në hotel me një tavllë në kokë. Ajo kërkon ndihmë në postën e policisë kufitare të Tushemishtit dhe denoncon përdhunimin. Menjëherë filloi çështja penale. Në versionin e parë të ngjarjes vajza denoncoi vetëm Lorenc Mollën, ndërsa për djalin nga Elbasani, Arber Fetahun, ka deklaruar se ishte drejtuesi i automjetit. Masa e arrestit ndaj Lorenc Mollës u mor menjëherë, ndërsa ndaj të pandehurit tjetër kjo masë u vlerësua më pas. Në 16 shtator 2007, Prokuroria e Korçës kërkon masën e sigurimit arrest në burg pa afat për Arbër Fetahun. Po kështu është kërkuar masa e sigurimit edhe për të pandehurin tjetër, Lorenc Molla. Po në të njëjtën ditë që prokurorja e çështjes, Irena Çunoti, depozitoi kërkesën për vlerësimin e masës së sigurisë për Arbër Fetahun, e dëmtuara L.P., nga të dhënat e dosjes së themelit pranë Prokurorisë dhe Gjykatës së Korçës ka tërhequr ankimin e saj ndaj të pandehurit Arbër Fetahu. Po atë ditë, kur prokurorja do të kërkonte masën e sigurimit për djalin e gjyqtares së Elbasanit, ndryshon kërkesën e saj para gjykatës. Nga arrest në burg pa afat që kishte shënuar në kërkesën me shkrim, e ndryshoi në arrest në shtëpi. Pra, në procesverbalin e gjykatës kërkesa e prokurores është arrest shtëpie, ndërkohë që kërkesa me shkrim që ka dorëzuar pranë gjykatës, e cila mban firmën e prokurorit të rrethit gjyqësor Korçë, është arrest në burg pa afat. I pandehuri e ankimoi këtë vendim të gjykatës, duke shfrytëzuar këtë të çarë. Gjykata e Apelit të Korçës dha një masë më të butë sigurie, detyrim për paraqitje. Më pas fillon hetimi gjyqësor. Në konkluzionet e akuzës, prokurorja kërkon dënimin me 6 vjet heqje lirie të të pandehurit Lorenc Molla, për tentativë të kryerjes së marrëdhënieve seksuale me dhunë me të rritura, mbetur në tentativë dhe dënimin me 5 vjet burg të të pandehurit Arbër Fetahu për të njëjtën vepër penale, parashikuar nga neni 101/2 i KPP në RSH. Ndërsa gjatë gjykimit e dëmtuara tërhoqi akuzën edhe ndaj të pandehurit tjetër, Lorenc Molla.
Prokuroria nuk kishte mundur të siguronte padinë. Gjykata në vendimin e saj rrëzoi bashkëpunimin mes dy të pandehurve, sepse prokuroria që në seancën e masës së sigurisë i kishte veçuar dy të pandehurit. Që në këtë moment, gjykata nuk ka pasur më asnjë akuzë të ngritur ndaj të pandehurve dhe vendos deklarimin e pafajshëm të Arbër Fetahut, ndërsa për të pandehurin tjetër Lorenc Molla, pushoi gjykimin, sepse nuk kishte më akuzë. Njëri prej të pandehurve është djali i një gjyqtareje të Gjykatës së Shkallës së Parë të Elbasanit. Pra, gjykata nuk ka dënuar njërin prej të pandehurve me arsyetimin se kjo vepër penale vazhdon gjykimin mbi bazën e ankimit të të dëmtuarës, pasi vetë e dëmtuara, kur është gjykuar çështja, kur është pyetur si dëshmitare, ka hequr dorë nga ankimimi. Por në një tjetër proces gjyqësor, ku paditësja ka tërhequr akuzën e saj, gjykata nuk e ka marrë për bazë mungesën e ankimimit.