E Diel, 1 Nëntor 2026

Dule: Nuk jemi xhelozë nga bashkëpunimi PD-PS

Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, ironizon në një intervistë për "Shqip" dy forcat kryesore politike duke u shprehur se PBDNJ nuk është xheloze nga bashkëpunimi PD-PS. Një nga aleatët e qeverisë dhe një nga kryetarët e partive të vogla që kanë firmosur dy ditë më parë marrëveshjen që kërcënon PD dhe PS për reformën zgjedhore, duke kërkuar referendum ka sugjeruar firmosjen e një pakti politik jo të fshehtë midis demokratëve dhe socialistëve për integrimin e vendit në BE dhe NATO, duke e nxjerrë atë nga kuadri i përplasjeve të interesave mikropartiake të ditës dhe duke garantuar kontributin maksimal të tyre, pavarësisht nga pozicioni në pozitë ose opozitë që do t‘u rezervonte elektorati. Lidhur me reformën elektorale, PBDNJ propozon pesë pikat që do të ofrojnë një reformë elektorale të cilën kryetari Dule e quan të suksesshme për të gjitha partitë politike në vend. Mënyra e qeverisjes ka qenë deri më sot pika më e dobët e PBDNJ-së, e cila shprehet se "me vullnetin e duhur që nuk besoj se mungon, me qartësi më të madhe vizioni dhe përpjekje më të koordinuara, koalicioni qeverisës ka ende shumë shanse për të justifikuar votën që iu besua më 3 korrik 2005".

Zoti Dule, reforma zgjedhore është tema kryesore me të cilën politika shqiptare duhet të merret në muajin mars si kusht për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Cilat janë pikat që do propozohen nga PBDNJ dhe mendoni se mes PD-PS ekziston një pakt i fshehtë për të realizuar reformën?

Reforma zgjedhore, kuadri ligjor që lidhet me proceset zgjedhore përbën gur themeli për demokracinë dhe funksionimin e shtetit të së drejtës. Për rrjedhojë përbën miopi politike konceptimi i tij vetëm e vetëm si kusht për anëtarësimin e vendit tonë në NATO. Është kusht pa të cilin nuk mund të funksionojë një sistem politik demokratik. Jemi i vetmi vend anëtar i Këshillit të Evropës dhe i OSBE që ndryshojmë kodet zgjedhore pas çdo procesi zgjedhor politik apo administrative qoftë ai.

Kjo nuk nderon askënd, asnjë force politike, as vetë klasën politike në tërësinë e vet. Aq më tepër që u ka faturuar fateve integruese të vendit tonë në strukturat Euroatlantike një kosto jo të vogël. Nuk mund të hamendësojmë, nuk do t‘i hynim mundimit ta bënim, rreth marrëveshjeve të mundshme të fshehta midis forcave të ndryshme politike cilado qofshin ato. Nuk mund të ketë reformë të suksesshme zgjedhore pa konsensusin e mbarë spektrit politik pa angazhimin maksimal të të gjitha forcave politike, pa respektuar parimet bazë mbizotëruese në të gjitha demokracitë e avancuara evropiane. Këto, është e kuptueshme se nuk mund të realizohen pa dialog sistematik dhe transparent. Për PBDNJ nuk ka sisteme zgjedhore të mira ose të këqija, ka sisteme të përshtatshme ose jo të tilla. Sistemi kushtetues zgjedhor aktual nuk është zbatuar asnjëherë në variantin e vet kushtetues. Janë zbatuar devijime të tij që kanë nxjerrë në pah dobësitë dhe aspektet problematike të tyre. Një reformë e suksesshme zgjedhore do të ishte ajo që do t‘u priste përfundimisht rrugën fenomeneve negative shoqëruese të të gjitha ballafaqimeve elektorale të deritanishme që kanë sjellë për rrjedhojë edhe kontestimin e tyre. Për ne, ndërhyrje të suksesshme në kuadrin ligjor zgjedhor do të ishin ato që do garantonin: 1. Hartimin e listave zgjedhore definitive sipas standardeve mbizotëruese në demokracitë e zhvilluara. 2. Pajisjen e qytetarëve me kartat e identitetit. 3. Administrimin e procesit zgjedhor nga komisione jopartiake. 4. Njehsimin e votës për kandidatin me votën për partinë që e kandidon (shmangia e "Dushkut"). 5. Nuk do të linim pa përmendur edhe domosdoshmërinë e realizimit të premtimit të qeverisë për garantimin e pjesëmarrjes në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të emigrantëve në vendet ku ata jetojnë.

