E Diel, 1 Nëntor 2026

E verbër për një javë

Një gazetare amerikane ka marrë pjesë në një eksperiment për aktivitetet vizive të trurit, duke pranuar të bëhej e verbër për një javë. Ky është tregimi i saj

Prej më shumë se dhjetë vjetësh tregoj progreset e mëdha të neuroshkencës. Kam takuar shkencëtarët më të mëdhenj të kësaj fushe, kam ndjekur kongreset e tyre, kam lexuar artikuj të ndryshëm dhe gjithashtu kam vizituar shumë laboratorë, por asnjëherë më parë nuk kam qenë kaq pranë realitetit të kërkimit të tyre. Në fakt, këtë vit mora pjesë në një eksperiment, me kusht që të isha e verbër për një javë. Studimi në fjalë kishte si qëllim të zbulonte se çfarë ndodh me trurin e njeriut kur privohet krejt rastësisht nga drita. Më poshtë është shkruar ditari i këtyre ditëve.

E enjte

Rekrutimi. Paraqitem në spitalin Beth Israel Deaconess në Boston. Gjatë kësaj kohe vazhdoj të mendohem seriozisht. Nuk e di nëse dua vërtet të jem pjesë e këtij eksperimenti. Po nëse nuk pranoj, ka ndonjë problem? Kam frikë të zgjohem në mes të natës pa e ditur se ku jam, e paaftë për të gjetur banjën. Kam frikë se pas ekzaminimeve mund të më lokalizojnë ndonjë masë tumorale, ose edhe më keq, mund ta kem trurin shumë të vogël. Është diçka qesharake, apo jo? Nuk e kuptoj se përse pranova? Por kur takoj studiuesit e kuptoj se nuk mund të tërhiqem më pas. Koordinatorja e studimit është Naomi Pitskell. Lotfi Merabet do të organizojë ditët e mia, ndërsa Marina Bedny do të më ndihmojë t‘u nënshtrohem disa testeve. Programi parashikon vlerësimin e aftësive të mia dëgjimore, vizive dhe neurologjike të zakonshme. Fakti që shumë njerëz para meje i janë nënshtruar këtij testi, nuk më ngushëllon shumë. Pjesa më e madhe e tyre ishin sa gjysma e moshës sime. Bisedoj pak me Lotfin: kam frikë se mos rasti im shërben për ta përcaktuar përfundimisht moshën në të cilën truri i njeriut nuk është më në gjendje të adaptohet. Kam frikë se mos e humbas vërtet shikimin. "Nuk do të ndodhë", më siguron ajo. Pak më vonë, pasi shoh modulin e adezionit me 17 faqe, vërej se spitali dhe personeli nuk mbajnë përgjegjësi nëse gjërat nuk shkojnë ashtu siç janë parashikuar.

Pasdite mjekët më thonë se duhet t‘u nënshtrohem disa testeve. Një prej tyre ka të bëjë me dëgjimin e tingujve dhe unë duhet të them nëse janë ngjitës ose zbritës. Në një tjetër test duhet të tregoj fjalët që përshtaten me emrat: për shembull, kur dëgjoj fjalën "qen" duhet të përgjigjem "sjell me vete". Më pas kalojmë te lojërat. Të rreshtoj qytetet e kam të thjeshtë, ato që më ngatërrojnë vërtet janë makinat dhe skuadrat e futbollit.

E premte

Dita zero. Sot shkencëtarët duhet të lokalizojnë koren (e kokës) time vizive. Fatkeqësisht ky test parashikon që unë të fiksoj dritat shkreptimë: një mënyrë e sigurt për të shkaktuar dhimbje koke. Të paktën ky lloj testi më largon pak nga stresi që duhet të hyj në një makinë për rezonancë manjetike. Ndërkohë, shtrihem mbi një krevat të gjatë plastik dhe shkencëtarët më bllokojnë kokën me një lloj kafazi. Më pas më fusin në një tub të ngushtë cilindri. Ndihem paksa si një CD që futet në magnetofon. Duhet të qëndroj pa lëvizur për rreth dy orë.

