E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha josh kryebashkiakët me pasaporta shërbimi

Krerët e njësive të qeverisjes
vendore mund të
përfitojnë të drejtën e
zotërimit të pasaportave
të shërbimit. Këshilli i Ministrave
pritet të miratojë brenda këtij
muaji një shtesë në vendimin
nr.335, datë 02.09.2007 "për
lëshimin e pasaportave diplomatike
dhe të shërbimit". Kategoria
që do përfitojë përbën kryetarët e
bashkive dhe komunave në gjithë
vendin. Nismë që mund të rrisë
bashkëpunimin mes dy autoriteteve
lokale dhe qendrore.
Vendimi
Burime nga Këshilli i Ministrave
sqarojnë se vendimi në fjalë është
konkretizuar. Ai ka qenë pjesë e
tryezës së punës në mbledhjen e
fundit të qeverisë për vitin 2007,
ndërsa është shtyrë për efekt riformulimi.
Po sipas burimeve mësohet
se akti do të kalojë në
mbledhjen e ardhshme të Ekzekutivit,
ose në rastin më të keq brenda
janarit. Në vendim kërkohet
kryerja e një shtese në vendimin e
vitit 1997 të qeverisë Nano. Akt ky
që merret në mbështetje të nenit
100 të Kushtetutës, me propozim të
ministrit të Punëve të Jashtme.
Kryeministri Sali Berisha ka ndërmarrë
këtë nismë në kuadër të
rritjes së nivelit të bashkëpunimit
me drejtuesit e pushtetit lokal.
Sakaq, kanë qenë këta të fundit që
në takimet me kreun e qeverisë i
kanë renditur këtë kërkesë, duke e
cilësuar si të nevojshme. Një privilegj
të tillë kryetarët e bashkive e
kanë pasur me vendimin e qeverisë
Nano në 1997-ën, i shfuqizuar
nga Kryeministri Pandeli Majko në
25 prill të vitit 2002.
Ndarja
Republika e Shqipërisë ka në
total 384 njësi të qeverisjes vendore.
Ndër to janë 66 bashki në
gjithë vendin dhe 11 minibashkitë
që ka kryeqyteti. Të tjerat rezultojnë
të jenë komuna. Bazuar në
rezultatin e fundit të zgjedhjeve në
gjithë vendin, bashkitë kryesore të
vendit i fitoi Partia Socialiste,
ndërsa komunat kryesisht u fituan
nga Partia Demokratike, që ka
qeverisjen kryesore. Një masë e
tillë nga qeveria që synon pajisjen
e kryebashkiakëve dhe kryekomunarëve
me pasaporta shërbimi
në një farë mënyre do vendosë një
premisë bashkëpunimi mes
qeverisjes qendrore dhe asaj
lokale, por edhe midis të majtës
dhe të djathtës. Shenja që janë
vënë re dukshëm edhe në vizitat e
Kryeministrit në disa prej kryeqendrave
të vendit. Kryebashkiakët e
Durrësit, Gjirokastrës, Elbasanit
etj., ndonëse të zgjedhur nga Partia
Socialiste, kanë dalë përkrah
Kryeministrit në vizitat e tij në
qytetet respektive. Shembull i
njëjtë është vënë re edhe me
kryeqytetin, ku kryebashkiaku Edi
Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë
Socialiste, është ulur në disa
raste fundvitin e kaluar në tryezë
me Kryeministrin Sali Berisha.

