Akcizat, mbrohet prodhimi vendas
Qeveria ka në projekt të
ndryshojë sërish akcizat
për pijet alkoolike, kryesisht
verërat. Pak kohë më parë,
Komisioni i Ekonomisë dhe Financave
miratoi projektligjin
"Për Akcizat në Republikën e
Shqipërisë". Ndryshimet që sjell
projektligji i ri kanë për qëllim
të diferencojnë nivelin e akcizës
për verërat në bazë të prodhimit
të tyre. Kjo do të thotë se për
verërat e prodhuara nga fabrikat
e mëdha niveli i akcizës do
të jetë më i lartë se për ato që
prodhohen nga fabrikat e vogla,
të cilat zotërohen kryesisht nga
prodhuesit vendas. Ndryshimi
në fjalë është mirëpritur nga
prodhuesit vendas të verës dhe
madje ka qenë një nismë e tyre
si një mjet për t‘u mbrojtur nga
konkurrenca e ashpër e produkteve
të importit. Aktualisht,
niveli i akcizës është 20 lekë/
litër për sasitë e prodhimit më
të vogla se 1000 hektolitra dhe
35 lekë/litër për sasitë mbi këtë
nivel. Projektligji propozon
që kufiri i tatueshëm të rritet
nga 1000 hektolitra në 10 mijë
hektolitra. Ky ndryshim synon
rritjen e konkurrueshmërisë së
lirë dhe mbrojtjen e prodhimit
vendas në kuadër edhe të heqjes
së tarifave doganore si pasojë
e nënshkrimit të Marrëveshjes
së Tregtisë së Lirë me Bashkimin
Evropian ose Marrëveshja
Interim siç njihet ndryshe. Po
kështu, në bazë të projektligjit
ndryshon niveli i akcizës edhe
për gazoilin. Aktualisht ky nivel
është 75%, por jo më shumë se
37 lekë/litër dhe jo më pak se
27 lekë/litër. Propozohet të ndryshohet
kufiri i poshtëm nga
17 lekë/litër në 27 lekë/litër.
Po kështu, qeveria propozon të
shtojë edhe një produkt i ri në listën
e mallrave të akcizueshme,
që janë llambat inkandeshente.
Ligji
Në ligjin "Për akcizat", të
ndryshuar, propozohet edhe
shkurtimi i procedurave për
pajisjen me autorizim nga organet
tatimore të personave që
prodhojnë mallra subjekt akcize
në territorin e Republikës së
Shqipërisë, ose importon ngarkesa
tregtare mallrash, subjekt
akcize, për përpunim, të miratuar
në një magazinë tatimore të
miratuar. Çdo person, në bazë
të ligjit në fuqi, regjistrohet çdo
vit me autorizim nga organet tatimore,
ndërsa projektligji propozon
që autorizimi të jetë i vlefshëm
gjatë gjithë veprimtarisë
së tyre. Projektligji propozon të
shkurtojë edhe procedurat për
pajisjen me leje për të ushtruar
veprimtari në magazina tatimore.
Çdo person i autorizuar, nëse
kërkon të prodhojë ose të mbajë
mallra akcize në ndonjë truall,
ndërtesë ose mjedis tjetër, nën
regjimin e pezullimit tatimor,
duhet të kërkojë më parë në organet
tatimore që ato t‘i miratojnë
atij si magazinë tatimore
truallin, ndërtesën ose mjedisin
tjetër që ai disponon çdo vit,
ndërsa projektligji propozon t‘i
hiqet kufizimi i afatit të lejes.