Kur u shtrova në spital zyrtarisht, sapo kishte filluar një stuhi e madhe dhe i gjithë qyteti donte të më ndalonte. Në njërin krah më shënuan diçka, gjë e cila u lejohej personave me të meta mendore, të cilët u nënshtrohen projekteve të kërkimit dhe eksperimentimeve klinike. Infermieret janë të sjellshme. Pohojnë se kanë parë shumë njerëz në gjendjen time dhe më sigurojnë se të gjithë ia kanë dalë mbanë, edhe pse një herë u është dashur të dërgojnë në shtëpi një zonjë, pasi zbuluan se shihte fshehtas televizor.

Sonte do të jem vetëm, por më kanë thënë se në fund të korridorit është dikush, i cili duhet të qëndrojë zgjuar për 88 orë, pasi duhet të kryejë një studim mbi prishjen e gjumit. E kaloj natën duke luajtur me orën time dhe duke u ushtruar që të mësoj të shkruaj me sy mbyllur. Mbi derën time është shkruar një njoftim: "Studimi N-107. Kush hyn në dhomë është i lutur të prezantohet për të mos trembur njeriun e fashuar". Ta hajë dreqi, në ç‘telashe u futa?

E shtunë

Dita e parë. Jam ngritur shpejt, sepse kam shumë ankth. Pasi kam ngrënë mëngjesin, bëj një dush dhe i hedh një vështrim dhomës për ta fiksuar mirë në kujtesë. Në orën 08:20 vjen Lotfi dhe fillon të më fashojë. Vendos mbi sy një maskë të vogël, e cila nga jashtë ka një sipërfaqe të zezë me shkëlqim. Brenda saj ka disa kavitete që më lejojnë, gjithmonë nëse dua, të hap sytë. Më pas Lotfi më lidh rreth syve një fashë elastike për të mbajtur të palëvizur maskën. Mendova se mund të shihja, por në fakt po ndodh e kundërta.

Pas pak do të fillojnë testet e vërteta: të tjera sekuenca tingujsh dhe lista të reja mbiemrash e fjalësh. Është edhe një provë tjetër në të cilën duhet të zbuloj nëse ka hapësira mes disa pikave në reliev. Është e habitshme, sepse çuditërisht kjo provë nuk më tremb dhe kam përshtypjen se do t‘i gjej të gjitha. Më vjen keq vetëm se nuk do të mundem të shoh njerëzit.

Hapi tjetër është një analizë e rezonancës manjetike funksionale. Rezultatet e sotme do të krahasohen me ato të një analize të dytë, parashikuar ditën e pestë. Në këtë mënyrë ekipi i mjekëve do të kuptojë se si është adaptuar truri im në mungesë të stimujve vizivë. Por, fatkeqësisht pak kohë më vonë, Lotfi më njofton se makina është prishur, si pasojë edhe eksperimenti do të ndërpritet. Më zgjidhën fashën në sy, me sa duket gjithçka do të fillojë nesër nga e para.

E diel

Është sërish dita e parë. Më në fund makina është rregulluar. Gjatë mesditës, me sy të fashuar dhe pasi u jam nënshtruar disa testeve njohëse, Lotfi më ndihmon të hyj në ashensor dhe të kaloj përmes korridoreve të spitalit. Bëj paksa rrëmujë me bastunin e bardhë që mbaj në duar dhe sytë e lidhur: "Shpresoj që asnjë nga pacientët e mi të mos më ketë parë përkrah teje, sepse do të më pyesin se çfarë të kam bërë", më thotë Lotfi.

Po hipim në makinë dhe do të shkojmë në Universitetin e Bostonit, ku do të bëj një rezonancë manjetike. Duhet t‘u nënshtrohem edhe disa testeve të tjera, për shembull si t‘i njoh sendet me të prekur. Makina nuk është ende gati. Herë pas here fiket vetë për të shmangur mbinxehjen dhe duhet që gjithçka ta fillojmë nga e para. Pres për pak kohë, por më duket sikur kam orë pa fund që rri në këmbë.