Pasaporta shërbimi

1. Zëvendësministrat
2. Nënkryetarët e Shërbimit të Kontrollit të Shtetit
3. Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve
Shoqërore
4. Zëvendësprokurorët e përgjithshëm
5. Prefektët dhe sekretarët e përgjithshëm të
prefekturave
6. Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë
7. Drejtorët e departamenteve pranë Këshillit
të Ministrave
8. Kryetari i Kryqit të Kuq Shqiptar
9. Drejtori dhe nëndrejtori i ATSH-së
10. Drejtori dhe nëndrejtori i Radiotelevizionit,
drejtori i radios dhe ai i televizionit
11. Drejtorët e bankave shtetërore
12. Drejtori i Përgjithshëm i Telekomit
13. Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shtetit
14. Drejtori i Drejtorisë së Doganave
15. Drejtori i Qendrës së Nxitjes së Investimeve
të Huaja
16. Kryetarët dhe zëvendëskryetarët e komiteteve
dhe drejtorët e drejtorive të përgjithshme
dhe të drejtorive e agjencive të tjera në
varësi të Këshillit të Ministrave
17. Drejtorët e drejtorive në Kryeministri dhe
ministri
18. Nënkryetarët dhe sekretarët e Akademisë së
Shkencave
19. Këshilltarët e anëtarëve të Këshillit të Ministrave
20. Drejtori i Përgjithshëm i Rezervave të Shtetit
21. Nënkryetarët, sekretarët e përgjithshëm dhe
shefat e sektorit të jashtëm të partive të përfaqësuara
në Kuvend ose në qeveri
22. Kryetarët e komuniteteve fetare
23. Kryetarët e partive politike që nuk përfaqësohen
në Parlament ose në qeveri
24. Kryetarët e këshillave të qarqeve, si dhe inspektorët
e ngarkuar për marrëdhëniet me
jashtë
25. Zëvendësshefat e Shtabit të Përgjithshëm dhe
Komandanti i Gardës së Republikës
26. Shoferët e Presidentit të Republikës, Kryetarit
të Kryesisë së Kuvendit, kryetarit të
Këshillit të Ministrave e të anëtarëve të qeverisë,
kryetarit të Gjykatës së Kasacionit, kryetarit
të Gjykatës Kushtetuese, prokurorit të
Përgjithshëm, Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë,
kryetarit të Shërbimit të Kontrollit të
Shtetit, kryetarit të Shërbimit Informativ Kombëtar,
sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit
të Ministrave
27. Punonjësit administrativë e teknikë të Ministrive
të Punëve të Jashtme, të përfaqësive
diplomatike, konsullore dhe tregtare, bashkëshortëve,
djemve deri në 18 vjeç dhe vajzave
të pamartuara që bashkëjetojnë me ta
28. Drejtori, kryeredaktori dhe shefi i sektorit me
jashtë i gazetave të përditshme të karakterit
informativ e politiko-shoqëror, me tirazh mbi
5 mijë kopje, si dhe revistave periodike të karakterit
informativ, politik e social sipas përcaktimit
që do të bëhet nga Drejtoria e Shtypit
e Ministrisë së Punëve të Jashtme
29. Kryetari i Komitetit Olimpik, sekretari i
Përgjithshëm i FSHF-së dhe trajneri i ekipit
kombëtar të futbollit
30. Nënkryetarët dhe drejtorët e SHIK-ut
31. Zëvendësguvernatori i Bankës së Shqipërisë
32. Kryesia e Dhomës Kombëtare të Avokatisë
33. Kryetarët e dhomave të avokatisë në rrethe
34. Drejtori i marrëdhënieve me jashtë në Komisionin
Qendror të Zgjedhjeve

Pasaporta diplomatike

1. Presidenti i Republikës
2. Kryetari dhe zëvendëskryetari i Kryesisë së Kuvendit
3. Kryetari i Këshillit të Ministrave, zëvendëskryetari dhe anëtarët e
qeverisë
4. Deputetët e Kuvendit
5. Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës dhe Sekretari i Përgjithshëm
i Këshillit të Ministrave
6. Kryetari i Shërbimit të Kontrollit të Shtetit
7. Bashkëshortët, djemtë e mitur deri në 18 vjeç dhe vajzat e pamartuara
që bashkëjetojnë me Presidentin e Republikës, kryetarin e
Kryesisë së Kuvendit, kryetarin e Këshillit të Ministrave dhe anëtarët
e personelit diplomatik ose konsullor të Republikës së Shqipërisë që
janë jashtë vendit
8. Bashkëshortët e anëtarëve të qeverisë
9. Bashkëshortët e zëvendëskryetarëve të Kryesisë së Kuvendit
10. Anëtarët e Gjykatës së Kasacionit
11. Prokurori i Përgjithshëm
12. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë
13. Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese
14. Kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror
15. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë
16. Kryetarët e partive politike të përfaqësuara në Kuvend ose në Këshillin
e Ministrave
17. Anëtarët e personelit diplomatik e konsullor të Republikës së Shqipërisë
jashtë vendit
18. Funksionarët e karrierës diplomatike dhe konsullore të Ministrisë së
Punëve të Jashtme dhe korrierët diplomatikë konsullorë
19. Funksionarët ndërkombëtarë që kanë shtetësi shqiptare kur funksionet
e tyre gjykohen të rëndësishme nga Ministria e Punëve të
Jashtme
20. Kryetari i Akademisë së Shkencave
21. Shefat e kabinetit dhe këshilltarët e Presidentit, Kryetarit të Kryesisë
së Kuvendit dhe Kryeministrit
22. Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve
23. Shefat e kabinetit të ministrave
24. Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare
25. Oficerët që shoqërojnë jashtë vendit Presidentin e Republikës, kryetarin,
zëvendëskryetarët e Kryesisë së Kuvendit, Kryeministrin dhe
anëtarët e qeverisë
26. Sekretari i Përgjithshëm në ministri, në Gjykatën Kushtetuese, në
Avokatin e Popullit, në Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe në Komisionin
Qendror të Zgjedhjeve
27. Kancelarit të Gjykatës së Lartë

