Prokurorja e Pogradecit le dokumente sekrete në internet kafe
Prokurorët nuk kanë as kompjuter ku të shkruajnë. Detyrohen që të shfrytëzojnë internet kafetë për të hartuar aktakuzat që ia paraqesin gjykatës, madje shkruajnë edhe dokumentet sekrete. Por nuk mbeten më sekrete kur harrojnë të mbyllin kompjuterin dhe atë që ata kanë shkruar e lexon gjysma e qytetit. Një ngjarje e tillë ka ndodhur në qytetin e Pogradecit, ku një prokurore e prokurorisë së këtij qyteti, znj. Elinda Kombi, është ulur në një internet kafe për të përpiluar dy dokumente. I pari ishte një vendim për delegimin e kompetencave dhe shkresa e dytë, tepër sekrete, kishte të bënte me fillimin e një procedimi penal.
Shkresa e parë përmban fakte nga procesi i hetimit ndaj një subjekti i cili akuzohet se ka kryer kontrabandë. Në këtë dokument janë të renditura të gjitha provat që organi i akuzës ka siguruar për përfaqësuesin e subjektit që akuzohet se kryen kontrabandë. Prokurorja lë detyra për oficerin e policisë gjyqësore, detyra të cilat pasi i ka renditur në kompjuter, i ka lexuar gjysma e Pogradecit. Të dyja shkresat ishin sekrete. Por prokurorja Elinda Kombi ka harruar që të mbyllë dokumentin që ka shkruar dhe i gjithë materiali është lexuar nga të gjithë personat që janë ulur në të njëjtin kompjuter ku ka punuar ajo.