Kthehemi në spital, duhet të bëjmë një stimulim manjetik transkranial (tms). Kjo metodë përdor disa magnete për të induktuar impulse të vogla elektrike, që çaktivizojnë disa hapësira të trurit. Studiuesit duhet të verifikojnë nëse këto zona janë të vlefshme për disa detyra. Shpeshherë gazetarët e përshkruajnë tms-në si një diçka të shpejtë dhe të thjeshtë, por nuk është e vërtetë. Më vendosin në kokë një aparat, i cili monitoron trurin tim (edhe kjo analizë do të përsëritet ditën e pestë për të bërë krahasime). Më pas, përmes imazheve të rezonancës manjetike, lokalizojnë zonën e duhur të hapësirave cerebrale për t‘i çaktivizuar dhe kjo procedurë mua nuk më duket aspak e shpejtë.

Vetëm pas këtyre ndërhyrjeve jemi gati për tms-në. Bëjnë një provë mbi krahun tim dhe ndiej një tiktak të parrezikshëm. Në fakt, kur ndërroj zonë, ndjesia është pak më e fortë. Pjesa finale, pikërisht mbi veshin tim të majtë, është akoma më pak zbavitëse. Pas analizave, teksa kthehem në spital "shoh" diçka që shkëlqen. Zgjat për disa minuta, më pas zhduket. Më pas shoh disa shkëndija të vogla, që shtohen edhe mijëra të tjera, të cilat ngjajnë si një galaktikë e largët. Tashmë është bërë natë, shoh spermatozoidë të gjallë të ndriçuar dhe flakë artificiale që ndizen lehtësisht.

E hënë

Dita e dytë. Nuk duhet t‘u nënshtrohem më analizave, deri ditën e pestë. Sot janë mësimet e orientimit dhe nuk kam për t‘i humbur. Një pedagoge që mëson të verbrit më thotë të kem kujdes me kokën dhe të përcaktoj mirë koordinatat. Gjithashtu mësoj të eci edhe me ndihmën e bastunit. Pika më zhgënjyese është momenti i ushqimit. Për momentin po ha me duar. Mundohem të mos bëj rrëmujë. Më duket vetja sikur jam një njeri shpelle. Është katastrofë, sepse nuk arrij të dalloj as shijet dhe as të shijoj ushqimin. Nuhatja dhe prekjet nuk po më ndihmojnë ashtu siç e kisha parashikuar.

E martë

Dita e tretë. Jam shumë e ndjeshme ndaj temperaturës së trupit tim. Më duket sikur pas ushqimit ajo rritet gradualisht. Arrij të kuptoj se ku ndodhem nëse ajri përreth meje është i ngrohtë ose i ftohtë, gjë të cilës nuk i kisha kushtuar më parë rëndësi. Dalëngadalë edhe nuhatja ime po përsoset. Mendoj se nuk kishte ndonjë vështirësi të madhe për të kuptuar se kam nevojë për një dush.

Po ndodhin gjëra të çuditshme. Pak më parë një infermiere hyri në dhomë teksa unë dëgjoja muzikë dhe nuk dëgjova të më përshëndeste. Rastësisht anash meje nuhata erën e një dhie dhe bërtita e terrorizuar. Më pas kur po bashkëbisedoja me ekspertin e ushqimit, ra telefoni. I thashë mikut tim të më telefononte më vonë dhe fillova sërish bisedën, por nuk e kisha kuptuar se ai ishte larguar.

Po shijoja "pamjen" nga dritarja, kur papritur dikush më tha se grila ishte e mbyllur. Edhe në mes të ditës dhoma ime ishte e zhytur në errësirë të plotë, megjithatë për mua ishte e kundërta. Më dukej sikur dëgjoja që jashtë kishte nisur një rrebesh shiu, por në fakt dikush më thotë që është një ditë e bukur me diell.

E mërkurë

Dita e katërt. Kam vënë re se jam bërë shumë kokëfortë. Tri ditët e fundit jam zgjuar me bindjen se ishte ora tetë e mëngjesit, por si gjithmonë ora ime më gënjen. Ngrihem nga krevati dhe drejtohem drejt banjës. Eci ngadalë, duke kërkuar një faqe muri ku të mbështetem, por fatkeqësisht përplasem me tavolinën dhe rrëzohem. Më irriton fakti që dhoma "deformohet" pikërisht në çastin që unë lëviz me kujdes të madh.

