E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtori i QSUT-së: Denoncimet për mjekët, të gjitha anonime

Denoncimet e pacientëve, të afërmve të tyre, apo qytetarëve të cilët kanë qenë viktima të korrupsionit, janë anonime. Askush deri më sot nuk ka guxuar të prezantohet me emër e mbiemër dhe të denoncojë emrin e mjekut, i cili nuk është sjellë mirë, nuk ka ofruar shërbim për pacientin pa para në dorë apo ka kërkuar hapur ryshfet. Dy vjet më parë, i vetmi pacient, i cili kishte bërë një denoncim për një mjek të spitalit "Nënë Tereza", nuk i vazhdoi më tej procedurat, madje i tërhoqi mbrapsht ato, duke thënë se kishte ndodhur një keqkuptim. Çdo ditë në Zyrën e Marrëdhënieve me Publikun dhe Sektorin Antikorrupsion vijnë nga 5-10 ankesa për mungesat e spitalit. Pacientët apo të afërmit e tyre denoncojnë mungesat e ilaçeve, reagentëve, pajisjeve apo shërbimet e munguara, por askush nuk denoncon një mjek, i cili nuk ka bërë punën që e ka zgjedhur vetë për profesion pa e paguar nën dorë. Asnjë padrejtësi e bërë në kurriz të tyre nuk ka marrë as emër as mbiemër, ka qenë vetëm një zë anonim, i cili as nuk merret parasysh, as nuk mund të jetë baza e zbardhjes së një çështjeje. Në rast se do të kishte raste të tilla, atëherë do të merreshin masa dhe çështja e këtyre mjekëve do të investigohej, duke shkuar deri në largim nga puna, apo heqjen e së drejtës për të kryer profesionin.

Denoncimet

"Janë një apo dy denoncime në muaj, të cilat janë anonime", u shpreh zyrtarisht Zyra e Marrëdhënieve me Publikun.

"Pacientët nuk denoncojnë me emra dhe të dhëna, ne kemi vendosur një adresë e-maili dhe një numër telefoni, ku secili prej tyre të denoncojë konkretisht të gjitha padrejtësitë në spital", tha drejtori i QSUT-së, Mati Pepa. Sipas tij, nëse rastet do të jenë konkrete dhe qytetarët do të jepnin të dhëna të sakta, puna për investigimin e rasteve do të ishte më e thjeshtë dhe në këtë mënyrë do të bëheshin publike edhe ata mjekë, të cilët nuk e duan punën e tyre. "Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve të denoncojnë rastet në numrin e telefonit dhe ne do të marrim në shqyrtim çdo rast", theksoi Pepa. Numri i telefonit i vendosur në dispozicion nga QSUT-ja është 349 233. Ndërsa veç këtij numri, në pavijonet kryesore janë vendosur edhe kuti, në të cilat mund të shkruhen ankesat, denoncimet me emër, mbiemër, numër telefoni apo adresë vendbanimi. Të gjitha këto janë masat e marra nga administrata për të gjithë ata "drurë të shtrembër" që po prishin të gjithë "dinjitetin e stivës".

Figura e mjekut

Figura e mjekut është e pastër, askush nuk duhet ta cenojë atë vetëm nga një përvojë e hidhur, apo nga një situatë në spital.

Për disa raste abuzive, të mos digjet i njomi me të thatin. Edhe sikur në 10 veta, 9 bluza të bardha të shkelin rregullat dhe vetëm njëri të jetë korrekt me profesionin, atëherë përsëri nuk mund t‘i fusim të gjithë në një kallëp. Ky ka qenë thelbi i fjalimit të mbajtur dje nga drejtori i spitalit "Nënë Tereza", Mati Pepa. Sipas tij, figura e mjekut nuk duhet të barazohet vetëm me sjelljen e njërit prej tyre, apo disave prej tyre, sepse sot dhe pse mund të tingëllojë e çuditshme, ka edhe nga ata mjekë që punën e tyre e quajnë mision dhe jo profesion.

"Unë jam këtu para jush, sepse jam i bindur që pjesa më e madhe e mjekëve janë njerëz të ndershëm, që e duan profesionin. Unë besoj se shumica prej tyre janë me atë që dëshirojmë të gjithë: që mjekësisë t‘i rikthehet dinjiteti, sepse askush prej nesh nuk do të ndihej mirë nëse për faj të ndonjë pjesëtari të papërgjegjshëm të ekipeve mjekësore, të fajësoheshin edhe mjekë të zotë, mjekë të ndershëm, për të cilët unë mendoj se janë shumica", tha dje, drejtori i QSUT-së, Mati Pepa.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›