E majta është pranë përçarjes. Mendoni se me të njëjtin problem do të përballet edhe e djathta përpara nisjes së fushatës për zgjedhjet e 2009-ës?

PBDNJ është një parti e pozicionuar qartë dhe në mënyrë konsekuente në qendrën e spektrit politik të vendit. Aq sa mund të flitet sot për të majtë, të djathtë apo qendër. Këtë e dëshmon fizionomia, programi dhe aktiviteti praktik politik i saj. Nuk na takon dhe nuk do të tundoheshim për t‘u shprehur për situatat në forca të tjera politike apo kampe që nuk u përkasim. Do të theksonim veç faktin e nevojës së ekzistencës së alternativave të qarta politike, produkte të sintezës së programeve të forcave që vendosin të bashkëpunojnë midis tyre dhe që fatkeqësisht deri më sot kanë munguar. Më shumë se gjenerues idesh, programesh, alternativash për përballimin e problemeve të ditës, por edhe strategjike të vendit, shoqërisë dhe qytetarit forcat politike janë shndërruar në organizma parazitiste me synim ekskluziv pjesëmarrjen në administrimin abuziv të pushtetit. Ndoshta zgjedhjet e ardhshme do të përbëjnë edhe mbylljen e ciklit të parë, atë postkomunist (nga çdo këndvështrim vicioz) të jetës politike të vendit dhe do të hapin atë euroatlantik. Zhvillim ky i dëshiruar nga shoqëria shqiptare, i kërkuar nga fatet e vendit dhe që klasa politike duhet të ofrojë kontributin e vet për të, në vend të rezistencës së deritanishme.

PBDNJ do të kandidojë e vetme si forcë politike në 2009-ën, apo do të vazhdojë të jetë në koalicion me PD-në?

PBDNJ nuk ka pasur deri më sot në të gjitha ballafaqimet elektorale politike apo administrative aleanca parazgjedhore me forca të tjera politike. Është përballur e vetme dhe ka bashkëpunuar në aleanca paszgjedhore vetëm kur këtë e kanë kërkuar zhvillimet politike në vend. Ndërkohë që kjo përbën një traditë nuk mund të paragjykojmë vendimmarrjen e strukturave drejtuese të partisë në lidhje me zgjedhjet e ardhshme. E rëndësishme për ne mbetet prezantimi në zgjedhjet e ardhshme me një program të ri që do të mbizotërohet nga fryma euroatlantike, me kandidatë që do ta mishërojnë atë në botëkuptimin dhe aktivitetin e tyre me një vizion dinamik që synon objektivin tonë kryesor për të përafruar realitetet tona gjithmonë edhe më shumë me atë euroatlantik.

Do të ketë negociata mes jush dhe kreut të Ekzekutivit për ndryshimin e pozicionit të partisë që ju përfaqësoni brenda qeverisë, në rast se Berisha ndryshon kabinetin? Në cilin dikaster e shikon veten më përfaqësuese PBDNJ?

Pyetjet hipotetike janë e drejtë e gazetarit sikurse përgjigjja për to nuk do të këshillohej për politikanin. Për ne përfaqësimi ynë në ekzekutiv është i një rëndësie sekondare krahasuar me performancën qeverisëse. Ndryshimi për të cilin u votua qeverisja e sotme nuk mund të realizohet në plotësinë e vet me ritmet aktuale. Premisat që ekzistonin që në fillim të mandatit dhe që nuk u shfrytëzuan për gjykimin tonë maksimalisht, nuk janë ezauruar ende plotësisht. Me vullnetin e duhur që nuk besoj se mungon, me qartësi më të madhe vizioni dhe përpjekje më të koordinuara, koalicioni qeverisës ka ende shumë shanse për të justifikuar votën që iu besua më 3 korrik 2005. Në këtë këndvështrim i shikojmë në ndryshimet potenciale në qeveri, me vizionin, prioritetet dhe pjesëtarët e saj.

Në rast se në prill, Shqipëria nuk arrin të marrë ftesën për të hyrë në NATO, mbi cilin duhet të bjerë pesha e fajit. A duhet të japë dorëheqjen Kryeministri Berisha, apo duhet vetëm të ndryshojë qeverinë?

