Duka dhe Han, sot në Kopenhagë për kalendarin
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, dhe trajneri i përfaqësueses shqiptare, Ari Han, janë nisur që dje drejt Kopenhagës ku do të përcaktohet edhe kalendari i Grupit 1 të eliminatoreve të Botërorit 2010. Ndonëse përfaqësuesja kuqezi është një prej ekipeve me koeficientin më të ulët në këtë grup, delegacioni shqiptar do të kërkojë të thotë fjalën e tij edhe në këtë mbledhje. Dëshira e FSHF-së është që ndeshja e parë e eliminatoreve të Botërorit të luhet në Tiranë, mundësisht me një prej skuadrave më të forta të grupit. Kjo duket se është kërkesa e vetme e realizueshme, pasi skuadrat e mëdha, Portugalia, Suedia dhe Danimarka do të kërkojnë të evitojnë një përplasje mes tyre që në ndeshjet e para, duke parë se këto takime do të zhvillohen në fillimin e shtatorit, kur shumë lojtarë nuk janë në formën më të mirë. Megjithatë, pritet që vendimet rreth kësaj çështjeje të varen shumë nga ajo që do të kërkojnë Danimarka dhe Suedia, dy vendet fqinje që mund të sigurojnë një akord mes tyre. Nëse kalendari nuk përcaktohet me marrëveshje të përbashkët, ekipet e Grupit 1 kanë të drejtë të gjejnë një akord brenda muajit shkurt, në të kundërt do të jetë FIFA ajo që do të përcaktojë kalendarin me short.