Gjyqtarët i "kthejnë reston" Alibeajt
Gjyqtarët duket se e kanë marrë veten nga hutimi i parë që u krijua nga akuzat e ministrit të Drejtësisë në analizën 1-vjeçare të punës së gjyqësorit të Tiranës dhe janë kundërpërgjigjur gjithashtu me nota të ashpra. "Argumentet që sjell ministri i Drejtësisë duke legjitimuar dhunën fizike kundër gjyqtarëve, shembulli që solli ministri për përdorim armësh kundër pushtetit gjyqësor dhe gjyqtarëve, janë një inkurajim i hapur për vetëgjyqësi nga publiku. Një mesazh i dhënë nga ministri i Drejtësisë për inkurajim dhe legjitimim të aksioneve të dhunshme kundër gjyqtarëve mund të sjellë shumë shpejt një faturë shumë të rëndë për gjyqësorin shqiptar", thuhet në një deklaratë të Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve. Gjyqtarët, jo vetëm ata që janë anëtarë të shoqatës së lartpërmendur, por e gjithë trupa e Gjykatës së Rrethit Tiranë, duket se kanë qenë në një mendje se akuzat shumë të rënda dhe gjithëpërfshirëse të Alibeajt kanë qenë në shkelje të çdo norme të etikës së komunikimit. Çështja është bërë objekt diskutimi edhe në mbledhjen e mëngjesit që zhvillohet përditë në Gjykatën e Tiranës, ku gjyqtarët kanë kërkuar reagim të hapur ndaj akuzave ministrore.
I pyetur lidhur me vonesën prej dy ditësh të këtij reagimi, ndërsa do të kishte qenë më e udhës që kundërshtimet t‘i ishin thënë ministrit që në momentin e parë pas artikulimit prej tij të akuzave të rënda, njëri prej gjyqtarëve të kryeqytetit ju përgjigj duke thënë se "Alibeaj na injoroi duke u larguar nga mbledhja në momentin që ne po diskutonim. Nuk e prisnim një reagim të tillë, kaq brutal dhe fyes ndaj gjithë trupës së gjyqtarëve në bllok". Por gjithsesi, pasi kanë mbledhur edhe mendimin e anëtarëve të shoqatës nëpër rrethe, gjyqtarët kanë vendosur t‘ia kthejnë reston ministrit, i cili për më tepër ka dalë nga vetë gjiri i tyre. "Pa vendosur asnjë peshore në arsyetimin e tij midis vlerësimit të asaj pune të mirë e voluminoze të gjyqtarëve dhe të metave apo pikave të dobëta të kësaj pune, ministri i Drejtësisë zhvlerësoi dhe goditi rëndë autoritetin e gjyqësorit, duke i dhënë kështu një goditje akoma më të rëndë besimit të publikut te drejtësia", thuhet në deklaratën e SHKGJ-së. Sipas togave të zeza, është "e pamoralshme që të gjithë gjyqtarët të akuzohen në grup dhe pa përjashtim. Janë të paprecedente akuzat, sharjet dhe fyerjet e bëra në mënyrë të tillë, drejtuar gjithë trupës së gjyqësorit". Sipas tyre, opinionet e ministrit të Drejtësisë se të gjithë gjyqtarët janë të korruptuar, se për të bërë biznes duhet të jesh gjyqtar, se gjyqtarët i detyrojnë qytetarët të vdesin në sallat e gjyqeve nga lodhja, se gjyqtarët i bëjnë palët të qëllojnë me armë kundër tyre, njollosin rëndë imazhin e gjyqësorit.
Tri ditë më parë, gjatë analizës së gjykatave të Tiranës, ministri Alibeaj lëshoi një lumë akuzash ndaj gjyqtarëve. Me një ton agresiv ai iu drejtua atyre me fjalët: "Ju nuk duhet t‘i detyroni shqiptarët që të vdesin në sallat e gjyqeve për shkak të lodhjes, ju nuk duhet t‘i detyroni që edhe pa të drejtë të marrin armët dhe të qëllojnë ndaj gjyqtarëve. Keni analizuar ndonjëherë pse ndodhin këto"? Pikërisht këto deklarata janë konsideruar nga SHKGJ jo vetëm tejet fyese, por edhe jashtë çdo lloj limiti të etikës së komunikimit. "Ministri i Drejtësisë mund të ketë të drejtën për të bërë akuza, por ajo që është e papranueshme për një anëtar të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për një përfaqësues të qeverisë dhe të drejtësisë shqiptare, është kapërcimi i normave të etikës", shprehen gjyqtarët, duke mos harruar gjithsesi t‘i këshillojnë mënyrën e sjelljes kreut të dikasterit të drejtësisë: "Ministri duhet të demonstrojë etikë dhe një kod komunikimi model për gjyqtarët".