Vendi ynë prej disa vitesh është në rrugën e reformave të shumta dhe të gjithanshme me qëllim përafrimin e realiteteve politike, ekonomike, shoqërore, por edhe ushtarake me ato të realiteteve euroatlantike. Kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi të mendimit se këto reforma nuk janë ndërmarrë me ritmet, intensitetin dhe vazhdimësinë e kërkuar prej proceseve integruese. Shpeshherë ka munguar vizioni, kanë qenë të fragmentarizuara dhe pa dinamizmin e duhur. Në një kohë që kanë ekzistuar premisat si gjatë mandatit aktual qeverisës ashtu edhe në të mëparshmit, për më shumë eficensë dhe progres. Sidoqoftë, NATO nuk është një organizëm shtetesh me realitete të njëjta. Në të bëjnë pjesë SHBA-të, një realitet shumë i largët krahasuar me vendin tonë, sikurse bëjnë pjesë edhe vende me realitete pak më të avancuara se në vendin tonë. Ato që i bashkojnë, janë parimet dhe vlerat nga të cilat përshkohet funksionimi i shtetit, i ekonomisë, i shoqërisë, i ushtrisë etj. Pra, Shqipëria është gati të marrë ftesën për anëtarësim në NATO në samitin e Bukureshtit, jo si një qëllim në vetvete, por edhe si motivim për më tepër progres, zhvillim, mirëqenie dhe siguri me një dinamizëm të tillë që në një periudhë afatmesme ta çojnë atë në standardet më të avancuara mbizotëruese në vendet e aleancës. Ne vlerësojmë dhe kontribuojmë që vendi ynë të marrë në Samitin e Bukureshtit ftesën në NATO dhe nuk duhet në këtë moment dhe as të hamendësohet për një zhvillim ndryshe.

Si janë marrëdhëniet tuaja politike me Kryeministrin Berisha? Cili ishte takimi i fundit mes jush? Mendoni se PD ka më shumë kontakte me PS sesa me aleatët e saj?

Marrëdhëniet tona në nivel kryetar partish kanë qenë ato të komunikimit të vazhdueshëm dhe të drejtpërdrejta me marrëveshjet dhe mosmarrëveshjet, të cilat janë bërë edhe publike nëpërmjet mediave. Nuk mund të themi të njëjtën gjë edhe për marrëdhëniet midis partive në nivele të tjera, apo edhe për marrëdhëniet me anëtarë të veçantë të kabinetit. Por shprehim keqardhjen sidomos për faktin se pavarësisht nga vullnetet e shprehura reciprokisht, nuk kemi arritur ende atë sintezë aspektesh të programeve tona politike në aktivitetin qeverisës që ne do të dëshironim.

Ne nuk do të bëheshim kurrë xhelozë për kontaktet e PD me PS, përkundrazi do të ofronim dhe kontributin tonë maksimal që ato të ishin të vazhdueshme, sistematike, në dobi të zgjedhjes më strategjike në historinë e shtetit shqiptar që është ajo e integrimit në strukturat euroatlantike.

Do të kishte qenë me vend nënshkrimi i një pakti politik midis të gjitha forcave politike, në veçanti midis Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste, që do ta nxirrte integrimin e vendit tonë në BE dhe NATO nga kuadri i përplasjeve të interesave mikropartiake të ditës dhe do të garantonte kontributin maksimal të tyre, pavarësisht nga pozicioni në pozitë ose opozitë që do t‘u rezervonte elektorati. Sidoqoftë, asnjëherë nuk është vonë. Konvergimi i kohëve të fundit i qëndrimeve dhe bashkëpunimi i filluar në kuadrin e reformave të kërkuara në këtë kontekst urojmë dhe do të kontribuojmë aq sa na është e mundur nga pozicionet tona politike dhe parlamentare që të konsolidohen, të fitojnë shtrirje dhe thellësi, të shndërrohen në traditë për të cilën kaq shumë nevojë ka jeta politike e vendit dhe fatet integruese të tij.

Kohët e fundit ju kemi parë të tërhequr nga qëndrimet e PD-së. E përjashtoni mundësinë për të bashkëpunuar me opozitën aktuale në një të ardhme, pas zgjedhjeve të përgjithshme?

Ne u jemi luajal ideve, filozofisë dhe programit tonë, si dhe atyre marrëveshjeve me forcat e tjera politike që mendojmë se u shërbejnë zhvillimit dhe progresit në vend. Aleancat dhe koalicionet qeverisëse nuk janë rezultat i vullnetit politik të liderëve apo të lidershipëve të forcave të ndryshme politike. Ato janë vetëm rrjedhojë e situatave politike në një moment të caktuar të zhvillimit të tyre. PBDNJ nuk ka pasur paragjykime në lidhje aleancash, gjithmonë paszgjedhore, kur ato bëheshin imperative nga realitetet politike. Refuzimi i një force politike për të kontribuar në qeverisjen e vendit në favor të fateve të tij, të shoqërisë dhe të qytetarit përbën zhvlerësim ‘de fakto‘ të vetë ekzistencës së saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›