Gazi, Shqipëria në projektin italo-grek
Qeveria e Iranit dhe kompania
italiane "Edison"
janë pranë finalizimit të
një marrëveshjeje për tregtimin
e 42.5 milionë metra kub gaz
në ditë që nga fundi i vitit 2008.
Kompania italiane do të blejë
gazin iranian për ta shitur atë
më pas në tregun evropian. Irani
është vendi i dytë në botë për
nga rezervat e gazit dhe shihet
si një nga alternativat kryesore
të furnizimit të Evropës me gaz,
ndonëse së fundmi kompanitë
evropiane po ngurojnë të bëjnë
biznes në këtë vend, për shkak të
mosmarrëveshjeve që Teherani
ka me Shtetet e Bashkuara të
Amerikës. Megjithatë, italianët
kanë filluar të shkrijnë akullin
duke i propozuar qeverisë iraniane
marrëveshje konkrete. Por
dilema është se nga do të transportohet
gazi. Ministri iranian i
karburanteve, Gholam Hossein
Nozari, zbuloi se në itinerarin
që gazi do të përshkojë për të
mbërritur në Evropë mund të
përfshihet edhe Shqipëria. "Gazi
do të transportohet përmes
gazsjellësve të Turqisë dhe më
pas përmes Greqisë ose Shqipërisë.
Kompania "Edison" do
të koordinojë veprimet me qeverinë
turke dhe më pas me atë
greke ose shqiptare", tha Nozari.
Nuk është bërë ende e qartë
nga kompania italiane se si do të
transportohet gazi në fund të vitit
2008, pasi gazsjellësi i parashikuar
për t‘u ndërtuar për këtë
qëllim do të përfundojë vetëm
në vitin 2010. Por së fundmi kjo
vepër po i intereson edhe Turqisë,
e cila pritet që gjatë viteve
në vazhdim të përballet me një
rritje të fortë të kërkesës së brendshme
për gaz. Hyrja e Ankarasë
në lojë mund të përshpejtojë
shumë afate dhe mund të ndikojë
për mirë në përfshirjen e
Shqipërisë nën këtë projekt gjigand,
i cili do të sjellë në Evropë
më shumë se 10 miliardë metra
kub gaz në vit.
Gazsjellësi
"Edison", së bashku me kompaninë
greke "Depa", ka paraqitur
një projekt për ndërtimin
e një gazsjellësi, i cili njihet ndryshe
si gazsjellësi italo-grek.
Projekti i paraqitur nga dy kompanitë
parashikon ndërtimin
e një gazsjellësi prej 800 kilometra,
600 prej të cilave do të
ndërtohen nga kompania greke
"Depa" dhe është tubacion tokësor.
Pjesa tjetër prej 200 kilometra
është linja nga Greqia në
Pulja, që do të ndërtohet nën ujë
nga shoqëria italiane "Edison".
Në këtë pjesë po shikohet gjithmonë
e më shumë mundësia e
përfshirjes së Shqipërisë, e cila
ofron një distancë më të shkurtër
nënujore me Italinë, duke
reduktuar kështu kostot e ndërtimit
të gazsjellësit. Ky projekt
mbështetet fuqishëm nga Komisioni
Evropian për shkak se
heq monopolin e kompanisë
italiane ENI, që kontrollon pjesën
dërrmuese të tregut të gazit
në Itali, por edhe monopolin rus
në Evropë. Madje në axhendën
e Bashkimit Evropian ky projekt
konsiderohet si një nga 5 prioritetet
në fushën e energjetikës.
Por së fundmi projekti po përballet
me probleme të shumta
që kanë të bëjnë me konkurrencën
dhe ato të terrenit. Ekspertët
thonë se rruga ku parashikohet të
shkojë gazsjellësi italo-grek është
shumë e kërcënuar nga tërmetet
e herëpashershme nënujore.