Pasdite Lotfi më nxjerr për të bërë një shëtitje të vogël përreth spitalit. Nuk është ndonjë vështirësi e madhe të zbresësh shkallët, kur ke dikë në krah që të ndihmon. Nuk e di si do t‘ia bëj në momentin që do të hasem me një shkallë të thyer. Më mirë të mos e mendoj.

Sonte kam një ndjesi të çuditshme. Dua të perceptoj dorën time kur ta lëviz përpara syve. Sa herë që e spostoj para ose pas, prodhoj një shqetësim viziv në imazhin që kam në kokë. Mund të imagjinoj vetëm që në një tentativë të dëshpëruar për ta parë, korja ime vizive të përdorë koordinatat e dorës sime për të më thënë: "Shiko! Ka të dhëna që diçka po lëviz pikërisht aty. Është e madhe, ka pesë gishta dhe lëvizin lart e poshtë. I gjen dot"? Me këtë surprizë të vogël kuptova se të shikosh, të paktën pjesërisht, do të thotë të dish se çfarë po kërkon.

Jam gati për ditën e madhe. Mendoj se truri im do t‘ia dalë mbanë nesër, veçanërisht kur do të flitet për të shikuar përsëri.

E enjte

Dita e pestë. Papritur gjithçka bëhet pasionante. Jemi pothuajse në gjysmë dhe deri tani kemi arritur pa incidente. Përsërisim gjithçka që është bërë ditën e parë, përfshi edhe detyrat njohëse, rezonancën manjetike dhe tms-në. Gjithçka përfundon në orën 16.30.

Ka ardhur momenti të heq fashën nga sytë. Lotfi është ulur në anën tjetër të dhomës përballë meje. Më duket sikur më kanë shpëtuar nga ndonjë rrëmbim dhe po më lirojnë. Shoh ende errësirë. Më heqin të gjitha fashat dhe mbi kokë më vendosin një peshqir. Po hap ngadalë sytë dhe tronditem kur shosh që rrezet e dritës shkëlqejnë mes peshqirit. Pas pak minutash ul sytë dhe shoh kofshët e mia. Në fakt më duken si krahë. Pas pak minutash mjekët më heqin nga koka peshqirin dhe në moment gjithçka merr një formë tjetër. Dhoma mbushet plot me dritë, sytë e mi fillojnë të mësohen dalëngadalë. Lotfi ngre pjesërisht grilën dhe pas disa minutash hap dritaren. Gjithçka është brilante dhe e pastër, jo me flakë e re. Ka vetëm një problem, që kur lëviz kokën sytë e mi nuk shohin atë që thotë koka: pra çdo sinjal që tejçohet vjen me pak vonesë, në krahasim me ato normale.

Në orën pesë të pasditesh shikimi im është rikthyer plotësisht. Një orë më pas ndodhem në aeroportin e Loganit. Kur hyj në korridorin e pritjes, filloj të lotoj për ndarjen. Duhet të kem një pamje jo fort të këndshme, pasi të gjithë po më vështrojnë me habi. Megjithatë është e mrekullueshme që shoh përsëri.

"Rikthimi" në jetë

Ka ardhur momenti të heq fashën nga sytë. Më duket sikur më kanë shpëtuar nga ndonjë rrëmbim dhe po më lirojnë. Shoh ende errësirë. Pas pak minutash mjekët më heqin nga koka peshqirin dhe në moment gjithçka merr një formë tjetër. Dhoma mbushet plot me dritë, sytë e mi fillojnë të mësohen dalëngadalë. Gjithçka është brilante dhe e pastër, jo me flakë e re. Ka vetëm një problem, që kur lëviz kokën sytë e mi nuk shohin atë që thotë koka: pra çdo sinjal që tejçohet vjen me pak vonesë, në krahasim me ato normale

Një pedagoge që mëson të verbrit më thotë të kem kujdes me kokën dhe të përcaktoj mirë koordinatat. Gjithashtu mësoj të eci edhe me ndihmën e bastunit. Pika më zhgënjyese është momenti i ushqimit. Më duket vetja sikur jam një njeri shpelle. Është katastrofë, sepse nuk arrij të dalloj as shijet dhe as të shijoj ushqimin

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›