Pesë vendime qeverie për të shtuar listën e përfituesve

ga Meksi, te Nano, Meta dhe Majko, pasaportat diplomatike dhe të shërbimit, privilegj për 61 kategori

Legjislacioni shqiptar njeh pesë vendime
të Këshillit të Ministrave të
viteve të demokracisë, që kanë për
objekt pasaportat diplomatike dhe të shërbimit.
Aktualisht, në total rezultojnë 61 kategori
që përfitojnë një privilegj të tillë. Vendimi
i parë në këtë lloj është ai i qeverisë së
Aleksandër Meksit me numër 132, datë 6
mars të vitit 1993. Në të jepeshin të gjitha
kategoritë që kanë përfitimin e pasaportave
për udhëtim. Vendimi tjetër edhe më
i plotë është ai i qeverisë së Kryeministrit
Fatos Nano, me numër 335, datë 2 shtator
1997. Ndërhyrja e radhës në këtë akt është
kryer nga Kryeministri Ilir Meta në 17 nëntor
të vitit 2000. Në bazë të këtij vendimi
shtoheshin në kategorinë e pasaportave
diplomatike "sekretari i Përgjithshëm në
ministri, në Gjykatën Kushtetuese, në
Avokatin e Popullit, në Kontrollin e Lartë të
Shtetit dhe në Komisionin Qendror të
Zgjedhjeve. Një tjetër kategori ishte kancelari
i Gjykatës së Lartë. Në 15 shkurt të
vitit 2001, Kryeministri Meta ndërhyn sërish
në këtë vendim, duke shtuar te pasaportat
e shërbimit edhe kryesinë e
Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe kryetarët
e dhomave të avokatisë në rrethe.
Në vendimin me numër 152, datë 25 prill
2002, Kryeministri i asaj kohe, Pandeli
Majko, shtoi te pasaportat e shërbimit drejtorin
e marrëdhënieve me jashtë në Komisionin
Qendror të Zgjedhjeve. Sakaq ai
shfuqizoi paragrafin për "kryetarët e
këshillave të rretheve dhe kryetarët e
bashkive, si dhe personat e ngarkuar për
marrëdhëniet me jashtë". Duke propozuar
vetëm "kryetarët e këshillave të qarqeve
dhe inspektorët e marrëdhënieve me jashtë
në këto këshilla". Të drejtën për pasaporta
diplomatike e kanë 27 kategori dhe
të shërbimit 37 të tilla. Pasaportat diplomatike
dhe të shërbimit lëshohen vetëm nga
Ministria e Punëve të Jashtme dhe përfaqësitë
diplomatike e konsullore të Shqipërisë.
Pasaportat diplomatike dhe të
shërbimit nënshkruhen nga zëvendësministri
i Jashtëm ose nga drejtori i Drejtorisë
Juridike, Traktateve dhe Konsullore në Ministrinë
e Jashtme, ose me autorizim të të mësipërmve,
nga titullari i përfaqësisë diplomatike
jashtë shtetit. Pas përfundimit të
shërbimit, pasaportat e shërbimit duhet të
depozitohen pranë drejtorive të personelit
të ministrive dhe institucioneve. Në rast se
mbajtësi i pasaportës diplomatike apo shërbimit
shkarkohet nga detyra, largohet nga
puna apo emërohet në një detyrë tjetër, ai
është i detyruar të dorëzojë pasaportën diplomatike
ose të shërbimit. Në rast mosdorëzimi,
Drejtoria Juridike e Konsullore e Ministrisë
së Jashtme njofton gjitha përfaqësitë
e huaja të akredituara në Tiranë për pavlefshmërinë
e pasaportës së padorëzuar.
Lejohet vendosja e fotografive të fëmijëve
nën 16 vjeç vetëm në pasaportat e bashkëshortëve
të anëtarëve të personelit diplomatik
ose konsullor. Afati i vlefshmërisë
së pasaportave diplomatike dhe të shërbimit
duhet të jetë deri në 5 vjet dhe mund
të zgjatet 2 herë të tjera për periudha deri
në 2 vjet. Lëshimi i pasaportave diplomatike
dhe të shërbimit ose zgjatja e afatit të
vlefshmërisë së tyre bëhet kundrejt pagesës
sipas tarifave të përcaktuara nga Ministria
e Jashtme dhe e Financave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›